Rrëfimi i ekipit që dokumentoi korrupsionin

Dhjetëra njerëz të pushtetit e figura të krimit të organizuar përfunduan në burg gjatë vitit 2023, si rezultat i hulumtimeve të Kallxo.com.

Në një edicion special gazetarë, kameramanë e redaktorë të Kallxo.com rrëfyen prapaskenat e hulumtimeve të rasteve më të mëdha të transmetuara gjatë vitit 2023.

Emisionet dhe publikimet në Kallxo.com rezultuan me dhjetëra të arrestuar dhe qindra raste penale, ndërsa janë rrëfyer përvojat në hulumtimin e ngjarjeve dhe rasteve të korrupsionit.

Si u dokumentua krimi multimilionësh me ndërtimet e fajdetë  

Në edicionin e findvitit të #KallxoPernime, Kreshnik Gashi ka rrëfyer mënyrën se si Kallxo u përfshi në hulumtimin për ‘Dosjen Brezovica’. Në ‘Dosjen Brezovica’ janë arrestuar mbi 100 persona të dyshuar për korrupsion dhe dëmtim të ambientit.

Gashi ka treguar se në vitin 2021 ekipi kishte intervistuar njërin prej dëshmitarëve kryesor të rastit dhe kishte pranuar informacione të detajuara për skemën e korrupsionit me ndërtimin e vilave në Brezovicë.

“Rastin Brevozica kemi nis me hulumtu ku njëri prej dëshmitarëve kryesor të këtij rasti, ka kontaktuar ekipin tonë dhe ka pranu m`u intervistu dhe me rrëfy krejt skemën se qysh në rastin ‘Brezovica’, janë ofruar para për secilën vilë e secilin objekt që është ndërtuar në atë zonë. Dëshmia ka qenë mjaftë interesante dhe ka pas shumë prova të cilat tregonin që në këtë rast ka bazë materiale për me mbërri me ndërtu një rast të suksesshëm të luftimit të korrupsionit”- ka thënë Gashi. 

Sipas tij dëshmitari dhe provat e tjera të nxjerra kanë dokumentuar se për secilën vilë janë paguar rreth 10 mijë euro mito. 

“Ky dëshmitar ka treguar edhe mënyrën se qysh ka funksionuar rrjeti dhe se qysh deri në Ministrinë e Ambientit janë dhënë paratë për me ndryshu strukturën e zonës dhe planet e ndërtimit”- tha Gashi.

Ai shtoi se ‘Dosja Brezovica’, ka treguar se korrupsioni nuk njeh etni, pra, korrupsioni në këtë rast ka arritur t`i bëj bashkë shqiptarë e serbë.

“Kjo dosje ka treguar se korrupsioni nuk njeh kombësi, përkatësi partiake, por thjeshtë nëse ke para në Kosovë, mund ta degradosh ambientin dhe me mbërri me ba bash çka dush”- ka thënë Gashi.

Pjesë e rëndësishme ka qenë edhe dokumentimi i asaj se çka është thënë në rastin ‘Brezovica’. Gashi ka treguar se kanë arritur të sigurojnë dosje e pamje filmike të ngjarjeve që nga viti 2014. 

“Kemi marr një numër bukur të madh të faturave, kontratave, që janë përdorur për të realizuar këtë hulumtim. Prokuroria na ka kërkuar që materialet që i kemi siguru mos me i publiku deri në momentin kur të fillojnë arrestimet, e kur filluan arrestimet ne i kemi filmuar. Ky dokumentar për Brezovicën është transmetuar në muajin shtator, duke na ofru të dhëna se si ka funksionuar i gjithë rrjeti dhe lidhjet që Millan Radoiçiq kishte me këtë rrjet” – tha Gashi.

Producenti i #KallxoPenime, Valdet Salihu ka rrëfyer për pamjet ekskluzive që janë transmetuar në ‘Dosjen Brezovica’. 

Në pamjet e filmuara gjatë vitit 2014 ishin shpërfaqur pamjet e shkatërrimit të Brezovicës, ndërsa në pamjet pas 2021 u shpërfaqën ‘bunkerët me para të korrupsionit në Brezovicë’. 

“Në rastin ‘Brezovica’ pamjet që i kemi siguru i kanë tregu shumë publikut. Filmimet e vitit 2014 kanë dëshmu se me sa lehtësi bizneset e kanë shkatërru Brezovicën. Filmimet tjera që i kemi realizu pas 2019 po ashtu kanë dëshmu prej afër se sa shumë është përfitu prej Brezovicës. Kemi mbërri me siguru pamje prej bunkerëve me para, pamje të makinave luksoze të cilat janë konfisku po edhe ju kemi tregu publikut çka fshihet brenda vilave që prej jashtë duken të thjeshta por që brenda kanë miliona euro investime”- ka thënë Salihu.

‘Dosja Brezovica’ kishte nisur të hetohej në vitin 2016, mirëpo atëkohë hetimet kishin ngecur.

Provat që janë përmendur në emision tregojnë që ndërtimet në Brezovicë nisën pas vitit 2012-të kur disa kompani shqiptare nisën të ndërtonin vila në atë zonë.

Si u bënë biznesmenët shqiptarë zot të Brezovicës duke i korruptuar të gjithë  

Të dhënat tregojnë se biznesmenët shqiptarë kishin krijuar lidhje në komunën e Shtëprcës dhe përmes korrupsionit në komunë arrinin të merrnin leje të ndërtimit.

Hetimet e drejtuara nga prokurori Rasim Maloku përfunduan me mbi 100 persona të arrestuar përfshirë ish-kryetarin e komunës së Shtërpcës Branisllav Nikoliq dhe disa drejtorëve komunal. Hetimet përfshinë edhe zyrtarë të Minsitrisë së Ambientit dhe dhjetëra biznesmenë të fuqishëm të ndërtimit. 

Pamje të rralla – Momenti kur Policia bastis Qeverinë e Kosovës

Deri më tani prokuroria ka ngritur dy aktakuza për njerëzit e përfshirë në këtë ngjarje ndërsa hetimet janë duke vazhduar edhe për pjesën tjetër të grupit.

Dokumentari për rastin ‘Brezovica’ u transmetua në muajin shtator në #KallxoPernime dhe në të u shpërfaqën pamjet ekskluzive nga buknerët me para e deri tek arratisja e famshme e Millan Radoiçiq nga pika kufitare në Bërnjakë.

 

Dosja Biblioteka në sytë e Behar Mustafës

Një dosje tjetër interesante që përfundoi me të arrestuar ishte ‘Dosja Biblioteka’. 

Hulumtimi nxori prova se komuna e Mitrovicës nën udhëheqjen e Agim Bahtirit kishte vendosur që objektin e Bibliotekës ta privatizonte dhe ta shndërronte në kafiteri. 

Hulumtimi përfundoi me arrestimin e Faruk Mujkës, njërit prej figurave më të rëndësishme të Vetëvendosjes në rajonin e Mitrovicës. 

Mujka u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale më 14 korrik 2023.

Behar Mustafa, i cili e ka hulumtuar këtë rast, ka rrëfyer në edicionin festiv të #KallxoPernime procesin e verifikimit të kësaj dosje.

“Denoncimi tregonte se komuna e kishte ndërru objektin e bibliotekës me një pronë e cila ishte përdorë për një rrugë. Kur e kemi gjurmu më thellë kemi gjetë shumë parregullsi në këtë proces edhe njerëzit që i kanë nënshkru letrat e kanë pranu që ka pasë parregullsi”- ka thënë Mustafa.

Ai ka treguar se prona e Bibliotekës kishte qenë e AKP-së ndërsa komuna e Mitrovicës kishte kërkaur që ajo pronë të kalonte në pronësi komunale me qëllim që e njëjta të përdorej për të mirën e përgjithshme.

Por sipas Mustafës qeverisja e Agim Bahtirit vendosi që pronën ta vinte në përdorim të një biznesmeni që e shndërroi bibliotekën në kafiteri.

“Hulumtimin që e kemi publiku e ka marrë në trajtim Prokuroria Speciale. Pas diku gjashtë muajsh hetime njëri prej zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes, Faruk Mujka është arrestu në prill të 2023-ës për këtë ngjarje. Faruk Mujka është njëri prej njerëzve me shumë ndikim në Vetëvendosje dhe ka qenë nënkryetar i komunës së Mitrovicës. Bashkë me Mujkën është arrestuar edhe Hysen Muzlukaj, ish drejtori i Kadastrit në Mitrovicë”- ka thënë Mustafa.

Të dhënat tregojnë se Biblioteka e qytetit me vendimin e Bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës ishte larguar nga objekti i “Bankosit” për t’u vendosur në një qendër sportive në Mitrovicë. Prokuroria Speciale ende është duke zhvilluar hetime për këtë rast.

Rrëfimi i Adelina Ahmetit për hulumtimin që zbuloi sulmin seksual ndaj 14 vjeçares në Podujevë

Në vitin 2021 në një shkollë të Podujevës kishte ndodhur një sulm seksual. Një vajzë 14 vjeçare ishte ngujuar në një klasë nga dy persona.

#KallxoPernime zbuloi se Prokuroria e Prishtinës kishte vendosur ta amnistonte personin e dytë të përfshirë në këtë ngjarje. Ai ishte shpallur vetëm dëshmitar në ngjarjen ku e mitura u ngujua në kalsë dhe u tentua të ngacmohej seksualisht.

Babai i viktimës rrëfeu në #KallxoPernime ngjarjen ndërsa vetëm pas publikimit të emisionit prokuroria ngriti aktakzuë edhe ndaj personit të dytë. 

Ngjarja po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës ku personi i parë është dënuar me 1 vit burgim ndërsa personi i dytë është në proces gjyqësor.

Gazetarja që zbuloi rastin, Adelina Ahmeti ka ndarë përvojën e hulumtimit të këtij rasti. 

“Një prind nga Podujeva pati denoncu një rast. Ai na ka rrëfyer se organet e ndjekjes nuk janë duke e trajtu siç duhet rastin dhe rasti është mbyllë disa herë. Kur e kemi realizu emisionin menjëherë ka ndërhy prokuroria. Personi është akuzuar dhe tash para disa ditësh kemi marrë lajmin se ai është dënu”- ka thënë Ahmeti. Lexoni Hulumtimin:

Të akuzuarin për sulm seksual ndaj një të miture brenda shkollës, gjykata e dënoi me 1 vit për ngacmim

Dosja e hulumtuar nga Taulant Osmani përfundoi me të arrestuar

Prokurimi publik është një nga fushat me fokus të veçantë në hulumtimet e #KallxoPernime. 

Gazetari Taulant Osmani hulumtoi një rast në Gjilan ku kishte dyshime serioze për korrupsion në prokurim. 

Hulumtimi zbuloi se një tender në Gjilan për furnizim me material zyrtar, me vlerë 155 mijë euro ishte fituar përmes një dokumenti të falsifikuar.

Publikimi i artikullit u pasua me arrestime nga Prokuroria e Gjilanit. 

“Në mars të këtij viti (2023), Policia në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë së Gjilanit patën arrestu pronarin e kompanisë nën dyshimin për keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik. Ndërsa dy muaj më vonë, edhe është ngritur aktakuza nga Prokuroria për pronarin e kompanisë”- ka thënë Osmani.

Ai ka treguar se kompania kishte falsifiku një dokument me të cilin pretendonte se ka përfunduar punë të ngjashme në institucione në tri vitet e fundit. 

“Ky dokument iu ka dashtë më ia bashkëngjitë dosjes. Derisa nuk ka pasë mjaftueshëm dokumente për me apliku në tender, kompania e falsifikon vulën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e krijon një referencë, kinse ka kryer një tender me vlerë të madhe, 80 mijë euro në këtë ministri, në periudhën e 3 viteve të fundit. Ne patëm gjetë se ky tender, në këtë periudhë nuk kishte ekzistu fare. Komuna e Gjilanit i pati pranu dokumentet si të mirëqena edhe u fitu tenderi 155 mijë euro. Ne presim me padurim me pa verdiktin final të Gjykatës në lidhje me këtë rast dhe me qenë ky rasti i fundit ku kompanitë tentojnë dhe guxojnë me bo këso lloj mashtrimesh në tenderët publik”- shtoi Osmani. 

Hulumimin e plotë lexojeni në këtë link.

 

‘Dosja Disiplina’ 

Brenda vitit 2023 katër gjyqtarë të Kosovës janë dënuar me masa disiplinore pas raportimeve të Kallxo.com. 

Dy gjyqtarët, Veli Kryeziu dhe Afijete Sada- Gllogjani, kanë marrë masa disiplinore nga KGJK pasi Kallxo.com denoncoi rastet e tyre. 

Gjyqtari Veli Kryeziu është dënuar me vërejtje publike me shkrim për raportimin për gjuhë të papërshtatshme në publik, hulumtim ky i realizuar nga gazetarja Adelina Ahmeti.

Dy gjyqtarë të tjerë po ashtu pësuan masa disiplinore bazuar në raportimet e KALLXO.com.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës i shqiptoi masë disiplinore gjyqtares Lidija Vuçuroviq, pjesë e Gjykatës së Apelit, Divizioni në Mitrovicë. Ky vendim është marrë pas një raportimi nga Kallxo.com. Gjyqtares Vuçuroviq i është shqiptuar masë disiplinore vërejtje publike me shkrim.

Më datën 13 dhjetor 2022, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte pranuar një kërkesë për nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares Lidija Vuçuroviq nga Autoriteti kompetent.

Vendimi për masë disiplinore  evidenton së procedura është zhvilluar bazuar në raportimin e KALLXO.com.

Po ashtu, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i propozoi Presidentes Vjosa Osmani, shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Divizioni në Mitrovicë, Nikola Kabashiq.

Krejt kjo erdhi pas raportimit që KALLXO.com kishte bërë në nëntor të vitit 2022, duke treguar përfshirjen e krerëve institucional në tubimet organizative të subjektit politik Lista Serbe.

KALLXO dokumentoi me anë të fotografive, se zyrtarë institucional kishin marrë pjesë në ato tubime, ku ishte marrë vendimi për bojkotimin e Insitucioneve të Kosovës nga serbët.

Një gjyqtare tjetër e ndëshkuar me masë disiplinore është Afijete Sada- Gllogjani. Ajo u dënua me 40% të pagës pas hulumtimit të publikuar në Kallxo.com  

Egzon Dahsyla, ka rrrëfyer për ngjarjen të cilën e kishte raportuar.

“Në Kallxo.com kemi pranu ankesën nga një qytetar i Gjakovës. Ai është anku se rasti i tij nuk është trajtu me kohë në gjykatë. Kur ekipi i juristëve tanë e kanë trajtu rastin është konstatu që standardet ligjore nuk janë respektuar nga gjykata. Kur gjykata e kanë pa se çfarë problemesh janë në këtë lëndë kanë vendos me e nisë procedurën disiplinore për gjykatësen Afijete Sada- Gllogjani. Para disa javësh jemi njoftu se kjo gjyqtare është ndëshku me masë disiplinore prej KGjK-së dhe ju ka ulë paga për 40%”- ka rrëfyer Dahsyla.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka shqiptuar masë disiplinore me ulje page për 40% për 4 muaj, si dhe vërejtje publike me shkrim.

Dënimi i KGJK-së ndaj gjyqtares në fjalë vjen pasi KALLXO.com ishte duke e hulumtuar lëndën të cilën Sada- Gllogjani ishte duke e gjykuar, ndërsa gjyqtarja ishte në procedurë edhe për dy shkelje të tjera.

Impakti i KALLXO.com, Këshilli Gjyqësor i zvogëlon pagën për 40% gjyqtares Afijete Sada Gllogjani

 

Dosjet e shkarkimeve për shkak të dhunës në familje

Hulumtimet e Kallxo.com për dhunën në familje patën rezultate të mëdha gjatë vitit 2023

Drilon Gashi, këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca u shkarkua pasi Kallxo.com zbuloi se ai ishte i dënuar për dhunë në familje.

Jetlira Buzhala hulumtuesja e këtij rasti ka folur për edicionin festiv të #KallxoPernime për rrjedhën e këtij hulumtimi. 

“Një palë ka nda me ne një vendim të gjykatës së Pejës i cili dëshmonte se njëri nga këshilltarët e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ishte i dënuar për dhunë në familje. Dosja tregonte se Drilon Gashi ishte dënuar me vërejtje gjyqësore nën akuzën se rrahu gruan e tij”- ka thënë Buzhala.

Këshilltari me ‘stupc’ i Konjufcës – Rrahu bashkëshorten dhe mori vetëm vërejtje gjyqësore

Ajo ka treguar se pas këtij publikimi, Gashi ka tentuar ta arsyetoj se kjo ka qenë e momentit dhe ai jeton sërish me gruan e tij. 

“Pas këtij publikimi kryeparlamentari Glauk Konjufca ka vendosë me e liru këshilltarin e tij nga detyra. Sot ky njeri i dënuar për dhunë në familje nuk punon më në institucionin më të lartë legjislativ në vend”- ka thënë Buzhala.

Këshilltari i Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Drilon Gashi është i dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës për lëndim të lehtë trupor ndaj gruas së tij. Në link mund të lexoni hulumtimin e plotë për ngjarjen.

Një fokus tjetër i hulumtimeve për dhunën në familje ishte edhe analizimi i dosjeve të arkivuara. 

Aulona Alaj ka rrëfyer se si janë nxierrur 10 dosje për dhunë në familje nga arkivat e gjykatave.

“Synimi ka qenë me kuptu saktë se ku po dështon shteti në trajtimin e dhunës në familje. Në këto raste kemi arritë me gjetë probleme shumë serioze që nisin nga policia e vazhdojnë në prokurori dhe përfundimisht përfundojnë në gjykatë. Këto hulumtime tregojnë që në mënyrë sistematike policia nuk e kryen punën sipas rregullave në trajtimin e rasteve të grave viktima të dhunës. Problemi është serioz për shkak se edhe prokuroria nuk e kryen punën sipas rregullave dhe kjo rezulton pastaj me lirimin e burrave që i rrahin gratë. Është shumë me rëndësi që përpos që i kemi gjetë këto shkelje për secilin prej këtyre rasteve ne do i përgatisim nga një raport institucioneve dhe do kërkojmë me marrë masa ndaj përgjegjësve”- ka thënë Alaj. Lexoni hulumtimet e plota në link.

 

Dosja e doktorit në konflikt të interesit 

Një mjek nga Podujeva akuzohet për konflikt interesi pasi Kallxo.com raportoi se ai intervistoi mbesën e tij në një konkurs për punësim. 

Xheneta Murtezaj, hulumtuese në Kallxo.com tregon se pas publikimit Prokuroria e Prishtinës i mori për bazë materialet dhe ngriti aktakuzë ndaj mjekut.

“Në një rast në Podujevë, kemi zbulu se një mjek ka qenë në konflikt të hapur të interesit për shkak se e ka intervistu mbesën e vet në një konkurs publik. Ligji nuk e lejon këtë, dhe për këtë arsye, Prokuroria e Prishtinës ka ngritë aktakuzë ndaj këtij zyrtari. Prej asaj që na ka thënë Prokuroria Shtetit në muajin mars për këtë zyrtar është ngritur aktakzua për konflikt të interesit”- thotë Murtezaj. 

 

Dosja e avokatëve shqitpar të paguar nga qeveria e Serbisë

Tre avokatë në mesin e të cilëve edhe ish kryeprokurori i Mitrovicës Shyqeri Syla, u zbulua se merrnin paga nga strukturat paralele të qeverisë së Serbisë. Hulumtimi i publikuar në muajin nëntor tregoi se avokatët Asdren Hoxha, Faruk Korenica dhe Shyqeri Syla, kishin lidhur kontrata me qeverinë e Serbisë për të mbrojtur klientë të akuzuar për korrupsion e krim të organizuar në Kosovë.

Gazetarja Shkodrane Dakaj ka rrëfyer se si ka arritur ekipi i Kallxo.com ta dokumentoj këtë.

“Gjatë vitit 2023 kemi qëndru shumë gjatë në Leposaviq e në zonën e veriut. Atje kemi mbërri me gjetë kontakte tek komuniteti serb të cilët na kanë tregu se qeveria e Serbisë i financon disa avokatë. Kemi mbërri me u futë në komunë dhe me i marrë dosjet që dëshmonin që avokatët që mbronin njerëz të akuzuar për korrupsion ishin pagu direkt nga qeveria e Serbisë pa u njoftu fare institucionet e Kosovës. Më problematikja në këtë rast ka qenë që në mesin e njerëzve të paguar ka qenë edhe ish kryeprokurori i Mitrovicës Shyqeri Syla”- ka thënë Dakaj.

Ajo ka treguar se pas këtij publikimi dy insitucione të vendit kanë nisur hetime për këtë denoncim. 

“Pasi është publiku ky raportim ne kemi pranu informacione se Administrata Tatimore ka nisë një hetim për këtë rast. Ngjashëm me ATK edhe Oda e avokatëve ka nisë një hetim për çështjen dhe rezultatet i presim në vitin 2024”- ka thënë Dakaj. Lexoni dosjen e plotë në link

 

Dosja – Milionat e Ferronikel-it

Një hulumtim tjetër që Visar Prebreza, redaktor në Kallxo.com, ka rrëfyer për skandalin në Feronikel. Kësaj ndërrmarrje me një vendim të Komisionit të Minierave dhe Mineraleve i ishin hequr disa miliona nga një gjobë e paravendosur.

“Në fillim të vitit kemi raportu për një skandal në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale. Skandal që peshonte hiq më pak se 8 milionë euro. Në atë kohë kemi treguar se si Ferronikeli fillimisht ishte gjobitur mbi 9 milionë euro me arsyetimin se nuk e kishte deklaruar saktë sasinë e xeheve. Por, pas takimit me përfaqësuesit e kësaj kompanie, Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale ia kishte ulur obligimin Ferronikelit në vetëm 1.5 milionë euro. Më këtë punë është marrë edhe Kuvendi i Kosovës, të cilët në tetor të vitit 2023 kanë vendosur me e shkarku Bordin e KPM-së”- tha Prebreza.

Rrjedha si u hodh poshtë dosja e “Ferronikeli”-t për borxhin 9-milionësh

 

Dosja për tenderët e miqve të Vetëvendosjes 

Gjatë vitit 2023 Kallxo.com ka zbardhur disa tenderë e vendime të Ministrisë së Infrastrukturës të cilat krijuan favore për njerëzit e afërt me Vetëvendosjen.

Gazetari Egzon Dahsyla, ka treguar se si ka arritur të raportoj dhe hulumtoj tenderin për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë të cilin në një pjesë e ka fituar një mik i zv/ministrit Hysen Durmishi.

“Në vitin 2023 kemi pranu një raportim tjetër për tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë. Ky raportim tregonte se njëri prej miqve të zv/ministrit Hysen Durmishi e ka fitu njërin prej LOT-eve të këtij tenderi dhe në të ka pasur probleme në procedura. Kemi mbërri me e zbulu se tenderi është nënshkru edhe pse në Organin Shqyrtues të Prokurimit publik ka një ankesë. Ligji thotë që kur ka ankesa në OSHP tenderët nuk mund të nënshkruhen, por kjo procedurë është injoru në këtë rast”- ka thënë Dahsyla.

Ai ka treguar se hulumtimi i #KallxoPernime është konfirmaur nga OSHP. Ky organ ka gjetur parregullsi.  

“OSHP e ka konstatu se ministria ka bërë shkelje kur i ka nënshkruar kontratat, duke pasur ankesë aktive. Për këtë ka kërku që t’i revokohet certifikata zyrtarit të prokurimit të Ministrisë”- tha Dahsyla. Lexoni hulumtimin e plotë në link.

 

Një tjetër favorizim për njerëzit e Vetëvendosjes u konstatua në Malishevë 

Gazetari Valon Fana ka arritur ta dokumentoj që Ministria e Transportit është përdorur për të favorizuar persona që janë pjesë e Vetëvendosjes.

“Ne kemi mbërri me dokumentu se ministria e Liburn Aliut e ka ndryshu trasenë e rrugës qarkore të Malishevës vetëm që kjo trase me ju përshtatë interesave të familjarëve të Valon Hotit, zyrtarit të lartë Lëvizjes Vetëvendosje. Krejt ky proces është realizu larg syve të publikut dhe kur e kemi transmetu hulumtimin Ministria nuk na e ka ofru dokumentacionin. Edhe pse janë zotu që kanë me na e ofru këtë material, ne ende nuk e kemi marrë”- ka thënë Fana.

Hulumtimi zbuloi se vendimi prekte pronat e Muharrem Hotit, xhaxhai i Valon Hotit. Ky i fundit koordinator në Lëvizjen Vetëvendosje. Lexoni hulumtimin e plotë në link.

Hulumtimi tjetër i Kallxo.com ka të bëj me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Diasporës, gazetarja Antigona Isufi ka dokumentuar se si nga fondi për diplomaci qytetare një pjesë shkoi për kryetarin e degës së listës “Guxo”. 

Hulumtimi zbardhi se për 10 muaj, kryetari i Listës ‘Guxo’ në Gjermani, Berlind Gajraku do i marrë 1 mijë euro në emër të programit për “diplomaci qytetare” nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Ky fond është ndarë nga ministria që drejtohet nga bashkëpartiakja e tij, Donika Gërvalla- Schwarz.

“Ky fond menaxhohet nga Ministria e Jashtme dhe hulumtimi ynë ka tregu që një pjesë e parave nga ky fond kanë shku për Berlind Gajrakun, i cili është kryetar i Listës Guxo në Gjermani. Hulumtimi ka tregu që Gajraku ka me i marrë 10 mijë euro nga fondet publike të cilat i ndanë Ministria që e udhëheqë Donika Gërvalla që është drejtuese e partisë ku Gajraku bën pjesë”-  ka thënë gazetarja Isufi. Hulumtimin e plotë lexojeni në këtë link 

 

Dosja – RTK 

Mediana Halili, gazetare e Kallxo.com, ka monitoruar për një kohë të gjatë Bordin e Radio Televizionit të Kosovës. Si rezultat Halili ka arritur që në hulumtimin e saj të dëshmoj që në një konkurs disa gra kanë pasur presion të tërhiqen.

“Prej këtij monitorimi kemi zbulu se në drejtimin e televizionit janë vendosë financues të politikës, kemi raportu për gjuhë të papranueshme ndaj grave që punojnë në RTK, ndërsa më e rëndësishmja kemi faktu se në RTK ka pasur gra të cilat nuk janë leju të jenë në pozicionet udhëheqëse. Për hulumtimin tonë “Radio Televizioni i Burrave’ i cili ka dëshmu se Ilire Zajmi, Mihrije Beiqi dhe Flora Durmishi kanë pasur presione për t`u tërhequr nga konkurset e RTK-së ka pasur reagime publike nga mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë, ndërsa përgjegjësit janë thirrë në llogari publike disa herë” – tha Halili. 

Hulumtimet e plota:

Raportimi i KALLXO.com – MAPL konstaton se në Kuvendin e Vushtrrisë një asamblist votoi dy herë, anulohet procesi i votimit

 

Dosja – Beneficionet financiare të deputetëve

Arjana Berisha dhe Ilirjana Hoti dy gazetaret e Kallxo.com që raportojnë për punën e Kuvendit kanë rrëfyer për hulumtimet për shpenzimet e deputetëve. 

Mbi 40 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit drekat zyrtare të Kuvendit të Kosovës në gjashtë muajt e parë të vitit 2023. Këto dreka janë organizuar në disa prej restoranteve të vendit, derisa vetëm në njërën prej tyre janë shpenzuar mbi 3 mijë euro.

Gazetarja Ilirjana Hoti ka treguar edhe për shumat e parave që janë paguar për deputetët që nuk kanë shkuar në punë. “Pa dyshim që në hulumtimet për shpenzimet e Kuvendit, shuma më e madhe e parave që ka shku huq, ka qenë ajo për 10 deputetët e ri serb, që i kanë zevendësu ata që janë dorëhequr në nëntor të 2022-tës. Janë 9 deputetë të Listës Serbe dhe një i Iniciativës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Ata janë pagu 125 mijë euro dhe kanë marrë pjesë vetëm në një seancë. I bije se për 1 ditë pune në Kuvend një deputet i kësaj partie i ka marrë hiq më pak se 12 mijë e 500 euro” – tha Hoti.

Nëntë kandidatët nga Lista Serbe dhe një nga partia GI SPO që garuan në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, betimin si deputetë të Kuvendit të Kosovës e realizuan më 17 nëntor të vitit 2022. Hulumtimin e plotë në link.

Ligjvënësit e ri nga komuniteti serb erdhën pas dorëheqjes së dhjetë deputetëve paraprak të Listës Serbe, pas një vendimi të këtyre të fundit në nëntor 2022.

 

Dosjet e shëndetësisë 

Raportimet për problemet dhe keqpërdorimet në shëndetësi ishtin pjesë e përditshmërisë në Kallxo.com. 

Vlera Shabani, gazetare në Kallxo.com ka treguar për hulumtimin në Klinikën e Logopedisë në QKUK. Hulumtimi vë në pah se për një kontrollë në këtë klinikë, pritjet janë 1 vit.

“Gjatë këtij viti kemi dashtë me e tregu një anë tjetër të menaxhimit të QKUK-së e me dokumentu çka ju thuhet pacientëve që i drejtohen QKUK-së për me marrë shërbime. Prandaj, kemi shku atje dhe kemi kërku me caktu termin për kontroll te logopedi. Stafi na kanë thënë që duhet me pritë plot 365 ditë për këtë termin”- ka thënë Shabani.

Ajo ka treguar se pamjet e shfaqura kanë ndikuar në ngritjen e një debati publik mbi këtë temë ndërsa formati është vazhduar edhe në klinikat e tjera.

“Ngjashëm kemi vepru edhe me infrastrukturën. Kemi shku në QKUK, i kemi pyet stafin për kushtet e vështira, për dëmet në dysheme e për krevatet e dëmtuara. Me këto pamje kemi mbërri me e tregu një anë tjetër të menaxhimit të QKUK-së dhe kemi dëshmu se pasojat e abuzimit vazhdojnë me i vuajt pacientët”- ka thënë Shabani.

Gazetari Shqipron Xhema ka rrëfyer për hulumtimin tjetër i cili dëshmon se miliona euro janë shpenzuar për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt i cili nuk është funksional.

“Me hulumtimin për Spitalin e Ferizajt kemi dashtë me ju tregu publikut se qysh shkojnë paret e shtetit poshtë dhe askush nuk jep llogari. Kemi gjetë që objekti është i planifikuar keq është i ndërtuar keq, e më e rënda objekti po dëmtohet çdo ditë pasi është lënë pa mbikëqyrje”- ka thënë Xhema.

 

Miqt e Vetëvendosjes në krye të shëndetësisë

Gazetarja Vlera Shabani ka rrëfyer se si ka arritur të dokumentoj se shoku i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Elvir Azizi është emëruar drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së.

“Kemi raportu se Elvir Azizi, shoku i studimeve të ministrit Arben Vitia, që bazuar në foto që kanë publiku, kanë vazhdu me e ruajt shoqninë edhe pas shumë viteve, është përzgjedh drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së. Në këtë konkurs, anëtare e komisionit vlerësues ishte emëruar shoqja e ngushtë e bashkëshortes së Azizit. Pas interesimit të KALLXO.com për këtë konflikt të mundshëm të interesit, kjo anëtare ishte dorëhequr nga kjo pozitë, edhe pse pati thënë që nuk e sheh si konflikt dhe pyetjet tona i kishte cilësuar si presion medial”- tha Shabani. Lexoni hulumtimin e plotë në link.

 

Dosjet e Diskriminimit

Gazetari Valon Fana ka treguar për hulumtimet për diskriminimin në arsim Ai ka treguar për vizitën në 21 shkolla për të parë se sa po respektohen ligjet dhe a ndjekin ato politika kundër diskriminimit.

“Të dhënat që i kemi nxjerrë na tregojnë që shkollat dhe universiteti janë hapësira ku komunitetet jo shumicë dhe personat me aftësi të kufizuar janë të diskriminuar, ndërsa gratë janë të përjashtuara nga vendimmarrja në shumë prej institucioneve. Ky hulumtim ka shpërfaqë defektet e secilit institucion veç e veç dhe ka ofru prova se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian janë krejtësisht të përjashtuar nga përfshirja e tyre në punësim, në shkolla dhe universitet”- tha Fana.

Gazetarja Arbrita Uka ka arritur të dokumentoj që për shkak të varfërisë, nxënësit nga komunitetet jo shumicë në zonën e Obiliqit po e braktisin shkollën.

“Në shtator të këtij viti, kemi arrit me dokumentu që për shkak të varfërisë dhe kushteve të vështira të jetesës nxënës të komunitetit joshumicë (rom) që jetojnë në zonën e Obiliqit po i braktisin shkollat. Kur kemi gjurmu më thellë kemi nxjerrë të dhëna se kjo braktisje po ndodhë për shkak se nxënësit po marrin para për të ndjekur mësimin në shkollat në gjuhën serbe që funksionojnë në atë zonë. Hulumtimi që e kemi publiku e ka alarmu krejt sistemin arsimor dhe komunën e obiliqit. Drejtoresha e shkollës e ka vizitu familjen e këtyre fëmijëve, me qëllimin që t’iu kërkoj kthimin e fëmijëve në shkollë, ku kanë mësuar më parë. Drejtoria e Arsimit i ka bërë thirrje organeve shtetërore që të merren me këtë çështje, ndërsa ministrja e Arsimit e ka quajtur ndërhyrje brutale të Serbisë për të instrumentalizuar qytetarë që janë në gjendje më të vështirë ekonomike”- tha Uka.

Hulumtimi i plotë: 

Si po i rekruton shkolla serbe fëmijët e komuniteteve joshumicë në Obiliq?

 

Dosjet për ndikimin rus

Në mesin e hulumtimeve që janë realizuar gjatë këtij viti është edhe hulumtimi mbi ndikimin e dezinformatave në Kosovë.

Redaktorja Emirjeta Vllahiu ka thënë se ky hulumtim është realizu duke i monitoru 100 media në Kosovë.

“Ndërsa ka nxjerrë të dhëna se Kosova është e ndikuar nga dezinformatat që vijnë nga Rusia e Kina. Pjesë e rëndësishme e këtij hulumtimi janë edhe të dhënat se politikanët shpërndajnë dezinformata dhe këto dezinformata kanë për qëllim nxitjen e konflikteve në Kosovë. Të dhëna të tjera kanë dëshmu se mediat në Kosovë nuk kanë kapacitete me i trajtu dezinformatat, ndërsa më e rëndësishmja as vet shteti nuk ka kapacitete me i trajtu dezinformatat sidomos ato që vijnë nga Rusia”- tha Vllahiu.

Përpos publikimit, ekipi ka mbërri me i identifiku edhe platformat ku janë shpërnda lajmet e rreme. 

“Të dhënat që i kemi siguru tregojnë që këta 650 artikuj janë shpërnda në më shuma se 10 mijë herë nga faqe të ndryshme në rrjetet sociale, përfshirë Facebook, Instagram e Tik-tok”- ka thënë gazetarja Ilirjana Hoti.

 “Një element i rëndësishëm është impakti që e kanë pasë publikimet në Krypometër. Për shkak se mediat e kanë pa që kanë gabu kur i kanë publiku rrenat në më shumë se 100 raste gjatë këtij viti jemi njoftu se mediat i kanë pranu gabimet dhe kanë vendosë me i përmirësu gabimet e tyre dhe materialet janë korrigju”- ka thënë gazetarja Arjana Berisha.

 

Viti i sulmeve ndaj gazetarëve

Sulme fizike, rrahje, dëmtim i pajisjeve, etj., janë vetëm disa nga rastet e raportuara gjatë 2023-ës, në të cilat raste viktima ishin stafi i Kallxo.com.

Afrim Ejupi, kameraman në Kallxo.com ka rrëfyer që disa herë është kërcënuar gjatë punës në terren.

“Gjatë punës që e kemi bo në terren është dashtë disa herë me e ndal kamerën e me shku në Polici, sepse nuk na kanë lanë me punu. Shembull jemi kërcënu prej një biznesmeni në Vushtrri vetëm pse kemi kërku që ai me na dhanë kuponin fiskal. Po normalisht situatat ma të rënda kanë qenë në veriun e Kosovës ku jemi sulmu fizikisht dhe seriozisht kemi qenë të rrezikuar gjatë çdo vizite atje”- ka thënë Ejupi.

Ndërsa gazetarja Adelina Ahmeti ka treguar që tashmë janë disa raste duke u trajtuar nga organet e drejtësisë për kërcënimet ndaj gazetarëve të Kallxo.com.

“Janë disa raste që tash janë duke u trajtu në krimet rënda e që lidhen me sulmet ndaj nesh. Unë jam sulmu në Leposaviq fizikisht dhe sulmi ka qenë shumë serioz, perveç sulmit fizik kemi pas edhe rast që kemi hap në polici për rastin kur veturës me të cilën kemi udhëtu drejtë Leposaviqit me raportu për protestat dhe situatën, i janë shpu gomat por edhe në të janë shënu simbole nacionaliste serbe, rasti ka qenë i hapur për nxitje e përçarje, por prapë keto situata të cilat i kemi përjetu gjatë kohës sa ishim duke raportu nuk na kanë ndalu me u rikthy sërish në atë zonë dhe me vazhdu punën tonë”- tha Ahmeti. 

Producenti dhe kameramani Valdet Salihu ka rrëfyer për kërcënimet dhe rreziqet gjatë punës në terren në veriun e vendit.

“Prej vitit 2012 kam qenë i përfshirë në hulumtimet për kontrabandën dhe krimin e organizuar në veri. Ajo zonë gjithmonë ka qenë e rrezikshme dhe është dashtë me u kujdes shumë kur je nisë me shku atje. Ajo çka 2023-ën e ka dallu në veri ka qenë urrejtja e skajshme për gazetarët dhe kjo ka rezultu me sulmet direkte që i kanë pasë gazetarët atje” – thotë Salihu.

Gazetarja Shkodrane Dakaj ka rrëfyer për ditën e 29 majit që e ka cilësuar si më të rëndën gjatë raportimit për protestat në katër komunat me shumicë serbe. 

“Situata ma e rëndë ka qenë e 29  majit, jemi nisë për me e përcjellë një protestë të qetë dhe kemi përfundu të zënë peng për ma shumë se 3 orë në një zonë ku asnjë rrethanë nuk ka qenë në favorin tonë. Nuk kemi mujt me pasë ushqim sepse nuk na kanë shitë ushqim, nuk ka pasë valë të telefonit e ma e keqja nuk ke pasë as ku me u mbështetë sepse policia ish larg prej nesh. Pas krejt atyre shpërthimeve, bombave, plumbave e lotsjellësit, na është dashtë me hipë 8 gazetarë me një veturë për me mbërri me kalu në një zonë më të sigurtë”- tha Dakaj. 

Kameramani Naser Fejza ka rrëfyer për punën e tij gjatë protestave në katër komunat me shumicë serbe ku u sulmuan policia dhe KFOR-i nga protestuesit.

“Ngjarjen që ndodhi në Zveçan në muajin maj të këtij viti, ku u sulmua Policia e Kosovës dhe njësitet e KFOR-it, në vazhdimësi kemi me e përdorë për me ju tregu kameramanëve të rinj se qysh duhet me u bo puna në situata të rrezikshme dhe qysh duhet me u përgatit e me u vendosë në zonë të sigurtë për me siguru filmime cilësore. Arma dhe mbrojtja më e mirë për një kameraman është kamera. Atë ditë jam siguru që kamerën ta kem gjithmonë të ndezur dhe të drejtuar nga zona ku po zhvillohej ngjarja. Kjo na ka mundësu me i pasë filmimet e krejt ngjarjes dhe me dokumentu dhunën që ka ndodhë atë ditë”- tha Fejza.

Zyrtari ligjor i Kallxo.com, Labiont Leposhtica ka treguar për paditë që janë bërë ndaj ekipeve të Kallxo.com.

“Përpos sulmeve fizike që kolegët tanë i kanë pasë edhe këtë vit kemi vazhdu me u përballë me sulmet indirekte dhe paditë SLAP që janë drejtu ndaj ekipit tonë. Këtë vit kemi mbërri me argumentu edhe në praktikë se këto padi janë SLAP pasi në tri raste gjykata ka vendosë me i hedhë poshtë vendimet dhe me i dhanë të drejtë ekipit tonë”- thotë Leposhtica.

 

5 gazetarët e Kallxo që fituan çmime

Antigonë Isufi fitoi çmim për storien më të mirë për Edukim dhe Hulumtim nga Zyra Rajonale për Bashkëpunimin e Jurisë RYCO.

Kreshnik Gashi fitoi vendin e parë nga Bashkimi Evropian për storien më të mirë hulumtuese sivjet për hulumtimin Blerja e Kryeprokurorit.

Behar Mustafa fitoi çmimin për Storien Televizive më të mirë nga Asociacioni i Gazetarëve për hulumtimin ‘Korrupsioni në Brezovicë’.

Valon Fana fitoi çmimin për storien më të mirë nga Asociacioni i Gazetërve për hulumtimin “Mungesa e Investimeve në Trepcë”.

Adelinë Ahmeti fitoi çmimin për storien më të mirë nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve për ‘Dosjen e Krimit për sulm seksual’ dhe vetëm si pasojë e këtij hulumtimi të publikuar, është ngritur aktakuza ndaj një të akuzuari për sulm seksual.