Arkiv: Ish deputetët e Listës Serbe Igor Simiq dhe Slavko Simiq

125 mijë euro paga për 10 deputetët serbë që shkuan veç një ditë në Kuvend

Që kur u betuan në nëntor të vitit të kaluar, dhjetë deputetët e rinj serbë kanë marrë pjesë vetëm edhe në një seancë tjetër në muajin prill. Mungesa e deputetëve në gjashtë muaj sipas Kushtetutës rrezikon humbjen e mandatit të tyre. Kjo seancë i kushtoi buxhetit mbi 125 mijë euro.

Nëntë kandidatët nga Lista Serbe dhe një nga partia GI SPO që garuan në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, betimin si deputetë të Kuvendit të Kosovës e realizuan më 17 nëntor të vitit 2022.

Ligjvënësit e ri nga komuniteti serb erdhën pas dorëheqjes së dhjetë deputetëve paraprak të Listës Serbe, pas një vendimi të këtyre të fundit në nëntor të vitit të kaluar.

Si pasojë e situatës politike të krijuar në vend, në nëntor të 2022-tës, kryetari i LS-së, Goran Rakiq asokohe kishte deklaruar se serbët do largoheshin nga të gjitha institucionet politike – Kuvendi, Qeveria dhe katër komunat, por edhe nga institucionet e drejtësisë, policia dhe administrata në Kosovë.

Pas betimit, deputetët serbë kanë marrë pjesë në një seancë më datën 6 prill 2023, pikërisht në kohën kur po i afrohej gjashtë mujorit të mospjesëmarrjes në Kuvend. Që nga prilli deri në fund të sesionit pranveror, Kuvendi ka mbajtur edhe 23 seanca tjera.

Sipas nenit 70 të Kushtetutës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse mungon në seancat e Kuvendit gjashtë muaj rresht.

Por, pavarësisht mungesave, deputetëve serbë rroga mujore iu ka ecur normalisht ashtu si deputetëve të tjerë.

Sipas të dhënave nga Kuvendi i Kosovës, 10 deputetët, për këta muaj kanë marrë mbi 12 mijë euro pagë totale secili.

Ndonëse janë shfaqur vetëm një herë që nga betimi, pagat e tyre në total i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës, 125,460 euro.

Mëditja e seancës së 6 prillit, ishte kërkuar që të ju hiqet nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili sjelljen e tyre e kishte quajtur si të pa përgjegjshme.

“Ajo që bëri Lista Serbe sot me ardhjen pas 5 muajsh e sa ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është sjellja më e papërgjegjshme që mund ta shohim këtu në Kuvendin e Republikës, ata qëndruan më pak se 10 minuta dhe dolën menjëherë, andaj kërkoj sot nga administrata që të privohen nga mëditjet e sotme”- kishte deklaruar kryeparlamentari.

“Qytetarët nga komuniteti serb, pa përfaqësim politik”

Njohës të punës së Kuvendit, ushtrimin e bojkotit e shohin si mjet politik, megjithatë kjo formë e zgjedhur nga këta deputetë, sipas tyre po i cenon parimet demokratike.

Ata thonë se kësisoj po privojnë qytetarët nga komunitetet jo shumicë nga përfaqësimi i interesave të tyre në Kuvend.

Xhavit Shala, njohës i Kushtetutës së Kosovës thotë se përfaqësimi i qytetarëve në Kuvend, është një nga obligimet dhe privilegjet që fitohet me votë nga qytetarët dhe e gjithë përgjegjësia  është ndaj tyre dhe institucionit.

“Të qenit deputet në demokraci nuk është vetëm privilegj por është edhe përfaqësim, mundësi të cilën duhet me përfaqësu sepse zëri i atyre qytetarëve pa marrë parasysh se sa vota i ka marrë një deputet ose deputete, prandaj në rastet konkrete kur deputeti mungon në seanca, nuk merr pjesë me e përfundu mandatin e tij si deputet ashtu siç e ka dhënë betimin, është përgjegjësi e tij, por edhe ndaj votuesve të tij”- thotë Shala.

“Në rastin konkret përfaqësuesit apo deputetët që vijnë nga një subjekt politik që është Lista Serbe, vërtetë shtrohet pyetja se këta deputetë a përfaqësojnë atë shoqëri, atë komunitet por edhe votuesit e tij?”- shton ai.

Përveç mungesës së përfaqësimit politik, ai vlerëson se mungon edhe zëri i qytetarëve dhe ngritja e shqetësimeve dhe halleve me të cilat përballen ata si votues të kësaj partie që i përfaqëson këtë komunitet.

“Me sa kam informata nëse i shohim shumica janë nga pjesa veriore ndërsa gjashtë komuna që janë në pjesën tjetër, ku është zëri i tyre, kush do i ngritë shqetësimet dhe hallet e tyre, apo kush do i mbron interesat e tyre në kuadër të normave të cilat nxirren ose prodhohen nga ky organ edhe pjesëmarrja në këto institucione në këtë rast në Kuvend” –  thotë ai.

Ndërkaq, nga Instituti Demokratik i Kosovës thonë se bojkotimi i seancave nga këta deputetë ka efekt zinxhiror.

“Për më tepër, mospjesëmarrja e deputetëve nga subjektet e lartpërmendura ka efekt zingjiror edhe në mosfunksionim e Komisionit parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, duke e lënë këtë organ pa kuorum dhe pa vendim-marrje” – thuhet në një reagim të KDI-së.

KDI thekson se këta deputetë e kanë obligim që të marrin pjesë në seancat plenare dhe në trupat tjerë të Kuvendit në të cilat ata janë anëtarë.

“Sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjore në fuqi, deputetët, të zgjedhur përmes votës qytetare janë përfaqësues të Popullit dhe e kanë obligim që të marrin pjesë në seancat plenare dhe në trupat tjera të Kuvendit, në të cilat ata janë anëtarë” – janë deklaruar nga KDI-ja.

Si zgjidhje të këtij problemi, eksperti Shala konsideron që udhëheqësi e Kuvendit duhet të bëjë ftesa publike dhe jo publike dhe të fillojë dialogun me këta deputetë.

“Këtu konsideroj që duhet të ndërmerret qoftë në aspektin publik dhe jo publik që me fillu përfaqësuesit, në këtë rast udhëheqësit e këtyre institucioneve me ftesa publike dhe jo publike me fillu dialogun me tregu se ka është rruga, me tregu dhe me bë publike që me ditë qytetarët edhe të shumicës por edhe të komuniteteve a kanë vullnet me ardhë apo jo”- vlerëson ai.

Gjithashtu, si rrugë dalje, eksperti i Kushtetutës potencon se edhe faktori ndërkombëtar mund të jetë më aktiv duke bërë presion dhe ndikuar në rikthimin e deputetëve serb nëpër seancat e Kuvendit.

Ndërkaq nga KDI-ja, u është bërë thirrje deputetëve nga subjektet në fjalë, që sa më parë t’i kthehen ushtrimit të funksionit të plotë të tyre duke vënë në plan të parë përfaqësimin e interesave të qytetarëve dhe llogaridhënien para zgjedhësve të tyre.

Dhjetë deputetët paraprak të Listës Serbe (LS) kishin zyrtarizuar dorëheqjet e tyre nga mandati i deputetit në Kuvendin e Kosovës, në fillim të nëntorit të 2022-tës.

Deputetët që kanë dorëzuan dorëheqjen ishin: Slavko Simiq, Adem Hoxha, Igor Simiq, Miljana Nikoliq, Zoran Mojsiloviq, Verica Ceraniq, Branislav Nikoliq, Milosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq, Jasmina Dediq dhe Dragana Antonijeviq.

Kjo dorëheqje erdhi pas një takimi në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur  në Zveçan, pati njoftuar për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq kishte thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.