Mijëra dinarë nga Serbia për tre avokat nga Kosova, faturat nga Graçanica u dërguan me postë në Leposaviq 

Në gjuhën serbe e me vulë nga institucionet serbe u gjetën dosjet që dëshmojnë se si avokatët nga Kosova u paguan nga Qeveria e Serbisë për të mbrojtur qytetarë serb të Kosovës.

Këto dokumente, përfshirë këtu fatura e vendime të ndryshme, dëshmojnë që Qeveria e Serbisë – saktësisht e ashtuquajtura “Zyra për Kosovën” – dhanë para për avokatët e Kosovës, të cilët mbrojtën klient të ndryshëm në kontekste gjyqësore.

Në dosjet që siguroi KALLXO.com, e detajet e së cilave po transmetohen në emisionin e sotëm “Pagat nga Serbia” në Kallxo Përnime, bëhen të ditura edhe shifrat me të cilat u paguajtën avokatët Asdren Hoxha, Faruk Korenica e edhe ish-kryeprokurori i Mitrovicës, tashmë edhe ai avokat, Shyqyri Syla.

E në disa raste, faturat për shpenzimet që bën avokatët fillimisht u dërguan në Graçanicë, e më pas kaluan tek strkururat paralele serbe në Leposaviq.

Me dhjetëra e mijëra dinarë serb pagoi Qeveria e Serbisë për këta avokatë. Të njëjtit kanë nënshkruar e vulosur dokumentet që në to mbajnë edhe logo të institucioneve serbe e atyre paralele serbe këtu në Kosovë.

Një vulë, një emër, një mbiemër e një nënshkrim – janë të vetmet fjalë që mund t’i lexosh në shqip në shumicën e dokumenteve që posedon KALLXO.com e që dëshmojnë punën e avokatëve Syla, Hoxha e Korenica, përjashto këtu procesverbalet e Gjykatës Themelore në Prishtinë në të cilën u trajtuan rastet.

Lidhur me këto dëshmi që u gjetën, KALLXO.com kontaktoi me organet kompetente këtu në Kosovë, por edhe me Qeverinë e Serbisë.

Të vetmit që u përgjigjen për këto raste ishin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special të së cilës edhe trajtohen rastet në fjalë.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se përfaqësimi i të pandehurve rrjedh nga autorizimi në mes të palëve dhe kjo është çështje personale në mes tyre. Për më shumë mund ti drejtoheni Odës së Avokatëve të Kosovës” – tha për KALLXO.com zëdhënësja pranë kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.

Të kontaktuar ishin edhe Oda e Avokatëve, por që nga ta deri në momentin e publikimit të këtij hulumtimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk u mor as nga Prokuroria Speciale e as nga Qeveria e Serbisë.

Dokumentet që po ruhen në objektin e Komunës së Leposaviqit, në arkiven e kësaj komune – në të cilën deri para majti dy kate shfrytëzoheshin nga struktura paralele serbe e dy të tjera nga ana e Komunës së Leposaviqit, asaj të ligjshmes.

KALLXO.com përmes një kërkesë për qasje në dokumente publike arriti që të ketë në duar dhjetëra dosje të ndryshme, jo vetëm për avokatet, por edhe shumë keqpërdorime të tjera që ndodhën ndër vite në këtë komunë.

Për këto keqpërdorime ekipi fillimisht u informua nga disa punëtor serb që aktualisht mbajnë pozita brenda komunës, e më pas në këtë objekt u kontrolluan dosjet të cilat zbardhin të gjetura interesante për punën e kryer tash e një kohë nga udhëheqësit e mëparshëm të kësaj zone.