voto voto

Raportimi i KALLXO.com - MAPL konstaton se në Kuvendin e Vushtrrisë një asamblist votoi dy herë, anulohet procesi i votimit

Ministria e Pushtetit dhe Administratës Publike ka anuluar procesin e dyshimtë të votimit në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë për të cilin KALLXO.com ka raportuar të premten.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë të mbajtur, më 27 tetor 2022 dyshohet se në pikën e rendit të ditës për ndërtimin e lapidarit në fshatin Pasomë është votuar në vend të dy asamblistëve të cilët nuk kanë qenë në sallë.

MAPL në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kanë konstatuar se gjatë procesit të votimit një anëtar ka votuar dy herë.

“Bazuar në raportin e monitorimit të mbledhjes është konstatuar se për miratimin e vendimit për ndërtimin e lapidarit në fshatin Pasom, një (1) anëtar i Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë ka votuar dy (2) herë”- thotë MAPL.

Kjo ministri ka theksuar se procesi i votimit është manipuluar dhe aktetet e votuara në këtë proces do të shpalljen jo të ligjshme.

“Duke pasur parasysh së votimi për piken e rendit të ditës ku procesi i votimit është manipuluar, aktet e votuara në këtë proces do të shpallen jo të ligjshme. Çështjet që kanë të bëjnë me manipulim të procesit të votimit kur një (1) anëtar i Kuvendit të Komunës, kundërligjshëm voton dy (2) herë gjatë miratimit të akti të Kuvendit të Komunës janë kompetencë e organeve tjera”- thuhet në përgjigjen e MAPL.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar për KALLXO.com se në lidhje me këtë rast kanë udhëzuar Policinë e Kosovës që të grumbullojnë informacione.

Dyshimet se në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë u votua në vend të asamblistëve të PDK-së  që nuk ishin në sallë