Pse u hodh poshtë vendimi i ARBK-së për Klan Kosovën?

 

Opinioni në Kosovë u përfshi në një debat të gjerë pas njoftimit se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, kishte marrë vendim që të pezullonte certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA – SHPK”.

Klan Kosova njëri nga televizionet më të mëdha në vend rrezikonte të mbyllej nëse ky vendim do bëhej i formës së prerë. Por gjykata e cila trajtoi çështjen konstatoi se qeveria nuk ka kompetencë të pezullojë veprimtarinë e bizneseve.

ARBK, një mekanizëm që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë vendosi të marrë këtë vendim pasi zbuloi se biznesi ishte regjistruar me një adresë që nuk e njihte shtetin e Kosovës.

Pronari i mediumit Kushtrim Gojani, sipas njoftimit e kishte regjistruar biznesin duke përdorur një pasaportë të Serbisë e cila adresën e banimit e shënonte si “Pejë – Serbia, Gjakovë – Serbia”.

Sipas të dhënave Klan Kosova ishte regjistruar në Kosovë, ndërsa në vitin 2021 biznesi u transferua në pronësi të një biznesi në Maqedoninë Veriore. Biznesi në Maqedoninë Veriore ishte regjistruar në emër të Kushtrim Gojanit, i cili biznesin e kishte regjistruar duke përdorur pasaportë të Serbisë e cila adresën e banimit të tij e shënonte si “Gjakovë – Serbia”.

Kur këto të dhëna ishin konstatuar, ARBK në procedurën e saj vendosi ta pezullonte certifikatën e biznesit “KLAN Kosova” me pretendimin se kjo ishte shkelje e ligjit dhe shkelje e parimeve të kushtetutës.

Klan-i ankimoi vendimin por komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve vendosi që ta mbante në fuqi vendimin e vet.

Sipas ligjit në fuqi çështjet e tilla mund të ankimohen në Gjykatën Komerciale dhe Klan-i ndoqi këtë rrugë.

Muaj më vonë gjykata nxori vendimin me të cilin konstatoi se procedura e ndjekur nga Ministria ishte në kundërshtim me ligjin.

Gjykata në vendimin e saj konstatoi se ARBK nuk kishte kompetencë për të nxjerrë një vendim të tillë dhe se procedura e ndjekur nuk ishte ligjore.

Gjykata konstatoi se vendimi për pezullimin e licencës ishte arbitrar pasi drejtori i ARBK-së nuk ka kompetencë ligjore për të bërë një gjë të tillë.

Gjykata gjeti se i padituri në mënyrë arbitrare ka pezulluar certifikatën e biznesit të paditësit “Klan Kosova”, thuhej ndër të tjera në aktgjykim.

Madje aty thuhet se asnjë dispozitë ligjore nuk përcakton mundësinë e pezullimit të certifikatës së biznesit por vetëm mbylljen e biznesit me dëshirën e aksionarit apo rastet kur mbyllja ka ardhur si pasojë e një procesi ligjor të zhvilluar në gjykatë.

Në vendim gjykata përmend se bizneset mbyllen vetëm nëse janë hasur duke kryer vepra penale.

Në pretendimet tjera MINT kishte përmendur se Klan Kosova ka cenuar rendin juridik të Republikës, duke paraqitur Komunën e Pejës dhe Komunën e Gjakovës nën administrimin e Republikës së Serbisë.

Në vendimin e gjykatës ky pretendim nuk u konstatua pasi gjykata vlerësoi se i padituri me rastin e regjistrimit të ndryshimeve në biznes, ka pasur mundësi që të refuzonte regjistrimin e biznesit në këtë formë.

Gjykata konstatoi në vendimin e saj se në situata të tilla ARBK ka të drejtë vetëm të kërkojë korrigjimin e të dhënave në aplikacion.

Në rrafshin e rrethanave faktike Gjykata ka konstatuar se nga Aplikacioni për regjistrimin e ndryshimeve në biznesin “Klan Kosova – SH.P.K” i datës 21.06.2023, paditësi ka paraqitur aplikacionin për ndryshimin e të dhënave të pronarit të fundit, pronarit fizik Kushtrim Gojani, ndryshim i cili ka të bëjë me ndërrimin e pasaportës në informatat e biznesit tek “KGO Media Investments” DOOEL, si dhe korrigjimi i adresës, ashtu që është kërkuar që të bëhet zëvendësimi i pasaportës së Republikës së Serbisë me pasaportën e Republikës së Kosovës, si dhe ndryshimi i adresës së vendbanimit.

Nga Vendimi mbi korrigjimin e të dhënave personale i nxjerrë nga “Klan Kosova – SH.P.K” i datës 20.06.2023, gjykata konstaton se paditësi ka bërë korrigjimin e të dhënave personale, në kuptim të ndryshimit të pasaportës së pronarit Kushtrim Gojani.

Sipas vlerësimit të kësaj gjykata ka konstatuar se vendimet e nxjerra nga MINT në procedurë administrative kanë rezultuar të kundërligjshme, sepse pala e paditur nuk e ka aplikuar drejtë Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe Ligjin për Shoqëritë Tregtare.

Gjykata po ashtu ka konstatuar se shoqëria “KGO Media Investments – LLCSP”, është shoqëri tregtare e regjistruar në Maqedoninë e Veriut më datë 24.03.2016, në pronësi të Kushtrim Gojanit, i cili sipas pasaportës së lëshuar nga Republika e Serbisë kishte adresë të regjistruar në Gjakovë, Serbi, ndërsa sipas ndryshimeve të bëra më datë 20.06.2023 është bërë ndryshimi i adresës në Gjakovë – Kosovë.

Gjykata Komerciale u themelua në vitin 2022 me qëllim që investitorët në Kosovë të përfitojnë nga shërbime më të shpejta gjyqësore.

Kjo veçanërisht duke marrë parasysh se edhe vetë Këshilli Gjyqësor i Kosovës që shërben si menaxher i sistemit gjyqësor në Kosovë, evidenton që një kohë të gjatë vit pas viti mbingarkesën me lëndë dhe atë me theks të veçantë lëndë të natyrës civile.

Kjo gjykatë e re trashëgoi plotë 10,000 lëndë, ndërkohë që deri në tetor të vitit 2023 pranoi 3,800 lëndë të reja.