Cilat dezinformata u shpërndanë për diasporën?

Informacione të rreme të cilat prekin diasporën kanë zënë vend në “wall-et” e lexuesve gjatë vitit 2023 e 2024. Krypometeri si anëtar i Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN) ka arritur që të verifikojë dhe demantojë disa prej këtyre informacioneve përmes ofrimit të fakteve. 

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në vitin 2023, remitancat apo dërgesat financiare të mërgimtarëve në Kosovë kaluan 1.3 miliard euro përkatësisht 1 miliard e 343.4 milionë euro.

Lidhur pikërisht me këto shifra, më 10.02.2024 faqja në Facebook ‘Komente Politike’ ka publikuar një fotografi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe një citat që gjoja është thënë nga ai, që thotë: “Kemi dyshime për prejardhjen e parave qe po i sjellin mërgimtarët në Kosovë”.

Për të vërtetuar këtë konstatim, Krypometër ka kërkuar të gjitha postimet në të cilat është përmendur diaspora që i ka bërë Albin Kurti në profilin e tij në Facebook që nga zgjedhja e tij si kryeministër.

Në asnjë prej postimeve të bëra nga kryeministri Albin Kurti, nga data 22.03.2021 e deri më datën 10.02.2024, nuk është publikuar ndonjë deklarim i tillë çfarë është postuar në faqen në Facebook ‘Komente Politike’.

Përveç kësaj, Krypometër ka kontaktuar me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës për të verifikuar nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ka “dyshime për prejardhjen e parave që po i sjellin mërgimtarët në Kosovë”.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se është “absolutisht e pavërtetë” për pretendimin se Kurti e ka thënë një gjë të tillë. Sipas tij, qëndrimet e Kurtit për diasporën janë publike.

Diaspora ka një kontribut të drejtëpërdrejtë në ekonominë e Kosovës, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, duke dërguar mjete monetare dhe gjësende të vlefshme apo duke investuar në blerje të patundshmërive apo hapjen e bizneseve si dhe duke shpenzuar gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.

Më 10.02.2024, faqja e njëjtë në Facebook “Komente Politike” ka publikuar një fotografi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me përshkrimin: “Albin Kurti: Mërgimtarët kurrë nuk e kanë ndihmuar shtetin tonë, por vetem familjet e tyre”

Kryepometri ka kontaktuar zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu, lidhur me këtë çeshtje, i cili ka thënë se raportimi është i rrëmë.

Për të vërtetuar këtë konstatim, Krypometër ka kërkuar të gjitha postimet në të cilat është përmendur diaspora që i ka bërë kryeministri Albin Kurti në profilin e tij në Facebook. Në asnjë prej postimeve të bëra nga kryeministri Albin Kurti, nga data 22.03.2021 e deri më datën 10.02.2024, nuk është postuar ndonjë deklarim i tillë çfarë është postuar në faqe. 

Pas liberalizimit të vizave për Kosovën më 01.01.2024 janë shpërndar informacione të rreme, të cilat japin numra të qytetarëve të cilët po emigrojnë nga Kosova në shtetet e tjera. Por këto lajme janë shpërndarë pa fakte dhe të dhëna të sakta. 

Më 18.02.2024 faqja e internetit ‘atdheulajm’ publikoi një artikull me titull “Do të habiteni sa është numri i atyre që ikin në Perëndim!”. Brenda artikullit është një video në të cilën flitet për numrin e personave që kanë kërkuar lirim/heqje dorë nga shtetësia e Kosovës. Por, në këtë artikull dhe video, në asnjë vend nuk tregohet se sa është numri i qytetarëve që ikin në perëndim.

Faqja e Facebook-ut “Komente Politike” (arkiva) më 08.04.2024, ka publikuar një fotografi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me citatin: “Do të kërkoj nga të gjitha vendet e BE-së, që mërgimtarët tonë ti kthejnë në Kosovë. Mjaft kanë punuar në shtetet armike të Kosovës!!! Albin Kurtoviq”.

Në lidhje me këtë, Krypometër ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili e ka mohuar që diçka e tillë është thënë nga ana e kryeministrit Kurti.