Këshilltari me ‘stupc’ i Konjufcës - Rrahu bashkëshorten dhe mori vetëm vërejtje gjyqësore

Këshilltari i Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Drilon Gashi është i dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës për lëndim të lehtë trupor ndaj gruas së tij.

Drilon Gashi është dënuar nga Gjykata pasi që më 30 dhjetor 2017, në prag të vitit të ri të 2018, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij me grushte dhe e kishte goditur me dru.

Ndonëse kishte sulmuar bashkëshorten  tij me grushte dhe e kishte goditur me dru, Gjykata i kishte shqiptuar vetëm vërejtje gjyqësore.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës që është publik në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Drilon Gashi, që për një kohë kishte qenë imam, pas një mosmarrëveshje për çështje familje me bashkëshorten e tij, kishte ushtruar dhunë fizike duke e goditur me grusht në kokë si dhe me një dru në kofshë, me ç’rast i ka shkaktuar dëme të përkohshme trupore.

Lidhur me këtë dhunë të ushtruar, ish-imamit nga Peja i ishte shqiptuar vetëm vërejtje gjyqësore.

Sipas dosjes së gjykatës së vitit 2018, i njëjti e ka pranuar fajësinë dhe kishte ndjerë keqardhje për atë që ka ndodhur.

Pendesën e tij, Gjykatësi Sejdi Blakaj e kishte marrë si rrethanë lehtësuese për shqiptimin e dënimit.

Ndër të tjera, gjykata kishte marrë parasysh edhe “qëndrimin korrekt në gjykatë, gjendjen ekonomike e familjes, dhe përmirësimi i raporteve me të dëmtuarën – bashkëshorten.

Drilon Gashi është i angazhuar si këshilltar në kabinetin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, këtë e ka konfirmuar Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.

“Po Drilon Gashi deri më sot vazhdon të jetë në pozitën e këshilltarit dhe i kemi pa lajmet” – tha ai shkurtimisht.

KALLXO.com ka telefonuar edhe Drilon Gashin, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Të njëjtin i kanë shkuar edhe pyetjet me shkrim. Nuk dihet nëse vendimi i Gjykatës për vërejtje gjyqësore është apeluar nga Gashi.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu por ajo nuk ka pranuar të flas për këtë çështje përmes telefonit, duke kërkuar që pyetjet t’i adresohen përmes e-mailit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, fotografi i kryeparlamentarit Konjufca, Gerolld Nikoliqi ishte arrestuar për veprën penale “Dhunë në familje”.

Arrestohet fotografi i kryeparlamentarit Konjufca, dyshohet për dhunë në familje