Si u ndryshua traseja e rrugës transit në Malishevë në pronën e familjarit të zyrtarit të LVV-së?

Një projekt infrastrukturor kishte nisur në vitin 2017 në Carrallukë të Malishevës. Gjashtë vjet më vonë, traseja e rrugës që lidhet në një rrethrrotullim u ndryshua ndërsa banorët ankohen se kjo u bë për interesa të dikujt.

Në rajonin e Malishevës shpesh kanë qenë të diskutueshme ndërtimi i rrugëve, kahja e autostradës e pronat nga kanë kaluar ato.

Së fundmi, Ministria e Infrastrukturës, që drejtohet nga Liburn Aliu, dha dritën e gjelbër që drejtimi i rrugës të ndryshoj. Kjo pasi pronari i tokës, Muharrem Hoti, bëri kërkesë për ndërtimin e një objekti.

Muharrem Hoti është axha i Valon Hotit. Ky i fundit, është koordinator në Lëvizjen Vetëvendosje.

Por, për ndryshimet në rrugën transit nuk u njoftuan pronarët e tokave përreth Carrallukës. Ata kanë thënë se ndryshimet nuk janë të mirëseardhura.

“Ne që pesë vite nuk e punojmë tokën fare, kjo na dëmton. Ne nuk jemi të njoftuar hiç, kemi provuar të marrim informacione në Komunë dhe Ministri të Infrastrukturës” – ka thënë Shpejtim Hoti, banor i fshatit Carrallukë.

“Dëmtimi për ne është i dyfishtë, sepse as para pesë viteve nuk është diskutuar me ne. Neve nuk na konvenon ndryshimi i trasesë dhe do të kërkojmë që të mbetet projekti i vjetër” – ka thënë ai.

I pakënaqur me ndryshimet e rrugës është shprehur edhe Ferat Hoti nga Carralluka.

“Rruga e vjetër ka pasë me kalu në fund të pronës sime, por tash po flitet që ka ndryshime” – ka thënë ai.

“Tash po thuhet se ka me pasë devijim, për nevoja që i kanë kërkuar të tjerët. Për këtë, zyrtarisht nuk jemi njoftuar nga askush. Kjo nuk është e drejtë absolutisht dhe ne po kërkojmë që plani i para pesë viteve me vazhdu” – ka thënë Ferat Hoti.

Ferat Hoti, banor i fshatit Carrallukë

Për ndryshimet në rrugën transit nuk është njoftuar as Komuna e Malishevës.

“Ne jemi të informuar për shkak të një ankese që e ka bërë një person dhe Ministria e ka trajtuar si kërkesë individuale dhe ka bërë komision. Por, zyrtarisht ne nuk jemi njoftuar nga Ministria” – ka thënë Bashkim Krasniqi, drejtor i Kadastrit në Komunën e Malishevës.

“Çdo devijim i rrugës një parcelë mund ta prekë ose me dëmtu më shumë ndërsa tjetrën më pak. Tash së fundmi nuk kemi pasë asnjë komunikim me Ministrinë se pse duhet me ndodhë ky ndryshim” – ka thënë Krasniqi.

Bashkim Krasniqi, Drejtor i Kadastrit në Komunën e Malishevës

Nga Ministria e Infrastrukturës nuk janë përgjigjur në kërkesat për qasje në dokumente publike që nga data 26 qershor 2023.

Ndërsa, përgjigje për ndryshimet në projektin infrastrukturor nuk ka dhënë as ministri Liburn Aliu.

Në një bisedë me telefon, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se nuk ka shumë informacione, por ai tha se ndryshimet e tilla është normale të ndodhin, nëse ndiqen procedurat ligjore.

“Jo s’kemi marrë kurrfarë vendimi për ndryshim as asgjë sepse nuk janë duke u zhvillu aktivitete në të fare, sa kam informata unë. Jo nuk kam asnjë informatë, nuk jam në zyrë, jam në pushim, po mundeni me bë pyetje, me bë kërkesë për dokumente zyrtare, ata ua japin se tash, se aty ndryshimi në realizim të projektit bëhen në plot vende po shqyrtohen nga departamenti” – ka thënë Durmishi.

Ai nuk ka pranuar të përgjigjet nëse Ministria që drejtohet nga Vetëvendosje ka ndërhyrë për t’i mundësuar ndryshimet në rrugë. Tha se këto çështje nuk lidhen me emra të veçantë.

“Jo, mos më bëni këso pyetje, mos me bëni këso pyetje sepse nuk janë çështje që diskutohen në nivel të ministrit këto a po kupton? Ndryshimet gjatë realizimit të projekteve ndodhin në plot vende por duke i ndjekur procedurat, nëse ka pasë diçka të tillë, nuk ka lidhje kjo me emrin e personit” – ka thënë zv.ministri Durmishi.

Pyetjeve nuk i është përgjigjur as Valon Hoti, koordinator në LVV dhe djali i vëllait të Muharrem Hotit, pronarit të tokës ku u ndryshua destinimi i rrugës transit.

Ndërsa, vetë Muharrem Hoti nuk ka pranuar të japë intervistë në kamerë, ndërsa përmes telefonit ka kërkuar që të gjitha përgjigjet t’i kërkojmë në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ai nuk ka pranuar të përgjigjet as në pyetjen se a është pjesë e Vetëvendosjes.

“Çka të intereson ty bre vlla? Unë jam njeri i thjeshtë, unë jam ku du unë, ku të dëshiroj unë, unë jam njeri privat, kurrë në jetën time në institucione nuk kam punu. Çka të intereson ty kah jam unë, me kënd jam unë, çfarë peshe ka kjo, çfarë rëndësie ka kjo, me ma mohu të drejtën time me kanë e tek jam a?” – ka thënë Hoti përmes telefonit.

“Jo, nuk ka ndiku njeri i gjallë, dokumentet i kam, nuk u shty rruga hiç, kjo nuk është e vërtetë. Ju lutem, mos dezinformoni. Rruga ka lëvizë për një metër brenda tokës sime, që jam pronar i tokës sime” – tha ai.

Kohë më parë, Muharrem Hoti i ishte drejtuar Komunës së Malishevës për t’u pajisur me leje ndërtimore në tokën ku pritej të kalojë rruga transit.

Por, Komuna që drejtohet nga Ekrem Kastrati kishte refuzuar kërkesën duke thënë se në atë zonë është planifikuar ndërtimi i rrugës transit, projekt i Ministrisë së Infrastrukturës.

Por, pasi Hoti kishte bërë kërkesë në MI për ndryshimin e rrugës, Komuna ia lëshoi lejen ndërtimore.

Muharrem Hoti është ankuar se ka pritur gjatë, derisa kërkesa e tij në ministri është miratuar.

“Krejt dokumentacionin e pronës sime e kam në emër tim, çdo gjë ligjërisht e kam ndjekë për me bë një lëvizje një metër për me ma mundësu objektin brenda pronës sime e kam lëvizë, e kam bë kërkesën, kam pritë një vit e gjysmë për këtë kërkesë derisa m’u ka shqyrtuar” – ka thënë ai.

Për shqyrtimin e kërkesës së Muharrem Hotit, Ministria e Infrastrukturës kishte formuar një komision. Në krye të komisionit ishte emëruar Hysen Merovci.

Ai ka thënë se kërkesa e palës nga Carralluka u trajtua dhe nuk pati asnjë ndërhyrje politike.

“Pala kërkonte se parcela që ai e posedonte iu ka defunksionalizuar për arsye se traseja e rrugës, gjegjësisht brezi rrugor, ka kaluar nëpërmes pronës së tij, në pjesën e epërme dhe të poshtme, në anën e djathtë dhe të majtë të parcelës kanë mbetë disa copëza të vogla të parcelës që ai nuk ka mujtë me i shfrytëzu ato, nuk ka mujtë me marrë leje ndërtimore edhe kanë mbetë të vogla në krahasim me pjesën që i është shpronësu” – ka thënë Merovci, i cili tani është në pension.

Hysen Merovci, ish-kryesues i Komisionit

“Po normale është me bë pala kërkesën sepse pala e këqyrë interesin e vet personal, besoj edhe i shfrytëzon të drejtat e tij ligjore. Ne si komision çdo kërkesë që protokollohet në arkiv dhe na drejtohet për trajtim, ne duhet me trajtu edhe duhet me i dhënë zgjidhje adekuate” – ka thënë ai në një intervistë për “Kallxo Përnime”.

Merovci tha se për ndryshimet nuk janë konsultuar banorët e tjerë të fshatit. Sipas tij, komisioni ka bërë rekomandimin pasi një kompani projektuese ka dhënë mendimin profesional.

Në një bisedë përmes telefonit, Selami Bugaqku nga kompania “3D Project” ka shpjeguar mendimin profesional që i është bërë Ministrisë.

“Po, lexoje mirë aty është e sqaruar ajo çka kam thënë unë, kam thënë që për në aspektin teknik mundet, pjesët e tjera është investitori që vendos. Qajo është” – ka thënë ai.

“Jo, ata e kanë bë nëse nuk gaboj në Ministri, Ministria ma ka bërë mua, se unë jam kontraktor i Ministrisë, por ka pasë një kërkesë në Ministri por unë e kam marrë kërkesën prej Ministrisë jo prej individëve…” – ka thënë Bugaqku.