Dyshimet për tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucion i cili merret me ankesat e kompanive që aplikojnë në tenderët e institucioneve publike.

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur një kompani pjesëmarrëse në tender dorëzon ankesë në OSHP, procedura e tenderimit bllokohet dhe institucioni që ka hapur tenderin nuk ka të drejtë të vazhdojë dhënien apo nënshkrimin e kontratës.

Vlera totale e kontratave është 35 milionë euro, ndërsa njërin LOT të këtij tenderi në vlerë mbi 8 milionë euro e ka fituar kompania ‘Bageri’, pronarin e së cilës zëvendësministri Hysen Durmishi e ka pranuar se e ka shok. Megjithatë, Durmishi e mohon se ka pasur ndikim që ‘Bageri’ të fitojë këtë LOT të tenderit.

Kompania ‘Sallahu’ bashkë me një kompani tjetër kishin ofertuar në këtë tender si konsorcium. Pasi ishte bërë rekomandimi për kontratë për kompanitë që kishin aplikuar, ‘Sallahu’ kishte bërë kërkesë për qasje në dokumentacionin e kompanive që kishin ofertuar.

Por, Ministria e Infrastrukturës ia kishte refuzuar këtë kërkesë.

Marigona Osmani, përfaqësuese e kompanisë ‘Sallahu’, për KALLXO.com ka thënë se kërkesa për rishqyrtim te Ministria ishte bërë më 6 qershor 2023, si shkallë e parë e ankesave.

“Përmes kësaj kërkese për rishqyrtim realisht duhem me cekë që kemi kërku, për shkak se, nuk na është lejuar qasja në dokumente, domethënë na është mohu qasja në dokumentacion, pas shtatë kërkesave për qasje në dokumente, konform LPP-së të cilat i kemi parashtruar” – thotë Osmani.

“Arsyetimin të cilin e ka përdorë autoriteti kontraktues për refuzimin e kërkesës për qasje, në fakt nuk ka qenë arsyetim fare, ka qenë vetëm një shkresë ku thuhet se kërkesa nuk është parashtruar konform LPP-së, pa treguar arsyen pse përkatësisht kërkesa nuk ka qenë e parashtruar sipas LPP-së” – shton ajo.

Kompania “Sallahu” ka denoncuar se Qeveria e Kosovës në një procedurë jo të rregullt ka vendosur ta nënshkruajë kontratën 8 -milionëshe për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Denoncimi i tyre është fokusuar në parregullsitë që ata i pretendojnë në procedurën e ankesës. Kontrata multimilionëshe në këtë rast është nënshkruar nga Hysen Durmishi.

Hysen Durmishi është zëvendësministër i Infrastrukturës por sipas autorizimeve ai nënshkruan kontrata në cilësinë e ministrit.

Durmishi insiston se procesi ishte i ligjshëm edhe përkundër faktit se kompania pretendon se me ankesë procesi do duhej të ishte bllokuar deri në vendosjen nga OSHP-ja.

Nuk është e vërtetë kjo, pra nuk ka pasur ankesë në OSHP. Sepse sikur të kishte ankesë në OSHP ne nuk do të mund t’i nënshkruajmë kontratat. Sepse ne funksionojmë me një sistem elektronik të prokurimit dhe në momentin kur ka ankesë, pezullohet procesi. Është e pamundur që të ngarkohen kontratat në sistem. Pra nuk ka pasur ankesë dhe ne i kemi nënshkru kontratat dhe ato kontrata janë në sistemin e e-prokurimit, në të kundërtën nuk do të kishim pasur mundësi edhe sikur të donim’ – ka pretenduar Durmishi.

Por Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), organ që mbikëqyr aktivitetet e prokurimit në Kosovë, thotë se një institucion nuk mund të vazhdojë me procedurë nëse ka ankesë aktive në OSHP.

“Sipas Ligjit, nëse ka  ankesë në formë zyrtare dhe të ligjshme nuk ka të drejtë. Por varet situata, ose rasti prej rastit ndryshon. Është problem me thanë për rastin konkret, unë besoj se përgjigjen më të mirë e jep Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Infrastrukturës, sepse rasti prej rastit dallon. Është problem me thanë: Ka të drejtë apo nuk ka të drejtë. Me një fjalë, sepse ndryshojnë rasti prej rastit. Ti nuk e di situatën prej brenda qysh është” – ka thënë në një intervistë për KALLXO.com kryetari i KRPP, Osman Vishaj.

Në një përgjigje për KALLXO.com, KRPP-ja e ka konfirmuar se Ministria e Infrastrukturës nuk e ka pezulluar procedurën, edhe pse kishte ankesë të deponuar në OSHP.

“Bazuar në të dhënat e publikuara në platformën e e-prokurimit të këtij aktiviteti të prokurimit MMPHI pas deponimit të ankesës në OSHP nuk ka të publikuar asnjë lloj njoftimi për pezullim të aktivitetit të prokurimit. Është përgjegjësi e AK që menjëherë pas pranimit të informatës se një ankesë është dorëzuar në OSHP ta bëjë pezullimin e aktivitetit të prokurimit” – thuhet në përgjigjen e KRPP.

Po ashtu, edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), organ i cili merret me ankesat e kompanive që marrin pjesë në tender, ka thënë se ankesa nga kompania ‘Sallahu’ është bërë me 13 qershor, ndërsa për këtë ankesë Ministria është njoftuar më 15 qershor.

“Me datën 13.06.2023, OSHP, ka pranuar ankese nga Sallahu për aktivitetin të iniciuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe e njëjta është proceduar. OSHP ju njofton, qe bazuar ne depozitat e nenin 113 pargrafit 1 të LPP-së, e ka autorizuar ekspertin shqyrtues për shqyrtimin e pretendimeve ankimore te OE ankues nr. 397/2023” – thuhet në përgjigjen me shkrim të OSHP-së.

Por edhe pse ballafaqohet me faktin se OSHP-ja e ka pranuar ankesën e kompanisë dhe është duke e shqyrtuar atë, Hysen Durmishi ka vazhduar që të insistojë se procedura nuk është dashur që të bllokohet.

Ai madje pretendon se nëse OSHP-ja merr vendim në lidhje me ankesën, sipas tij, bën shkelje ligjore.

”Po nuk mund ta vazhdojë. Në qoftë se OSHP-ja merr ndonjë vendim duke u bazu në kërkesën e ‘Sallahut’, OSHP-ja bën shkelje ligjore. Shkelje të Ligjit të prokurimit publik. Dhe unë si me thanë kam shpresa që OSHP nuk bjen në kësi lajthitje sepse janë institucion shumë i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur të drejtë me bo ankesë në shkallë të parë kompania ‘Sallahu’, ka pasur të drejtë kompania ‘Salillari’, ose konkretisht personi i autorizuar, Lulzim Salilari. Askush tjetër. Nuk e kanë bërë një gjë të tillë” – ka thënë Durmishi për KALLXO.com.

Më tutje, kompania “Sallahu” thotë se arsyetimi i Ministrisë për autorizimin nuk qëndron.

Pretendimi i kompanisë në fjalë është se në momentin kur e kanë dorëzuar ofertën në sistemin elektronik të prokurimit, këtë e kanë bërë përmes ‘userit’ të vetë kompanisë.

Gjithashtu, edhe kërkesa për rishqyrtim, thotë kompania, është bërë përmes të njëjtit ‘user’ në e-prokurim.

“Në lidhje me ofertën e  dorëzuar në emër të Grupit të Operatorëve Ekonomik  Sallahu dhe Salillari e njëjta ka qenë e pranueshme për Autoritetin Kontraktues dhe  nuk ka patur asnjë vërejtje nga AK  për mënyrën dhe formën e dorëzimit nga platforma/user-i  i Sallahu’’ – thonë nga kompania.

“Njësoj, sikurse oferta, kërkesat dhe ankesat ngarkohen në platformën elektronike e-prokurim sipas procedurave dhe rregullave të parapara të funksionimit të platformës e-prokurim”.

Por, Durmishi thotë se kompania “Sallahu” nuk ka pasur të drejtë ta bëjë këtë, me arsyetimin se nuk ka qenë lider apo i autorizuar i konsorciumit.

“Në rastin që po bëhet fjalë, sepse kjo është diskutu shumë gjatë këtyre ditëve, kompania :Sallahu” nuk ka qenë lider i konsorciumit dhe nuk ka qenë i autorizuar nga konsorciumi për t’i ndjekë procedurat dhe kërkesat, procedurat e ankesave e kështu me radhë. Të drejtën ekskluzive në këtë rast sipas ligjit e ka lideri i konsorciumit dhe anëtari i autorizuar i konsorciumit që në rastin konkret ka qenë Lulzim Salillari, pra kompania ‘Salillari’ dhe jo kompania ‘Sallahu’” – ka thënë prapë Durmishi.

Tutje, Marigona Osmani nga kompania “Sallahu” ka folur edhe për ndikimin e mundshëm të Durmishit që kompania ‘Bageri’ të fitojë njërin nga LOT-et e tenderit.

“Sipas publikimeve të bëra mediatike thuhet se zëvendësministri ka punuar në kompaninë ‘Bageri’, realisht publike të cilat po bëhen aktuale vazhdimisht” – ka thënë ajo për KALLXO.com.

“Realisht tash nuk mund të them konkretisht (a ka pasur ndikim), mirëpo kompania në fjalë vazhdimisht është duke u shpërblyer me tenderë dhe lidhja të cilën e kanë me zëvendësministrin natyrisht që shton dyshimet tona për konflikt interesi dhe keqpërdorime. Kështu që ndikimet mund të jenë, edhe natyrisht që duhet të evidentohen dhe të ndalen” – shtoi ajo.

Por vetë Durmishi e ka mohuar një gjë të tillë. Ai thotë se nuk e ka vetëm pronarin e “Bagerit” shok, por sipas tij, ka shokë edhe te kompanitë tjera.

Durmishi pretendon se asnjëherë as për këtë kompani, e as për kompani të tjera nuk ka pasur ndikim.

“Asnjë ndikim nuk e kam pasur asnjëherë dhe nuk do ta kem kurrë për asnjë kompani, e as për kompaninë ‘Bageri’. Në plot tendera ka marrë pjesë kompania ‘Bageri’ dhe nuk ka fitu. Mirëpo, që unë kam deklaru publikisht që e njoh pronarin, qysh i njoh shumicën e kompanive në Kosovë. Sepse jam inxhinier, kam punu edhe në kompani private, edhe më ka ra me bashkëpunu me shumë kompani që merren me ndërtim të rrugëve, gjithë jetën time si inxhinier kam punu vetëm me ndërtim të rrugëve. E tash a me iu ndalu gjithë atyre kompanive, me u shu ato kompani, dhe mos me punu në ndërtim të rrugëve vetëm pse unë jam bo zëvendësministër? Kjo është e padrejtë. Asnjë konflikt interesi nuk ka” – ka pretenduar zëvendësministri.

Ai ka thënë se është i gatshëm që të japë përgjegjësi penale për tenderin në fjalë, e sipas tij, edhe për çdo rast prej që është në këtë pozitë.

“Jam kujdesur maksimalisht që gjithçka të jetë në bazë të ligjit, që të mos ketë shkelje në asnjë procedurë asnjëherë, kudo që kam konstatuar që nuk është në rregull diçka, kemi marrë masa, kemi dërgu landë në prokurori, kemi bashkëpunim të mirë me prokurori në kuptimin e bashkëpunimit e çfarëdo rasti. Jemi të hapur, i ftojmë publikisht le të hetojnë secilin rast. Pothuajse nuk ka tender që hapet në Ministrinë tonë e që nuk trajtohet prej organeve të drejtësisë” – ka thënë Durmishi për KALLXO.com.

Pesë kontratat për pesë LOT-et e këtij tenderi janë nënshkruar më 19 dhe 20 qershor 2023. Ndërsa ankesa në OSHP është deponuar më 13 qershor, kurse Ministria për ankesë në fjalë është njoftuar, sipas OSHP-së, më 15 qershor.

Vlera totale e kontratave është rreth 35 milionë euro.

Më 3 korrik kryeministri Albin Kurti bashkë me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ministrin Liburn Aliu dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi përuruan fillimin e punimeve në këtë rrugë.

postimin e tij në Facebook, Kurti kishte thënë se gjatësia e rrugës është 15 kilometra dhe punimet do të kryhen për 365 ditë pune.