Gazetarja e KALLXO.com, Antigonë Isufi, fiton çmimin "Harmony Award" nga RYCO

Gazetarja e KALLXO.com, Antigonë Isufi, ka fituar çmimin “Harmony Award” nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) në kategorinë “Education and Research”.

Isufi këtë çmim mori për artikullin “’Dy armiq’ ngrisin një fole“.

Artikulli flet për Suzana Mariqin, 25-vjeçe, nga Novi Sadi i Serbisë dhe Gent Sejdiun, po ashtu 25-vjeç, nga Ferizaj i Kosovës, për të cilët armiqësia shekullore dhe lufta e përgjakshme nuk kanë qenë pengesë për të jetuar së bashku.

Antigonë Isufi është gazetare e Prishtina Insight dhe KALLXO.com.

Ajo studimet bachelor i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti i Filologjisë – Departamenti i Gazetarisë.

Në shtator të vitit 2019 ajo iu bashkua ekipit të KALLXO.com, fillimisht si praktikante, pastaj gazetare.

Që nga viti shtatori i vitit 2021, ajo është angazhuar më shumë në Prishtina Insight, ku trajton tema të gjata për ndryshimet shoqërore, socio-kulturore, të drejtat e njeriut, por jo vetëm.

Në vitin 2021, Antigonë Isufi po ashtu fitoi çmimin e dytë për ambientin nga organizata ÇOHU!, për artikullin “Kosovo’s ‘urban chaos’ blamed on disappearing greenery”.

Ndërsa në vitin 2022, artikulli i saj “Ikni trima se po vjen mbretnesha”, u botua në gjuhën angleze “Prishtina in 53 buildings”, libër që portretizon shumëanshëm kryeqytetin e Kosovës duke përdorur arkitekturën si prizëm për të kuptuar politikën, kulturën dhe gjendjen ekonomike.

 

‘Dy armiq’ ngrisin një fole