Biblioteka 'Latif Berisha. Foto: Kallxo.com

Hulumtim: Si u privatizua objekti i ish-Bibliotekës në Mitrovicë

Në edicionin e radhës të emisionit “Kallxo Përnime” u transmetua hulumtimi se si komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri.

Biblioteka e qytetit me vendimin e bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës ishte larguar nga objekti i “Bankosit” për t’u vendosur në një qendër sportive në Mitrovicë.

Hapësira prej 139 metra katrorë e katit përdhesë e ndërtesës së “Bankosit” në sheshin e Mitrovicës ka kaluar nga prona shtetëror në pronë private. KallxoPernime ka gjetur se ekzekutivi i komunës së Mitrovicës nëpërmjet drejtorisë së kadastrës kishte kërkuar nga Kuvendin Komunal në Mitrovicës votimin e këtij vendimi e i cili ishte votuar me vota unanime.

Në vitin 2017 ish kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ju kishte drejtuar kuvendit komunal me kërkesë për tërheqjen e disa pronave nga procesi i privatizimit dhe kthimin e tyre në pronësi të Komunës me qëllimin e vetëm që këto prona të shërbenin për interesin publik të qytetit.

Kërkesa e kryetarit Bahtiri ishte aprovuar ne kuvendin Komunal në mbledhjen e rregullt të datës 23 shkurt 2017, 6 prona ishin votuar në kuvend që të tërhiqeshin nga privatizimi i AKP-së, në mesin e tyre ishte edhe objekti i ish Bankosit.

Por, kërkesa e kuvendit që ishte drejtuar në Qeverinë e Kosovës nuk ka përfunduar deri më tani. Agjencia e Privatizimit në Kosovë ka deklaruar se komuna nuk ka pasur të drejtë ta tjetërsojë.

Katër vite më vonë Komuna e Mitrovicës e udhëhequr po ashtu nga Bahtiri kishte harruar kërkesën e bërë dhe një pjesë të pronës dhe objektit në katin që lidhet me sheshin e Mitrovicës e kishte ndërruar me një pjesë të pronës me një vend ku do të ndërtohet një rrugë në qytetin e Mitrovicës.

Kryetari Bahtiri e nisi mandatin e tij të dytë në krye të komunës së Mitrovicës, duke kërkuar ndërmjetësimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që disa prona nga AKP-ja t’i kthehen komunës, por ne fundin e mandatit ekzekutivi i udhëhequr nga Bahtiri nuk kishte menduar njëjtë, një nga këto prona e kishte shpronësuar dhe e kishte ndërruar me një person fizik.

Hapja e rrugës Ali Zenelit në Mitrovicë bëri që komuna e Mitrovicës nga pronarja Besarta Isufi të marrë pronë prej 102 metra katror dhe të japë një lokal prej 139 metrave katror që gjendej në shesh.

Agjencia Kosovare e Privatizimit po pretendon se objekti në fjalë i përket asaj dhe komuna nuk ka pasur të drejt ta tjetërsojë tek palët e treta. Por si ndodhi që ekzekutivi i Mitrovicës në vitin 2017 të kërkojë nga AKP-ja që pronat mos të privatizohen dhe t’i kthehen komunës, e në vitin 2021 njërën nga këto prona t’ia kaloj një personi fizik.

Prona në rrugën Ali Zeneli ishte vlerësuar me 490 euro metri katror pra 102 metra ishin vlerësuar me çmimin e përgjithshëm prej  49,980.00 euro. Prona e Komunës ishte vlerësuar me 900 euro metri katror, pra 139 metra katror ishin vlerësuat me çmimin e përgjithshëm prej 125,100.00 euro. Familja për ta marr pronën e komunës kishte paguar edhe ndryshimin prej 75 mijë e 120 euro.  Pronarët e rijnë të pronës komunale nuk duan të flasin ne kamerë duke na lutur që të gjitha përgjigjet ti marrim ne komunë.

“Ne s’kemi as me shtu kurrgjë as me hjek. Ti letrat i ki, qato letra qysh janë shku procedurat qato i ke. Gjithçka ka qenë transparente. Procedurat janë shku në Kuvendin Komunal, janë miratu, u bo vlerësimi, i kemi paguar paratë e tjera Komunës, a po kupton? Neve nuk na kanë thanë kurrgjë, në rregull jemi me dokumente. Kemi filluar e kemi lëshuar me qira. Atëherë nëse kanë bo – ata kanë bo shkelje jo na, pse na kanë japë pronën që nuk është e tyre, atëherë ata kokan gabim”, theksoi Arsim Xhema.

Ish kryetari Agim Bahtiri nuk kishte pranuar të flet para kamerave duke u arsyetuar se nuk di se si ka ndodhur që qenka bë këmbimi i pronës.

“Nuk po më kujtohet që ia kemi dhanë dikujt, nuk po di, lidhje nuk kam me këtë punë, seriozisht po të them, nuk po më kujtohet që ka pasë ndonjë dhënie në shfrytëzim. Mundet me ndodhë por unë për Zotin s’po e di. Në qoftë se ka kaluar ne Kuvend atëherë ka mundur me dërgu dikush nga Urbanizmi apo nga Kadastra kërkesën por nuk po e di, seriozisht.  Unë mendoj që më së miri për këtë mundet me të informu nënkryetari, ai me këto procedura është marrë më së shumti me të thanë të vërtetën”, theksoi Bahtiri

Kallxo.com ka provuar të kontaktojë me Besnik Beken, ish drejtorin e Urbanizmit në komunën e Mitorvicës që Bahtiri tha se ka munden me ditë me mirë çka ndodhur. Beka ka qenë i paqasshëm për emisionin, familjarët e tij na kanë thanë se gjendet jashtë vendit.

Drejtori tjetër ai i drejtorisë së Kadastrës, Hysen Muzliukaj nuk ka pranuar të flas para kamerave ai ka thënë se e ka proceduar lëndën ne kuvendin e Mitrovicës ka pasur qëllim me u hap rruga Ali Zeneli

“Është vendim i Kuvendit dikund, propozimi në Kuvend ka kalu, shkon në ligjshmëri në MAPL, MAPL shkon prej MAPL masandej  në Ministri të Financave për vlerësim prone dhe ata e kanë vlerësu qashtu realisht.  Është kërkesa për rrugën “Ali Zeneli” gjithmonë prej Drejtorisë së Urbanizmit. Jo bre, rruga “Ali Zeneli” është e dijshme se çdo këmbim shkon përmes Kuvendit Komunal se ajo nënshkruhet prej kryetarit, prej drejtorit. Pastaj shkon në Kuvend. Prej Kuvendit në ligjshmëri, prej ligjshmërisë në Financa, janë goxha do filtra”, tha Muzliukaj.

Hysen Muzliukaj ish drejtori i Kadastrës thotë se AKP nuk posedon dokumente por vetëm kanë pretendime por një gjë duhet të sqarohet si ndodhi që në vitin 2017 komuna të kërkoj nga AKP-ja që pikërisht këtë objekt ta hjek nga privatizimi       

“Unë nuk kam pasur “user” në Agjencion Kadastral. Thuhet së është pronë e Komunës, a po e din objekti i Komunës? E di që pretendon Bankos-i por nuk ka asnjë dokumentacion rreth asaj. AKP-ja, po të flas gjithmonë sipas zyrtarëve të Komunës që punojnë aty me vite, ka pretenduar që është pronë e tyre një kohë në menaxhim të tyre por realisht nuk kanë dokumentacion për atë punë”, Theksoi Muzliukaj.

Ish nënkryetari i Mitrovicës Faruk Mujka po pretendon se u mashtrua nga bashpartiaket e tij sepse nuk e ka ditur se për cilën pronë po bëhet fjalë.

“Realisht askush nga ne nuk e ka ditur deri para pak ditëve se çka ka ndodh dhe se parcela në rrugën Ali Zeneli u ndërrua me një hapësirë në sheshin e Mitrovicës sepse është prezantua me një rrugë që ne se kemi ditur se ku i bie”, theksoi Mujka i cili ka shtuar se nëse vendimi kthehet ne kuvend ai e voton që prona përsëri t’i kthehet shtetit.

“Unë nuk e di qysh ka mujt me u dhanë sepse mendoj që ajo pronë i takon AKP e jo komunës por dihet aty cila drejtori i ka pru këto pika ne kuvend e cila i ka arsyetu, nëse kthehet ne kuvend ne do votojmë që ky vendim të prishet”, theksoi Mujka.

AKP po pretendon se komuna e Mitrovicës nuk i ka kryer proceduar me ndërmarrjen dhe nuk ka pasur të drejtë që pronën ta tjetërsojë pasi ende nuk është përmbyllur procesi i tjetërsimit të pronës nga shoqërore në komunale.

“Sipas Ligjit, ndërtesa është pronë shoqërore dhe bie nën menaxhimin e AKP-së. Sipas Ligjit, Komuna ka të drejtë të shpronësoj pronën e një ndërmarrje shoqërore dhe atë përmes Vendimit Përfundimtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por e ka për obligim ti respektoj të gjitha procedurat ligjore ku për ndërmarrjet shoqërore Komuna duhet të paguaj vetëm 20% të vlerës së ndërtesës në llogari të AKP-së në emër të ish-punëtorëve të cilën janë në listën e 20 përqindëshit. Prandaj ende ndërtesa e tërë (përfshirë edhe lokalin në fjalë) konsiderohet se është pronë e ndërmarrjes shoqërore Jugobanka nën menaxhimin e AKP-së, pasi që ende nuk janë përfunduar procedurat e shpronësimit. Si përfundim, Komuna nuk ka të drejtë të bartë apo të këmbejë pronën shoqërore me palët e treta pa e kryer procedurën e shpronësimit dhe kompensimin me AKP-në”, thuhet ne përgjigjen e AKP.

Përpos këtij problemi hulumtimi ynë zbardhë se AKP gjithashtu ka një padi të hapur në gjykatë për lirimin e këtij objekti nga institucionet Komunale të Mitrovicës, biblioteka dhe organizatat tjera.

Ndërtesa 6-katëshe me rreth 1600 metra katrorë ka qenë e shfrytëzuar nga OSBE nga viti 1999 deri në muajin Shkurt 2011 kur OSBE e ka liruar, ndërsa Komuna ka hyrë në ndërtesë pa pëlqimin e AKP-së. Me datën 10.02.2011, përmes kërkesës me shkrim AKP ka kërkuar nga Komuna ta liroj ndërtesën. Ndërsa me 05.12.2012 ish-Menaxhmenti ka kërkuar nga Komuna, Biblioteka ndër-komunale dhe organizatat tjera jo-qeveritare të vendosura në ndërtesën përkatës, të lirojnë ndërtesën. Si rrjedhojë, me datën 07.06.2013, ish-Menaxhmenti i ndërmarrjes shoqërore Jugobanka si pasardhëse e ish-filiales së Bankos në Mitrovicë, në bashkëpunim me AKP-në, ka bërë padi për lirimin e ndërtesës së ish-Bankosit dhe kompensimin e dëmit në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Me datën 14.06.2013, me kërkesë të Gjykatës Themelore, ish-Menaxhmenti i ndërmarrjes shoqërore Jugobanka e precizon padinë në vlerën e borxhit të pretenduar. Deri tani ende nuk ka filluar procesi i shqyrtimit të këtij rasti nga Gjykata”, thuhet tutje ne përgjigjen e AKP për KallxoPernime.

Përveç problemit me pronësinë komuna e Mitrovicës ka lejuar që kjo pronë të vlerësohet me një çmim prej 900 euro për metrin katror emisionin KallxoPernime kishte kontaktuar me disa kompani që merren me shitblerjeje të pronave në Mitrovicë ata theksuan se çmimi i shitjes në atë zonë është shumë herë me i lartë.

“Valla, na për shitje s’i kemi por çmimi sillet dikund 4 mijë, 4 mijë e 500 qashtu diçka përafërsisht, qashtu janë shitë nja dy a tre kohëve të fundit me këtë çmim janë shitur. Në shesh, bash në shesh. 4 mijë e 500 euro metri katror?”, theksojnë në një kompani ndërtimi në Mitrovicë.

Agjensioni për patundshmëri që merren me Shitblerje të pronave theksojnë se metri katror në atë zonë të Mitrovicës shitet deri në 5 mijë euro ndërsa qiraja mujore shkon deri 700 apo 800 euro.

“Pasha Zotin jo, për momentin jo, veç shpallje të vjetër ndoshta ke pa. Vallahin varet, 5 mijë e te nalt shkon aty”, theksoi njëri agjencion.

“Po të them i nderuar krejt varet prej metrave, varet prej pozicionit, qysh po thu ti kemi raste që deri në 700 ose 800 euro metri katror me qira shkon” theksojnë në një agjencion tjetër.

Vendimi ishte votuar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës në mbledhjen e datës 29 prillit. Në seancën e fundit ku asambleja mund të vendoste për ndryshime pronash. Sipas ligjit në gjashtë muajt e fundit të mandatit asamblistët nuk kanë të drejtë të votojnë ndryshimet e pronave.

Të dhënat na tregojnë se në rendin e ditës të kësaj mbledhje ishin 10 pika, nga këto 10 pika 5 ishin për diskutimit dhe miratimi për dhënie ne shfrytëzim të pronës komunale apo këmbim prone të komunës me persona fizik. Kjo pronë nuk ishte ne rendin e ditës dhe futet aty për aty nga drejtori i Kadastrës Hysen Muzliukaj.

Propozim-vendim për miratim të vendimit për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës me pronën e paluajtshme me pronësi të personit fizik miratohet me 18 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim të asamblistëve prezent.