Të akuzuarin për sulm seksual ndaj një të miture brenda shkollës, gjykata e dënoi me 1 vit për ngacmim

Një vajzë 14 vjeçare ishte viktimë e sulmit seksual nga dy persona në një shkollë të Podujevës. 14 vjeçarja ishte mbyllur në një klasë në nëntor 2021 nga tashmë i dënuari Rr. P. dhe i dyshuari tjetër E. S.

Sipas vendimit të gjykatës Rr. P. e kishte ngacmuar të miturën dhe për këtë ishte gjetur fajtor dhe dënuar me një vit burgim me kusht.

Kallxo.com zbuloi se prokuroria ndaj të dyshuarit tjetër i cili kishte qenë i përfshirë në këtë rast të ngacmimit duke e siguruar derën e klasës ishte trajtuar nga Prokuroria vetëm si dëshmitar.

Por vetëm pas zbulimit të këtij skandali nga KALLXO.com, prokuroria ndryshoi kahje dhe e akuzoi edhe të dyshuarin E. S.

Siç pati raportuar KALLXO.com, Rr. P., dyshohej se brenda një shkolle në Podujevë kishte sulmuar seksualisht një të mitur 14 vjeçare. KALLXO.com kishte raportuar se i njëjti në një proces shumë të shpejtë ishte liruar nga paraburgimi pas 48 ditëve që ishte arrestuar.

Gjykata e Prishtinës në shtator 2023 ka vendosur që të njëjtin ta dënoj me një burgim me kohëzgjatje prej 1 viti, por që në këtë dënim hynte edhe pjesa të cilën i dënuari e kishte kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Rr. P, sipas një përgjigje të Gjykatës së Prishtinës për KALLXO.com, nuk ka mbajtur pjesën tjetër të dënimit përveç masave të sigurisë, me kushtin që i dënuari të mos kryej ndonjë vepër tjetër penale brenda një viti.

Kështu e ka përshkruar Gjykata vendimin për personin i cili pretendohej në dosjen e prokurorit Ruhan Salihu se veprimet i kishte kryer brenda objektit të brendshëm të një shkolle në Podujevë.

Gjithashtu ajo që vërehet është se gjyqtari, emrin e të cilit në përgjigjen e kërkuar nga KALLXO.com nuk e kanë treguar Gjykata, dënimin e ka shqiptuar për veprën penale të ngacmimit, për dallim nga ajo për të cilën kishte ngritur aktakuzë prokurori Salihu, më saktësisht për sulm seksual.

Rr. P., nga dënimi prej një viti nëse llogaritet i plotë, ka mbajtur vetëm 49 ditë paraburgim dhe 31 ditë arrest shtëpiak, pjesën tjetër ka qenë i lirë.

“Pjesa tjetër e dënimit të shqiptuar të mbetur nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri në afat prej një viti nga dita e plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, heq dorë nga frekuentimi i shkollave në të cilat nuk vijon mësimin si dhe heq dorë nga shoqërimi ose kontaktimi i palës së dëmtuar”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës për KALLXO.com.

Palës së dënuar gjykata ia ka ndaluar të frekuentoj shkollat, institucionin arsimor në të cilën ndodhi edhe ngjarja me të miturën.

Në anën tjetër përveç Rr. P., në këtë rast ka qenë i përfshirë edhe personi tjetër E. S., për të cilin KALLXO.com pati zbuluar se prokurori Ruhan Salihu gjatë ngritjes së aktakuzës për të pandehurin e parë, këtë të dytin e kishte cilësuar vetëm si dëshmitar.

Për E. S., deri më tani ende nuk ka ndonjë vendim përfundimtar nga ana e Gjykatës së Prishtinës, ani pse aktakuza është ngritur më 19 janar 2023.

“Sa i përket te pandehurit E. S., nga gjyqtarja e kësaj çështje jemi informuar se kjo lëndë nuk është caktuar ende, e njëjta lëndë do të caktohet për trajtim në shqyrtim, sipas radhës së regjistrimit dhe pranimit të lëndës në gjykatë”- thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Vendimi për dënimin prej 1 vit burgim për Rr. P., tashmë rasti është në Gjykatën e Apelit.

Kjo pasi që përfaqësuesja e palës së dëmtuar, por edhe avokati i Rr. P., kanë parashtruar ankesë.

Historiku i rastit

Një 14 vjeçare ishte sulmuar seksualisht në njërën nga shkollat e Podujevës në nëntor të vitit 2021. Sulmuesi një 19 vjeçar ishte liruar 48 ditë pas arrestimit në një proces të zhvilluar në gjykatën e Prishtinës.

KALLXO.com në atë kohë kishte arritur të siguroj dosjen e cila është ndjekur penalisht nga prokurori Ruhan Salihu, njëri nga prokurorët e përfolur në atë kohë, për shkak se ishte i përfshirë në hetimin e rastit të dhunimit të një 11 vjeçareje, po ashtu ishte përgjegjës në dështimin e hetimit të dhunimit të një fëmije rom, i cili u vra më pas në Fushë Kosovë.

Dosja e hetuar nga prokurori Salihu u publikua pasi KALLXO.com intervistoi, babanë e viktimës, i cili denoncoi se i dyshuari ishte liruar.

Ngjarja e rëndë e përshkruar nga babai i viktimës tregonte se vajza 14 vjeçe, ishte mbyllur brenda një klase nga dy persona të dyshuar të cilët kishin tentuar ta dhunonin, por, gjithmonë sipas rrëfimit të babait, vajza kishte arritur të shpëtonte për shkak të zhurmës që kishin krijuar nxënësit një kat më lart.

I dyshuari Rr. P., ishte arrestuar nga policia mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, pasi ishte identifikuar nga e mitura se i njëjti kishte tentuar ta kryente aktin brenda hapësirave të një shkolle. Në një kohë shumë të shpejtë Prokuroria e Prishtinës kishte hetuar këtë ngjarje.

Prokurori Ruhan Salihu për më pak se 26 ditë kishte hetuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe kishte ngritur aktakuzë vetëm për njërin nga personat e dyshuar. Rr. P. u akuzua për sulm seksual.

Ai përshkruhet se shkoi në shkollë, hyri në një klasë me viktimën ku atë e kapi për prapanicë dhe kishte tentuar ta puthte.

Edhe në dosje përmendet që personi me inicialet E. S. e kishte mbajtur derën e klasës ku kishte ndodhur sulmi, ai nuk është pjesë e aktakuzës. I njëjti është cilësuar nga prokurori vetëm si dëshmitar.

Ngritja e aktakuzës kishte mundësuar hapa të tjerë.

Në një kohë po ashtu rekorde Gjykata e Prishtinës kishte caktuar seancën për shqyrtimin fillestar të kësaj aktakuze. E dorëzuar më datë 22 dhjetor, aktakuza nisi të trajtohet më datë 13 janar para gjykatësit Adnan Isufi.

Në këtë seancë ishte vendosur edhe për lirimin nga paraburgimi të të dyshuarit Rr. P.

Dosja përshkruan rol kritik të prokurorit Ruhan Salihu në lirimin e personit të akuzuar për sulm seksual.

Gjatë seancës avokati kishte kërkuar që personi të lirohej në arrest shtëpiak. Prokurori ishte pajtuar me këtë propozim. Dosja shkruan se prokurori Salihu i tha gjykatës se personi nuk duhej të qëndronte më gjatë në paraburgim për shkak se ishte ngritur aktakuza ndaj tij.

Pas lirimit nga arresti shtëpiak, dëshmitë e babait të së miturës flasin se i dyshuari sërish i ishte afruar viktimës dhe e kishte shqetësuar. E njëjta kishte marrë edhe trajtim psikologjik për shkak të gjendjes së saj pas rastit që kishte ndodhur.

Sipas të miturës më datë 24 nëntor, rreth orës 12:00 i akuzuari tashmë 19 vjeçari Rr. P., në një nga klasat e shkollës për qëllime seksuale edhe pse e ka ditur që vajza është e mitur e ka prekur dhe sulmuar seksualisht.

Derisa vajza kishte shkuar nga një klasë në tjetrën për të marrë një karrige, gjithmonë sipas dosjes së gjykatës, 19 vjeçari është vënë pas saj dhe pa dëshirën e saj e ka prekur në pjesë të trupit dhe nuk e ka lënë të dal nga klasa deri ka rënë zilja e shkollës.

Këto dëshmi të vajzës kanë bërë që gjykata të aprovonte kërkesën e prokurorisë që 19 vjeçari të dërgohej në paraburgim për 30 ditë.

Masën e paraburgimit e kishte kundërshtuar sipas vendimit që ka siguruar KALLXO.com edhe avokati i 19 vjeçarit, Ali Beka.

Më 2 dhjetor të vitit 2021 prokurori Ruhan Salihu, kishte ngritur aktakuzë ndaj 19 vjeçarit. Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj ndaj të njëjtit.

Kjo për shkak se kishte vlerësuar se masa e paraburgimit në atë fazë ishte e domosdoshme për të siguruar praninë e 19 vjeçarit dhe se nëse i njëjti do të lihej i lirë, sipas gjykatës do të pengonte rrjedhën e procedurës penale.

19 vjeçarit Rr. P., i ishte vazhduar paraburgimi deri më 25 janar 2022, por që më pas masa ishte ndërprerë për të vazhduar në arrest shtëpiak. Dosja e gjykatës vazhdon me një vendim tjetër.

Më 13 janar 2022, 19 vjeçarit i ishte ndërprerë masa e paraburgimit ndërsa i ishte vendosur masa e arrestit shtëpiak. Kjo u bë me kërkesë të avokatit të të pandehurit në seancën për shqyrtimin fillestar. Ai këtë masë do ta mbante deri më 12 shkurt 2022.

Në lidhje me kërkesën e avokatit të 19 vjeçarit, prokurori Ruhan Salihu nuk e kishte kundërshtuar me arsyetimin se ndaj të njëjtit ishte ngritur tashmë aktakuza dhe kishin përfunduar hetimet.

Pas deklarimit të prokurorit Salihu siç përmendet edhe në vendim, Gjykata kishte vendosur që t’i zëvendësohej masa e sigurisë 19 vjeçarit.

Disa muaj më vonë, më saktësisht në gusht 2022, avokati i 19 vjeçarit kishte kërkuar që ndaj klientit të tij të hudhet poshtë aktakuza.

Kjo për shkak se sipas tij provat për rastin janë marrë jashtëligjshëm. Gjykata Themelore në Prishtinë, më saktësisht gjyqtari Adnan Isufi kishte vendosur që të refuzonte këtë kërkesë.

Në atë kohë, babai i të miturës përshkruante se në rastin ndaj vajzës së tij ishin të përfshirë dy persona, i njëjti pohonte se kishte informacione se ishte ngritur një aktakuzë por nuk e dinte për kë dhe për çfarë vepre penale.

Tutje ai gjatë rrëfimit që ishte publikuar në KALLXO.com, ngriti dyshimet se pse vetëm një person ishte arrestuar derisa vajza e tij kishte rrëfyer se ishin dy persona, një nga ta mbante derën që të mos hynte askush në klasë.

Ky veprim sipas babait të së miturës ishte bashkëkryerje në vepër penale. Në dosjen që ka siguruar KALLXO.com personi i dytë shfaqej si dëshmitar i rastit, është shok i 19 vjeçarit të akuzuar.

Në dëshminë e tij, personi i dytë me inicialet E. S., kishte rrëfyer se në ditën kritike së bashku me 19 vjeçarin Rr. P., kishin shkuar në shkollën ku ishte e dëmtuara ndërsa përmend edhe rastin se meqenëse dera e klasës nuk kishte dorezë, 19 vjeçari i kishte kërkuar që ta mbajë mbyllur atë.

Edhe ky person sipas vendimit të gjykatës ka qenë në dijeni se viktima është e mitur dhe se të njëjtën e kishte përqafuar pasi që nuk kishte qenë në dijeni se ‘ndalohet me ligj që të përqafoj vajzat nën moshën 16 vjeçe pa lejen e tyre’.

“Babai i të miturës kishte rrëfyer se ishte në punë në ditën kur vajza kishte raportuar rastin në polici. Brenda objektit të shkollës ka ndodhur në një klasë ku nuk ka pas as nxënësa, e ka kapur për dore siç thotë vajza, e ka ngreh ka tentu me dhunu por fatmirësisht nuk ka mundur, nuk ka arritë qëllimin me dhunu, kanë qenë dy persona, dytë nuk kanë qenë nxënës të asaj shkolle por kanë qenë huliganë që kanë hy në shkollë”- kishte rrëfyer babai i 14 vjeçares.

Sipas tij, Prokuroria dhe Gjykata kishin marrë masa për një kohë shumë të shkurtë.

Derisa shtoi se si familje nuk e kishin asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me rastin.

“Rasti ka ndodhur brenda objektit të shkollës, në klasë kanë hyrë dy persona, e kanë kapur për dore, por fatmirësisht nuk kanë arritur ta dhunojnë. Të dy personat janë identifikuar, por Prokuroria njërit i ka ngritur aktakuzë, e tjetrit jo” – shtoi babai i të miturës.

Identifikimi, sipas tij, është bërë me telefon pasi është kërcënuar edhe ashtu.

“Mesazhet nuk i kam pa pasi vajza nuk m’i ka treguar. Sipas saj, djemtë janë huliganë të asaj shkolle, dhe vazhdimisht kanë hyrë e dalë ashtu” – thoshte ai.

 

Raportimi i KALLXO.com që çoi deri te ngritja e aktakuzës për ‘dëshmitarin’ e prokurorit Salihu

E. S., ishte konsideruar si dëshmitar në një rast të sulmit seksual të një 14-vjeçareje në një shkollë në Podujevë.

Ai sot ballafaqohet me aktakuzë për rastin e njëjtë të sulmit seksual ndaj një të miture në një shkollë në Podujevë.

Kjo vetëm pak muaj pas raportimit të KALLXO.com, në të cilin shkrim kishte vënë në pah lëshimet që ishin bërë nga organet e drejtësisë, në rastin e të miturës brenda objekteve të një shkolle në Podujevë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar në mars të vitit të kaluar se janë ngritur dy aktakuza por nuk kanë kthyer përgjigje se për çfarë vepre penale saktësisht.

KALLXO.com këto përgjigje i ka marrë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, të cilët kanë konfirmuar se janë dy vepra penale të ndërlidhura mes vete të cilat janë ngritur ndaj tashmë të akuzuarit E. S.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur më datë 19 janar 2023 ka pranuar aktakuzën për të pandehurin E. S., i dyshuar për veprën penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” e lidhur me veprën “Sulm seksual””- thuhej në përgjigjet e Gjykatës Themelore të Prishtinës për KALLXO.com.