Shoku i studimeve të Arben Vitisë emërohet zyrtarisht drejtor i SHSKUK-së

Me 7 vota për, Bordi drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës ka emëruar Drejtor të ri të këtij institucioni, Elvir Azizin.

I pranishëm në ceremoninë e pranim-dorëzimit të detyrës ishte edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

KALLXO.com kishte raportuar për Elvir Azizin dhe për raportet e tij me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, në kohën kur ai kandidoi për këtë pozitë.

Azizi dhe Vitia kanë qenë kolegë të studimeve, por e kanë vazhduar shoqërinë e tyre edhe pas përfundimit të studimeve.

Në një fotografi të vitit 2017, të siguruar nga KALLXO.com, Azizi shihet bashkë me Vitinë, bashkëshortet e tyre dhe me disa persona të tjerë në Prishtinë.

Ministri u shpreh i lumtur që më në fund ky institucion ka një drejtor, siç tha ai të zgjedhur në mënyrë transparente.

“I lumtur që po zgjidhet drejtori në SHSKUK dhe po zgjidhet në mënyrë komplet transparente dhe po përmbyllet një kapitull prej udhëheqjes së SHSKUK-së nga ushtrues detyre për një kohë të gjatë” – tha Vitia.

Ai u shpreh shumë falënderues ndaj tashmë ish-u.d. drejtoreshës, Narqize Arënliu – Hoxhajt, për punën dhe angazhimin e saj.

Drejtorit të ri, Vitia i uroi punë të mbarë dhe suksese që do të reflektojnë pritshmëritë e qytetarëve dhe ndryshimet për të cilat tha se janë zotuar. Ministri shprehu edhe gatishmërinë e tij për bashkëpunim në shërbim të qytetarëve.

“E dimë që do të ketë telashe, shëndetësia është shumë komplekse dhe me probleme në Kosovë e edhe në vende të tjera që e kanë shëndetësinë në stad më të lartë” – tha tutje kreu i shëndetësisë.

Elvir Azizi tha se është njeri fjalëpak dhe shpreson që do të flasë puna e tij.

“Ju falënderoj për besimin e dhënë për të marrë këtë detyrë delikate” – tha Azizi.

Narqize Arënliu – Hoxhaj njoftoi se do të rikthehet në detyrën e saj paraprake si drejtoreshë e Spitalit të Prizrenit, ku ishte para ardhjes së saj në udhëheqjen e SHSKUK-së.

Ajo tha se ka nisur shumë projekte, e ato që nuk janë përfunduar shpreson që të përfundohen nga drejtori i ri.

Njoftimi për emërim të drejtorit është dërguar në bord, nga Sektori i Burimeve Njerëzore në SHSKUK.

Azizi u zgjodh kandidati fitues i konkursit të hapur për këtë pozitë, më 16 qershor.

Komisioni vlerësues e kishte vlerësuar atë me 74.2 pikë nga 100 gjithsej. 36 në testin me shkrim dhe 38.2 në intervistë.

Me emërimin e Azizit, u shfuqizua vendimi për emërimin e Narqize Arënliu – Hoxhajt si ushtruese e detyrës së kësaj pozite.

Kolegu i studimeve dhe shoku i Arben Vitisë, kandidat për drejtor të SHSKUK-së

Shënim: Artikulli është edituar. Fillimisht ishte raportuar se Elvir Azizi është votuar me 8 vota për, por në fakt kanë qenë 7 vota për emërimin e tij.