Qendra që synon t`i edukojë institucionet për siguri kibernetike

Një testim i Ministrisë së Punëve të Brendshme i realizuar javë më parë zbuloi se zyrtarë të institucioneve publike të vendit bien lehtë pre e mashtrimeve të thjeshta kibernetike.

MPB njoftoi se ka realizuar testimin duke ju dërguar një link zyrtarëve dhe të njëjtit klikuan në të pa e verifikuar nëse emaili ishte zyrtar apo jo.

Kapacitetet e limituara të zyrtarëve në institucione në fushën kibernetike pritet të adresohen nga Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.

Zyrtarët do shkollohen në këtë institucion në fusha specifike për të adresuar rreziqet nga sulmet kibernetike.

Institucioni nisi punën më 12.03.2024 dhe do funksionoj në kuadër të Ministrisë së Forcës së Sigurisë – FSK.

“Qendra do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, të përmirësoj aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e nivelit të sigurisë kibernetike në vend duke përfshirë institucionet qeveritare, operatorët e shërbimeve esenciale dhe ofruesit e shërbimeve digjitale për të arritur kapacitetet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike”- thotë Bashkim Sejdijaj, komandant i Njësisë për Mbrojtje Kibernetike.

Eksperti i sigurisë kibernetike Isuf Deliu thotë se një veprim i tillë është i duhur për vendin, por duhet të përfshihet në një spektër më të gjerë të veprimeve.

“Është veprim i duhur – në kohën e duhur, pak vonë në raport me vendet e rajonit, më mirë vonë se kurrë. Por duhet me u pa me një spektër më të gjerë. Në kuadër të strategjisë kombëtare për siguri kibernetike, jo si një hap i veçantë”- thotë Deliu.

Për të standardizuar dhe rritur kapacitetet Qendra ka hartuar programin e trajnimeve.

Komandanti Sejdijaj tregon se kurrikula e Qendrës është miratuar nga ministri dhe paraqet një element thelbësor në zbatimin e Strategjisë shtetërore të sigurisë kibernetike.

“Kurrikula përfshinë 14 kurse të trajnimit, 5 prej tyre përcillen edhe me ushtrime praktike si dhe 2 ushtrime në tavolinë TTX”- thotë Sejdijaj.

 

Kush janë ligjëruesit në Qendër?

Rregullorja për këtë Qendër parasheh se ligjëruesit e kësaj qendreje do të jenë katër llojesh: Trajnerët e përhershëm, të brendshëm, të jashtëm dhe trajnerët ndërkombëtar.

Komandanti Sejdijaj tregon se të parët janë atë të cilët përzgjedhen në bazë të konkursit; të dytët janë stafi në kuadër të personelit civil dhe ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së; kurse të tjerët janë ekspertë të fushave jashtë institucioneve të shtetit dhe të fundit janë ekspertët të cilët nuk janë shtetas të Kosovës.

Isuf Deliu i cili momentalisht shërben si ekspert i fushës në Norvegji thotë se në kuptim të resurseve humane Qeveria duhet të ketë plan për të shfrytëzuar edhe diasporën, ndërkohë që konfirmon se ai vetë nuk ka asnjë kontakt me qeverinë në çfarëdo niveli.

“Besoj që individualisht secili prej neve që kemi prejardhje prej Kosovës edhe që jetojmë jashtë, me shumë qejf kishim me ndihmu qeverinë dhe secilin institucion që ka nevojë. Kjo duhet me ardhë prej qeverisë. Këto sende duhet me u përgatit paraprakisht”- shprehet Deliu.

Qendra, mundësi për bashkëpunimin në mes të shtetit dhe sektorit privat të konkurencë në fushën e sigurisë kibernetike

Problem i madh sa i përket ofrimit të shërbimeve dixhitale për institucionet publike, është konkurenca e madhe e shprehur veçanërisht në pagë nga sektori privat.

Sipas ligjit qeveria do të mund të përfitojë nga shërbimet e ekspertëve të vendit por që nuk punojnë në institucionet publike përmes “Marrëveshjeve për shërbimet e veçanta”.

Eksperti Deliu thotë se duke i marrë parasysh limitet buxhetore të Kosovës, inkurajimi i punëtorëve të këtij sektori duhet të vijë nga një aspekt tjetër.

“Ky problem është gjithkund në botë. Një shtet i zhvilluar është kur shteti nuk mund të garojë me biznesin privat në kuptim të pagës. Punëtorët që punojnë për shtetin duhet me pasë aso prestigji që nuk matet me rrogë. Që me qenë krenar që punojnë për shtetin dhe m`i ndje efektet e punës së tyre. Jo vetëm në Kosovë por në shumë vende shpesh kanë kalu kohë të gjata duke përgatitur plane e të tjera, por kur vjen tek koha e zbatimit ngecin. E tash një ekspert e ka problem me e motivu veten me punu për shtetin teksa e sheh që puna e tij nuk implementohet në praktikë, teksa edhe paguhet ma pak”- shpjegon Isuf Deliu.