Policia: Katër të plagosur në Lupç, 3 me armë zjarri e një me thikë

Katër persona kanë mbetur të plagosur në fshatin Lupç të Podujevës më 01.05.2024 rreth orës 16:00.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

Ahmeti tha se tre nga të lënduarit janë plagosur me armë zjarri dhe një nga ta me thikë.

“Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme  në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë)”- tha ajo për KALLXO.com

Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit, bëri të ditur zëdhënësja e Policisë së Kosovës.

(Shënim: Ky artikull është edituar, me ç’rast është hequr rreshti në fund që njoftonte për raportimin për një incident në Bardhosh. Koha e editimit: 02.05.2024, ora 12:20)