“Me pas kërcënu e kisha vra”, i shqiptohet masë disiplinore gjyqtarit Veli Kryeziu pas raportimit në KALLXO.com
“Me pas kërcënu me armë e kisha vra” ishte kjo fjalia e cila Gjyqtari i Gjykatës së Gjilanit, Veli Kryeziu kishte thënë përmes telefonit gjatë bisedës me gazetaren e KALLXO.com kur u pyet në lidhje me një rast që pretendohej se kishte kërcënuar një person në komunikacion.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shqiptuar masë disiplinore vërejtje publike me shkrim ndaj Gjyqtarit Veli Kryeziu pasi ky i fundit sipas dokumentit që ka publikuar institucioni ku punon, ka pranuar marrëveshjen e fajësimit për atë çfarë kishte thënë dhe nuk e kishte kontestuar atë.
“Sipas vlerësimit të panelit hetimor faktet kanë qenë jo kontestuese për arsye se kanë qenë publike, subjekti i hetimit në bisedë telefonike me gazetaren e KALLXO.com kishte deklaruar se: “me pas kërcënu me armë e kisha vra” dhe nuk i ka kontestuar edhe subjekti i hetimit”- thuhet në vendimin e KGJK-së të publikuar në faqen zyrtare.
Kryeziut i ishte hapur procedurë disiplinore pas lajmit që ishte publikuar në KALLXO.com ndërsa në seancën e mbajtur më 14 dhjetor 2022 ndaj tij ishte marrë vendimi për aprovimin e marrëveshjes vullnetare për pranim të fajësisë.
Në korrik të vitit të kaluar KALLXO.com kishte raportuar se, Gjyqtari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Veli Kryeziu dyshohej se kishte kërcënuar me armë një person.
Ngjarja kishte ndodhur më 28 maj ndërsa ishte mbajtur vetëm brenda organeve të rendit dhe të drejtësisë.
Kryeziu në një bisedë telefonike me KALLXO.com, nuk kishte pranuar të ketë kërcënuar dikë, ani pse ndaj tij tashmë kishte nisur procedurë ligjore në prokurori.
“Nuk kam ide. Me pas kërcënu me armë unë e kisha vra, (nuk kuptohet mirë gjatë bisedës) nuk bëj budallakia. Nuk jap koment, ditën e mirë”- kishte thënë shkurt, gjyqtari Kryeziu.
Me këto veprime sipas KGJK-së, Gjyqtari Kryeziu kishte shkelur Nenin 5 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në vendim thuhet se Kryeziu ka shkelur paragrafin 2.5 i cili thotë “ka keqpërdor pozitën zyrtare në çfarëdo forme për përfitime të paligjshme për veten”, paragrafin 2.15 i cili thotë “përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës ose mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit”.
Paneli hetimor për rastin e Kyreziut ishte themeluar më 8 shtator 2022.
Me datë 25 nëntor 2022, paneli kishte paraqitur raportin për hetim disiplinor dhe marrëveshjen vullnetare për pranim të fajësisë.
Po ndiqet penalisht nën dyshimin për kërcënim, gjyqtari i Gjilanit ‘me pas kërcënu e kisha vra’