Rrjedha si u hodh poshtë dosja e "Ferronikeli"-t për borxhin 9-milionësh

Kryesuesja e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Selvete Grajqevci- Pllana, në intervistën në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka treguar se si auditori kishte gjetur se ndërmarrja “Ferronikeli” nuk kishte raportuar drejt për xehen të cilën e kishte nxjerrë në Kosovë.

“Në janar na ka ardhë një raport prej Auditorit të brendshëm. Në raport njëra prej të gjeturave edhe çështja e “Ferronikeli”-t, Auditori ka bo auditim të brendshëm në Departamentin e Financave edhe e ka gjetur që “Ferronikeli” nuk ka vepruar drejt në përputhje me udhëzimin administrativ” – ka thënë ajo.

Kryesuesja Grajqevci Pllana ka thënë se sipas Auditorit “Ferronikeli” është dashur të raportojë xehen në gjendje të lagur, dhe jo të thatë.

“Auditori tha që deklarimi nuk u bë mirë, sepse udhëzimi administrativ e ka paraparë që xeheja që nxirret janë të detyruar me raportu me xehe të larguar, gjendja natyrore qysh nxirret. Ata paskan raportuar me xehe të thatë, në bazë të udhëzimit është dashur të raportojnë me lagështi” – tha ajo.

Çka tha komisioni që hetoi gjetjen e Auditorit?

KPMM kishte formuar një komision për ta adresuar gjetjen e Auditorit.

Kryesuesja Grajqevci Pllana ka sqaruar se komisioni i përbërë nga Xhavit Raci, Arbnor Blyta, dhe Florent Cikaqi kishte bërë një raport disamujor, dhe në atë raport ata kishin konstatuar se ndërmarrja nuk ka raportuar në bazë të udhëzimit administrativ.

“Këta të 3 kanë bërë një hulumtim, auditim dhe në bazë të të dhënave që ata kanë raportuar në KPMM edhe në bazë të gjendjes në terren e kanë konstatuar që ‘Ferronikeli’ në KPMM nuk ka raportuar drejt” – ka thënë ajo.

“Raporti i ka disa faqe, më shumë është me tabela me numra, për secilën licencë prej 2011, ata kanë licenca edhe në Gllavicë edhe në Qikatovë në dy vende, edhe në fund kanë ardhë në përfundim që ‘Ferronikeli’ nuk ka raportuar drejt dhe i ka borxh KPMM-së 9 milion euro” – ka shtuar ajo.

Pasi që kishte pranuar këtë raport të komisionit, Sali Mulaj zëvendës i drejtorit në KPMM i kishte drejtuar një njoftim për dështim ndërmarrjes ‘Ferronikeli’.

Në këtë njoftim për dështim, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, figuron se borxhi i “Ferronikeli”-t ndaj KPMM-së është 9,019,979.44 euro.

Sipas arsyetimit, ndërmarrja “Newco Ferronikeli Complex” nuk u është përmbajtur kushteve të licencës të parapara në LMM-në nr. 03/L-163.

 ‘Negociatat’ mes KPMM-së dhe “Ferronikeli”-t

“Ferronikeli” e kishte përjetuar rëndë vendimin për dështim me 9 milionë euro, sipas kryesues së bordit të KPMM-së, Selvete Grajqevci Pllana.

“Ai e ka marrë njoftimin, shumë rëndë e ka përjetu dhe ata zyrtarët ligjorë, ata kanë bo kërkesa disa herë, kanë ardhë te na shumë të shqetësuar. Kanë thanë që ne kemi raportuar mirë, në përputhje me ligjin edhe jemi gjithçka në rregull” – ka thënë ajo.

Bordi, i cili kishte qenë shkalla e dytë e vendosjes për ankesën e “Ferronikeli” kishte zhvilluar dy takime me përfaqësuesit e ndërmarrjes.

“Krejt bordi komplet, edhe drejtori, edhe udhëheqësit e Departamentit gjeologji, financa, i kemi takuar dy herë. Ata i kanë paraqitur shqetësimet e veta, kanë thanë ju po na boni të padrejtë, gjithkund renta paguhet me xehe të thatë” – ka thënë ajo.

“Ka ndodhë masi e kanë marrë njoftimin për dështim, ankesën e kanë bërë ndërkohë. Ka ardhë përfaqësuesi i tyre, takimet kanë zgjatë 30 minuta, ata nuk kanë hyrë në raport në tabela, ata kanë kërku që borxhi me ju hekë, ata kanë thanë qysh po na detyroni me pagu rentën me ujë” – ka shtuar ajo.

Si iu zvogëlua për 8 milionë borxhi “Ferronikeli”-t?

Kryesuesja e bordit të KPMM-së, Selvete Grajqevci Pllana, ka sqaruar se si komisioni i ankesave kishte trajtuar ankesën të cilën “Ferronikeli” e kishte bërë ndaj 9-milionëshit të KPMM-së.

Komisioni i ankesave, sipas kryesueses Grajqevci Pllana, kishte thënë se “Ferronikeli” ka raportuar drejt, por duhet ta paguajë diferencën për ta bërë unifikimin në të dy departamentet drejt.

“Rekomandimi thotë: aprovohet ankesa e ‘Ferronikeli’-t pjesërisht pas arsye se ‘Ferronikeli’ ka raportuar gjatë këtyre viteve por nuk ka raportuar njëjtë si në Departament të gjeologjisë, si në Departament të financave, edhe qat diferencën mbetet obligim nga 2011 me bo pagesën te KPMM-ja” – ka thënë ajo.

“Borxhi këtyre i ka dalë 1 milion e diçka, këta thanë që ‘Ferronikeli” ka raportuar drejt me xehe të thatë, por s’ka raportu njëjtë në dy departamente” – shtoi ajo.

Kryesuesja Grajqevci Pllana ka thënë se ajo dhe anëtari Jahir Gashi kanë qenë në një linjë, pra kanë kërkuar që të merret parasysh vendimi i komisionit të ankesave,  i cili kishte konstatuar që ankesa e KPMM-së duhet pranuar pjesërisht.

“Unë kam thanë që unë jam me aprovu vendimin e Komisionit të Ankesave, pas meje fjalën e ka marrë anëtari i bordit Jahir Gashi, ai tha që ka hulumtuar dhe tha që është i bindur që ata duhet me aprovu me xehe të thatë, edhe ky e aprovoi vendimin e komisionit të ankesave”  –  tha ajo.

Kryesuesja Grajqevci Pllana ka thënë se anëtarja e komisionit, Rrezarta Pushkolli Makolli, dhe anëtarët Gani Maliqi e Gani Kastrati kanë kërkuar që “Ferronikeli” të paguajë për rentën nga 2018 deri më tani.

“’Ferronikeli’ është dashtë me raportu me udhëzimin administrativ nga 2011 deri sot, tha mbetet obligim 2018 deri sot, a udhëzimi ka hyrë në fuqi më 2011, sepse kur e ka bo bartjen e kontrollit kur është shitur, i ka shkuar një raport prej Departamentit të Financave që nuk ka borxhe, përse atëherë nuk e kanë njoftu ‘Ferronikeli”-n që nuk ka raportu drejt” – theksoi ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar ndërmarrjen “Ferronikeli” për të marrë versionin e tyre lidhur me vendimin e KPMM-së.

Në një përgjigje për KALLXO.com nga kjo ndërmarrje kanë thënë që në këtë fazë nuk mund të japin ndonjë deklaratë.

“Çështja është duke u vlerësuar nga organet përkatëse institucionale. Në këtë kuptim, përderisa nuk është kërkuar zyrtarisht versioni ynë, në këtë fazë, nuk e vlerësojmë të arsyeshme që të bëjmë ndonjë deklaratë që mund të shkaktojë keqkuptime apo të ndikojë në një vendim të mundshëm” – thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.

Anëtari i bordit, Jahir Gashi, në një përgjigje për KALLXO.com ka dhënë sqarimin e tij për zvogëlimin e 9-milionëshit.

“Nuk bëhet fjalë për një falje borxhi por për një keqinterpretim të mënyrës së inkasimit  i kërkuar nga Auditori i Brendshëm i KPMM-së. Për ndryshimin që është për ujë edhe  ka dalë vlera prej vitit 2011-2021 si  diferencë prej 8 milionë euro me të cilën e kemi konsideruar se nuk është borxh dhe se forma e raportimit dhe pagesës së rentës që e ka bërë kompania  gjatë kësaj periudhe është në rregull” – ka thënë ai.

“Nëse futet lagështia në llogaritje atëherë renta është dashur t’i llogaritet 34.5%, e këso vlere të rentës nuk ka kurrkund në botë” – ka shtuar ai.