Impakti Kallxo, gjyqtares Lidija Vuçuroviq i shqiptohet masë disiplinore nga KGJK

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur të ndërmarrë masa disiplinore në rastin e gjyqtares Lidija Vuçuroviq, pjesë e Gjykatës së Apelit, Divizioni në Mitrovicë. Ky vendim është marrë pas një raportimi nga Kallxo.com.

Gjyqtares Vuçuroviq i është shqiptuar masë disiplinore vërejtje publike me shkrim.

Më datën 13 dhjetor 2022, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pranuar një kërkesë për nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares Lidija Vuçuroviq nga Autoriteti kompetent.

Kërkesa është bazuar në raportimin se gjyqtarja Lidija Vuçuroviq ka marrë pjesë në një takim, siç është raportuar në “Kallxo.com”.

Autoriteti kompetent ka përfshirë fotografitë e publikuara nga “Kallxo.com” me një mbishkrim që thotë “Pjesëmarrja e gjyqtarëve në takimin e Listës Serbe” më datën 5 nëntor 2022, dhe shkresat e mediave tjera vendase me titullin “Zyrtarët e lartë të drejtësisë pjesëmarrës në takimin e Listës Serbe”.

Në mbledhjen e mbajtur më datën 27 dhjetor 2022, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka themeluar një panel hetimor për shqyrtimin e kësaj çështjeje.

Ky panel, në përputhje me afatin ligjor, ka kryer hetimin disiplinor dhe ka mbajtur një seancë dëgjimore më datën 3 mars 2023. Në këtë seancë, subjekti i hetimit disiplinor ka prezantuar argumentet dhe pas përfundimit të hetimit, ka dorëzuar një raport me faktet dhe provat e mbledhura te Këshilli për vendosje për shkelje disiplinore nga ana e gjyqtares Lidija Vuçuroviq.

Në seancën e datës 18 maj 2023, para Këshillit, gjyqtarja Lidija Vuçuroviq ka deklaruar se pranon të gjitha deklaratat e saj para panelit hetimor.

E njëjta kishte pranuar se ka marrë pjesë në takimin e datës 5 nëntor 2022, por ka theksuar se nuk e dinte natyrën e takimit dhe kush ishte organizatori i tij.

Ajo ka argumentuar se ishte ftuar në mënyrë urgjente për të diskutuar punën e tyre si gjyqtarë të komunitetit serb në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit, gjyqtarja Lidija Vuçuroviq ka theksuar se gjatë karrierës së saj si gjyqtare, nuk ka qenë e përfshirë në asnjë aktivitet politik.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pasi ka analizuar të gjitha provat, ka vlerësuar se pjesëmarrja e subjektit të hetimit pra gjyqtares, në takimin e datës 5 nëntor 2022 nuk është e dyshimtë, por ka konsideruar se, edhe pse gjyqtarja nuk ishte e informuar për natyrën e takimit, ajo mund të kishte tërhequr pjesëmarrjen e saj kur e ka kuptuar se kush e kishte organizuar takimin. Kjo mund të ishte bërë për të parandaluar ndikimin në besueshmërinë e publikut në pavarësinë e gjyqtarit.

Sipas vendimit, detyrimi i gjyqtarit sipas konsideratave të Këshillit është i lidhur me sjelljen dhe nxitjen e besimit të publikut ndaj sistemit gjyqësor, dhe këto përcaktohen nga rregullat e Kodit të Etikës Profesionale për gjyqtarë. Këtë vendim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e mori me 28 korrik 2023.

Sipas vendimit, masa disiplinore e shqiptuar vlerësohet si adekuate për shkeljen e kryer. Kjo pasi, në situatën specifike, nuk ishte e mundur të aplikohet masa e zbritjes së pagës për subjektin e hetimit, pasi ky subjekt është një gjyqtar që ka deklaruar tërheqjen.

Masa të tjera disiplinore janë konsideruar si jo proporcionale, sipas vendimit, ndërsa kjo masë disiplinore është bazuar në Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe synon të ndikojë te subjekti i hetimit për të korrigjuar sjelljen e tij në ushtrimin e detyrave të tij në të ardhmen.

KALLXO.com raportoi edhe për masat që ka marrë KGJK për dy gjykatësit tjerë që kishi marrë pjesë në të njëjtin tubim.

Raportimi i KALLXO.com, KGJK i propozon presidentes shkarkimin e gjyqtarit Nikola Kabashiq

KGJK i propozon presidentes shkarkimin gjyqtares serbe Liljana Stevanoviq