Dosja e KALLXO.com, arrestohet Faruk Mujka

Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë, kane sqaruar se arrestimi i ish-nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka është bërë pas hulumtimit të emisionit Kallxo Përnime vitin e kaluar.

Më 18 prill të vitit 2022, në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua hulumtimi se si Komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri.

Biblioteka e qytetit me vendimin e bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës ishte larguar nga objekti i “Bankosit” për t’u vendosur në një qendër sportive në Mitrovicë.

Hapësira prej 139 metra katrorë e katit përdhesë e ndërtesës së “Bankosit” në sheshin e Mitrovicës ka kaluar nga prona shtetëror në pronë private.

KallxoPernime ka gjetur se ekzekutivi i komunës së Mitrovicës nëpërmjet drejtorisë së kadastrës kishte kërkuar nga Kuvendin Komunal në Mitrovicës votimin e këtij vendimi e i cili ishte votuar me vota unanime.

Mujka është arrestuar pas një operacioni anti-korrupsion dhe bastisjes që kryen Forcat Speciale Policore.

Forcat Speciale Policore kanë kryer bastisje në dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve me inicialet F.M. dhe H.M.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale në njërin lokacion janë gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro.

Siç njofton Prokuroria, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut”- thuhet në njoftim.