Obiliqi - Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com
Si po i rekruton shkolla serbe fëmijët e komuniteteve joshumicë në Obiliq?
Të paktën dy fëmijë të komunitetit joshumicë në Obiliq nuk janë duke vijuar mësimin në gjuhën shqipe në shkollën ku kanë qenë deri më tani.
Një material i filmuar më 21 shtator nga KALLXO.com dëshmon se si këta nxënës po binden të kalojnë në sistemin paralel në gjuhën serbe.
KALLXO.com ka biseduar me tri nëna, të cilat i dërgojnë fëmijët në shkollën serbe.
Ato tregojnë se po i çojnë fëmijët në shkollën serbe sepse kushtet janë më të mira për fëmijët e tyre.
Gjithashtu, këto nëna tregojnë se përveç fëmijëve përfitojnë materialisht edhe familjet e tyre.
Ato pretendojnë se secili fëmijë i tyre merr nga 50 euro çdo muaj, se në shkollë u ofrohen librat, ushqim dhe transport falas. Të gjitha këto i marrin nga shkolla e cila, sipas këtyre nënave, burimet i ka nga Beogradi.
Ndërkaq, e gjitha kjo është arritur pasi përfaqësues të shkollës serbe kanë shkuar në shtëpinë e tyre dhe u kanë thënë nëse janë të interesuar t’i sjellin fëmijët në shkollën e tyre.
“Kanë thanë që doni me ardhë me i çu fëmijën, që jo me zor unë s’muj me jua marrë fëmijën. Derisa i kena çu një muaj a dy, e kanë pa çfarë gjendje kemi, tani ata prapë na kanë ardhë, kanë thanë – hajt na prej qejfit dojna, deri 18 vjet fëmija me marrë pare, me marrë veshje, mbathje, plus edhe autobusin” – ka treguar nëna e dy fëmijëve.
Lidhur me këtë çështje KALLXO.com e ka pyetur edhe Drejtorinë e Arsimit në Obiliq.
Drejtoria e Arsimit u ka bërë thirrje organeve shtetërore që të merren me këtë çështje.