Sa para harxhoi Kuvendi i Kosovës për dreka zyrtare?

Mbi 40 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit drekat zyrtare të kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe anëtarëve tjerë të Kuvendit të Kosovës në gjashtë muajt e parë të vitit 2023.

Këto dreka janë organizuar në disa prej restoranteve tw vendit, derisa vetëm në njërën prej tyre janë shpenzuar mbi 3 mijë euro.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KALLXO.com ka siguruar raportin financiar për gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Në këtë raport thuhet se 13 mijë e 969 euro janë shpenzuar nga shërbimet në bufenë e Kuvendit.

Dreka më e shtrenjtë që është paguar kapë vlerën 3 mijë e 420 euro, e organizuar për shënimin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Sipas të dhënave, prej janarit deri në qershor të vitit 2023, kryetari i Kuvendit të Kosovës ka shpenzuar rreth 7 mijë e 690 euro për shtatë dreka zyrtare. Prej tyre, një drekë është organizuar për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një tjetër për shënimin e 145 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe 610 euro janë shpenzuar për një iftar të shtruar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca në kohen e muajit të Ramazanit.

Infografika: Diar Vuçetaj/Kallxo.comNdërsa për drekat tjera zyrtare të tij, Kuvendi në raportin financiar nuk ka dhënë sqarime tjera.

Për dreka zyrtare kanë shpenzuar edhe Komisionet Parlamentare të Kuvendit.

Në tre mujorin e parë të 2023-tës, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport ka shpenzuar para në pesë dreka zyrtare që gjithsej kapin shifrën 578 euro.

Ndërsa, në tre mujorin e dytë, prej komisioneve më së shumti dreka zyrtare ka organizuar Komisioni për Legjislacion, gjithsej shtatë dreka zyrtare për të cilat janë shpenzuar 985 euro e 90 cent.

Para nga kuleta e shtetit janë shpenzuar edhe për një drekë zyrtare jashtë vendit. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi dhe delegacioni në udhëtimin zyrtar në Francë kanë shpenzuar 666 euro e 90 cent për një drekë zyrtare, pagesë e cila është kryer më 16 maj 2023.

Në raportin financiar të Kuvendit të Kosovës nuk janë të detajuara se nga cilët deputetë janë shpenzuar këto para dhe se çfarë është ngrënë në këto dreka.

KALLXO.com në kuadër të dosjes ‘Sa han Shefi’ dhe dosjes ‘Sa han kryetari’ në vazhdimësi ka raportuar për shpenzimin e parës publike si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal.