Ilustrim

Rrenat për FSK-në

Informacionet që shpërndahen në rrjete sociale e që kanë të bëjnë me Forcën e Sigurisë së Kosovës shpeshherë janë ndër më të klikuarat. Por, jo gjithmonë këto publikime janë të vërteta. 

Krypometri si pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikim të Fakteve (IFCN) në vazhdimësi është duke monitoruar mediat online dhe faqet e ndryshme në internet që publikojnë informacione që janë të rreme e që lidhen me Forcën e Sigruisë së Kosovës. 

Në disa raste, fotografi e video të ndryshme nga vende të tjera u prezantuan si armatim që i përket FSK-së, e po ashtu armatimi e makineritë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR u prezantuan si armatim i Ushtrisë së Kosovës. Informacione të tilla më pas u ripublikuan e u shpërndanë në faqe të ndryshme në internet.

Rrena për prejardhjen e armës së ushtarit 

Më 24.03.2024, në grupin në Facebook ‘DIASPORAmeALBININ’ (arkiva) është publikuar një fotografi e një ushtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke ia mbuluar fytyrën me një armë në duar.

Mbi fotografi është vendosur mbishkrimi “Carl Gustav 84mm (prodhim suedez). Anti tank FSK e ka tashme. TA GËZOJ FSK, ARMATIMI MË I SOFISTIKUAR”.

I njëjti postim është bërë edhe në faqen në Facebook, ‘Diaspora me Albinin’ (arkiva).

Krypometri ka pyetur ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, nëse FSK-ja posedon këtë lloj të armatimit, siç pretendohet në fotografi e përshkrim.

Maqedonci ka thënë se FSK-ja ka disa sisteme të tjera të armatimit.

“Jo, janë do sisteme tjera nga Gjermania, Turqia dhe SHBA (Javelin), por jo Carl Gustav. Në fakt, e kemi pasë një ndër opsionet për blerje të këtij sistemi, por këtë sistem, pra ‘Carl Gustav’, nuk e kemi specifikisht”- ka thënë Maqedonci për Krypometër.

Më 11.01.2024, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte konfirmuar se Kosova i ka nisur kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor kundërtank “Javelin”.

“Për sistemin ‘Javelin’ është dërguar kërkesa dhe e njëjta është pranuar nga SHBA”– tha Maqedonci.

Ai më pas, më 12/02/2024, sqaroi se ka përfunduar periudha 30-ditore (arkiva) e njoftimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin”, e se tashmë është hapur rruga që të vazhdohet me hapat e tjerë.

Raketat Javelin u prodhuan dhe zhvilluan për ushtrinë amerikane dhe trupat detare të saj.

Në faqet në Facebook dhe Tiktok janë publikuar disa video të armëve me pretendimet se të njëjtat i posedon Ushtria e Kosovës, mirëpo kjo ishte mohuar nga Ministria e Mbrojtjes.

Rrena se FSK-së do t’i shtohen helikopterët T129 

Më 06.04.2024, faqja në Facebook-ut ‘Diaspora me Albinin’ (arkiva) ka publikuar disa fotografi të helikopterëve ushtarakë turq me mbishkrimin “Mirmengjesi njerez te mire! Ne vitin 2025 FSK-së pritet ti shtohen helikopter TAI T129. Ushtria e Kosoves ne krye me Albin Kurtin po forcohet cdo dite e me tepër”.

Krypometër ka kontaktuar me Ministrinë e Mbrojtjes për të sqaruar nëse Forca e Sigurisë së Kosovës do të pajiset me helikopterë të tillë.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha për Krypometër se informacioni që do të blejnë helikopterë nga Turqia është i pasaktë.

“Ministria është në negociata për të blerë helikopter Amerikan. Nuk kemi përgjigje të saktë se kur do të nënshkruhet kontrata. Informacioni se do blejmë helikopter nga Turqia është i pasaktë dhe nuk jemi në negociata të tilla”- tha Maqedonci.

Krypometër pas kërkimit në internet ka gjetur se T129 është një helikopter sulmues me shumë role me dy motorë i projektuar dhe prodhuar bashkërisht nga Industria e Hapësirës Ajrore Turke (TAI) dhe Agustëestland me bazë në Itali për të përmbushur kërkesat e Forcave të Armatosura Turke.

T129 mund të ekzekutojë një sërë misionesh, duke përfshirë luftimin, zbulimin e armatosur, shoqërimin e armatosur, goditjen e thellë, mbështetjen e zjarrit, goditjen precize, sigurinë dhe shtypjen e mbrojtjes ajrore të armikut. 

Mund të funksionojë si në ditë ashtu edhe në natë e në kushte të pafavorshme moti.

Rrena se Turqia solli tanke në Kosovë

Më 22.03.2024 faqja në Facebook ‘Portali Alt’ (arkiva) ka publikuar një fotografi të disa tankeve dhe të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani e homologut të saj turk Recep Taip Erdogan më mbishkrim: “Turqia i bën donacion artileri të rëndë Kosovës duke e furnizuar me 5 ObusTanke M52T të modernizuar”.

Tutje, në këtë postim është theksuar se “nga muaji Maj do të nisen për Kosovë si donacion nga shteti mik Turqia, vendimi u nënshkrua nga Presidentët e dy shteteve për bashkëpunim miqësor ku Kosova do të blej edhe disa dronë turk Bayraktar TB-2”, duke potencuar se i janë referuar mediave turke.

Postimi ka marrë mbi 400 reagime dhe 17 shpërndarje.

I njëjti lajm me po këtë përshkrim dhe ilustrim është shpërndarë edhe në faqen KosovaLajm.net (arkiva).

Krypometër, fillimisht në faqen e Presidencës së Kosovës, ka gjetur komunikatën e lëshuar me rastin e vizitës së Presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu në Turqi dhe aty nuk përmendet nënshkrimi i marrëveshjes për donacion  artilerisë së rëndë “5 ObusTanke M52T të modernizuar”.

Krypometër ka dërguar pyetje tek Zyra e Presidencës për të konfirmuar vërtetësinë e këtij postimi nga faqja ‘Portali Alt(arkiva).

“Është lajm tërësisht i pavërtetë”- ka thënë në një përgjigje për Krypometër, këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina.

Në një prononcim për Krypometër ky lajm është demantuar edhe nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Jo, ne nuk kemi pranuar donacion automjetet Vuran me mortajë 120mm”- ka deklaruar Maqedonci.

Në korrik të 2023 kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte njoftuar se kanë blerë dronë të llojit Bajraktar nga Turqia. Turqia ka edhe trupa ushtarake në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR).

Armatimi i KFOR-it prezantohet rrejshëm si i FSK-së 

Më 12.04.2024, faqja e Facebook-ut ‘Kaçaniku ME Rrethinë’ (arkiva), ka publikuar një video në të cilën shihen disa pajisje të rënda dhe makineri ushtarake.

Postimi mban përshkrimin “Armatimi i ushtrisë së Kosovës, arrin në Kaçanik. Forca #Kosovë”, përderisa në pamje shihen edhe disa automjete në të cilat kanë mbishkrimin “KFOR”.

E njëjta video është publikuar edhe në faqja ‘Kaçaniku 05’ (arkiva) dhe në grupin ‘DiasporameAlbinin” (arkiva).

Krypometër ka kontaktuar Ministrinë e Mbrojtjes për të sqaruar nëse Forca e Sigurisë së Kosovës është furnizuar me makineri, siç pretendohet në këto publikime.

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci tha për Krypometër, se ato mjete nuk janë të dedikuara për FSK-në dhe se ministria nuk ka realizuar ndonjë transport të kësaj natyre.

“Këto mjete nuk janë të dedikuara për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ne nuk kemi realizuar ndonjë transport të kësaj natyre. Duhet të kontrolloni nëse KFOR ka kryer ndonjë transport këto ditë”- ka konfirmuar ministri Maqedonci.

Më tej, Krypometër i është drejtuar edhe misionit paqeruajtës të NATO-së në Kosovë, KFOR. 

Nga KFOR kanë thënë se makineritë që shihen janë për njësitë shtesë gjermane që pritet të vendosen në Kosovë.

“Ne mirëpresim vendosjen e trupave shtesë gjermane në KFOR. Ardhja e këtyre njësive do të nxisë më tej forcën e KFOR-it dhe do të na lejojë të mbajmë një prani fleksibile, të adaptueshme dhe të dukshme në mbarë Kosovën dhe të vazhdojmë të përmbushim mandatin e misionit të OKB-së për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”- kanë thënë nga KFOR, në një përgjigje me email për Krypometër.

Ndërkaq, më 15.04.2024, Ndërmarrja Publike Hekurudhat e Kosovës Trainkos Sh.A, bëri të ditur se transporti i  kontejnerëve, pajisjeve të rënda dhe mjeteve ushtarake për nevojat e KFOR-it Gjerman është realizuar me sukses.

“Transporti i kontejnerëve, pajisjeve të rënda dhe mjeteve ushtarake për nevojat e KFOR-it Gjerman është realizuar transporti me sukses nga Trainkos Sh.A..”- thuhet në postimin e Trainkos.

Në tetor të vitit 2023, u paralajmërua se Gjermania, në prill të vitit 2024, do të dërgojë rreth 150 ushtarë në kuadër të misionit të NATO-së në Kosovë.

Për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës vitin e kaluar, që u përcollën me protesta të dhunshme në të cilat u lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, NATO njoftoi për rritjen e pranisë ushtarake në Kosovë.

Në anën tjetër, më 11.04.2024, pesë kamionë ushtarakë i janë shtuar Ushtrisë së Kosovës si donacion nga Gjermania. Përmes një ceremonie në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, u bë pranim-dorëzimi i pesë kamionëve ushtarakë në vlerë prej 2.7 milionë euro.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde tha kamionët do të shërbejnë për logjistikën në regjimentet e FSK-së.

Armatimi i prezantuar në Adu Dhabi paraqitet rrejshëm si donacion për Kosovën 

Më 05.02.2024 faqja në Facebook “Rosu” ka publikuar një video me mbishkrimin “Donacion i ri dhe shumë i fuqishëm Elhamdulilah për hajr na koft” (Arkivi). 

Në këtë video janë prezantuar disa armë dhe pajisje të ndryshme ushtarake, për të cilat është thënë se i janë dhënë Kosovës si donacion.

Krypometër, përmes kërkimeve në ‘Google Lens’, ka gjetur se pamjet që shihen në këtë video janë xhiruar në panairin e armëve International Defense Exhibition IDEX, që është mbajtur Abu Dhabi.

Për të verifikuar pretendimet e bëra në videon e publikuar nga faqja “Rosu”, Krypometër ka kontaktuar me Ministrinë e Mbrojtjës, të cilët kanë thënë se Kosova nuk ka marrë donacion këtë lloj të armatimit që është prezantuar në këtë video.

“Nuk kemi pranuar një donacion të tillë”- ka thënë këshilltarja politike në Ministrinë e Mbrojtjes, Liridona Gashi.

Ajo ka thënë se pnë këtë video shihen “pamje të panaireve të kompanive që prodhojnë armë”.

Në faqen zyrtare të ministrisë së Mbrojtjes nuk ka njoftim që Kosova ka pranuar pajisje të tilla ushtarake si donacion.

Në korrik të vitit 2023, Kosova ka blerë (arkiva)  dronë Bayraktar TB-2. Më 20.07.2023, Ministria e Mbrojtjes (arkiva) kishte thënë se se brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës ekziston një kornizë për sa i përket përdorimit të dronëve.

Kosova kishte nisur një kërkesë (arkiva) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor kundërtank “Javelin”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, më 12.02.2024 kisthe thënë se ka përfunduar periudha 30-ditore (arkiva) e njoftimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin”, e se tashmë është hapur rruga që të vazhdohet me hapat e tjerë. 

Rrena se Ushtria e Kosovës ka armatimin “më të fuqishëm të botës”

Më 16.01.2024, faqja në Facebook “Rosu” (arkiva). ka publikuar një video të shkurt (reals) me mbishkrimin “Armatimi më i fuqishëm i botës tashmë në dorë të Ushtrisë së Kosovës MashaaAllah” (arkiva).

E njëjta video ishte publikuar edhe në faqen në Facebook “Mesele” (arkiva).

Në këto video janë prezantuar disa armë, të cilat është pretenduar se tashmë i takojnë Ushtrisë së Kosovës.

Për të verifikuar pretendimet e ngritura në këtë video, Krypometër fillimisht ka shikuar nëse në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes është publikuar ndonjë njoftim për blerjen e armatimit që shihet në këtë video. 

Në faqen e ministrisë së Mbrojtjes nuk ka asnjë njoftim që tregon se Kosova ka blerë këtë armatim.

Qeveria e Ministria e Mbrojtjes në vazhdimësi ka bërë publike rastet kur ka blerë armatime dhe pajisje ushtarake. 

Në korrik të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (arkiva) kishte prezantuar blerjen e dronëve Bayraktar TB-2, të cilat iu ishin shtuar arsenalit të ushtrisë.

Më pas, më 20.07.2023, Ministria e Mbrojtjes (arkiva) kishte treguar se brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës ekziston një kornizë për sa i përket përdorimit të dronëve.

“Sa i përket përdorimit të dronëve ekziston korniza brenda FSK-së që e rregullon këtë aspekt, e po ashtu nuk ekziston ndonjë nen përjashtues brenda Rregullores për Sistemet e Mjeteve Ajrore Pa Pilot” – ishte thënë në përgjigjet e ministrisë. 

Më 11.01.2024, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci (arkiva), kishte konfirmuar se Kosova i ka nisur kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor kundërtank “Javelin”.

“Për sistemin ‘Javelin’ është dërguar kërkesa dhe e njëjta është pranuar nga SHBA”– tha Maqedonci.

Ai më pas, më 12.02.2024, tregoi se ka përfunduar periudha 30-ditore (arkiva) e njoftimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin”, e se tashmë është hapur rruga që të vazhdohet me hapat e tjerë.

Për të verifikuar pretendimet e bëra në videon e publikuar nga faqja “Rosu”, Krypometër ka kontaktuar me Ministrinë e Mbrojtjës, të cilët kanë thënë se nuk janë pamje të armatimit të FSK-së.

“Është shumë e qartë që janë pamje të panaireve të kompanive që prodhojnë armë”- ka thënë këshilltarja politike në Ministrinë e Mbrojtjes, Liridona Gashi në një përgjigje më 23.02.2024.