Foto: SBASHK/ Facebook

Në ditën e punëtorëve protestohet në Kosovë

Sot, më 1 maj 2024, në Kosovë pritët të ketë një protestë të thirrur nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK).

Sipas njoftimit, protesta pritet të nis në ora 10:30 ndërsa ndër arsyet e përmendura nga kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka qenë për shkak të qasjes “së keqe të Qeverisë ndaj punëtorëve të arsimit”.

Në ora 10:00, Rinia Demokratike e Kosovës, ka paralajmëruar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka marrë një vendim që më 1 maj mos të ketë qarkullim të veturave për në parkun ‘Gërmia’.

“Kryetari i Kryeqytetit ka nënshkruar urdhëresë që për 1 Maj, të ndalohet qarkullimi i mjeteve të transportit në drejtim të parkut “Gërmia”, përveç autobusëve të linjës 4 të NPL “Trafiku Urban”, automjeteve të policisë së Kosovës, të KFOR-it, të EULEX-it, të NPL “Gjelbër”, të KRM “Pastrimi”, të Drejtorisë së Inspektoratit dhe automjeteve emergjente. Linja 5 e transportit publik do të punojë sipas itinerarit dhe orarit të rregullt deri në Sofali”- thuhet në njoftimin e komunës.

1 Maji është Dita Ndërkombëtare e Punës e cila shënohet çdo vit për të kërkuar të drejtat e punëtorëve.