Hulumtimi i KALLXO.com për tenderin 155 mijë euro, aktakuzë ndaj pronarit të kompanisë

Hulumtimi i publikuar në KALLXO.com “Dyshime të forta se tenderi 155 mijë euro u fitua përmes dokumentacionit të falsifikuar”, ka rezultuar me aktakuzë ndaj pronarit të kompanisë “ARF. Sh.P.K” , Avdi Koca.

Pronari i kompanisë, Avdi Koca ishte ndaluar në mars të këtij vitit nga Policia e Kosovës nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në keqpërdorim dhe mashtrim me prokurim Publik.

KALLXO.com mëson se prokuroria në Gjilan ka ndërmarrë hapat e nevojshëm hetimor dhe ndaj A.K., ka ngritur aktakuzë për veprën penale keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini.

“Ju njoftojmë se për këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, pas zhvillimit të hetimeve, më 18 Prill 2023 ka ngritur aktakuzën ndaj të pandehurit A.K., për shkak të veprës penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, nga neni 415 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”- konfirmoi Xheladini.

Ky artikull ishte botuar në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” i financuar nga BE, zbatuar nga Demokraci Plus (D+).

KALLXO.com kishte raportuar se Kompania “ARF Sh.P.K” kishte arritur të nënshkruajë një kontratë për ‘furnizim me material zyrtar’ në vlerë 155 mijë euro me Komunën e Gjilanit falë një dokumenti që dyshohet se është i falsifikuar.

Gjatë fazës së tenderimit, kjo kompani ka dorëzuar në Komunën e Gjilanit një referencë të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes se gjoja e njëjta ka kryer me sukses një kontratë me këtë ministri për kohën që është kërkuar nga Komuna e Gjilanit.

Përmes këtij dokumenti, kjo kompani ka arritur të plotësojë një nga kriteret e tenderit që operatori ekonomik ka kryer me sukses tri kontrata të natyrës së ngjashme në tri vitet e fundit.

Një nga dokumentet që ishte në dosjen e kompanisë “ARF Sh.P.K” ishte një referencë që pretendohet që është lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes më 31 janar 2019, për një kontratë në vlerë 80 mijë e 363 euro.

Kjo referencë nuk posedonte vulën e Ministrisë së Mbrojtjes, institucioni që pretendohet që e ka lëshuar. Madje, kjo referencë e dorëzuar nuk posedonte fare vulë.

Në një përgjigje në atë kohë, nga kompania “ARF Sh.P.K” deklaronin se nuk kanë qenë në dijeni për këto parregullësi.

“Ju njoftojmë që të gjitha dosjet e tenderit dhe dokumentacionet për dorëzim të ofertave janë përgatitur nga babai ynë Halil Fazli Koca, tashmë i ndjerë. Pas humbjes së prindit tonë, ne fëmijët e tij, jemi munduar që të vazhdojmë biznesin që babai jonë na e ka lënë” – kishin thënë në atë kohë nga kompania “ARF Sh.P.K”

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni më poshtë.

Dyshime të forta se tenderi 155 mijë euro u fitua përmes dokumentacionit të falsifikuar