Dy gazetarët e KALLXO.com fitojnë çmimet për TV Storjet më të mira të vitit

Çmimet për “TV Storjen më të mirë të vitit” të ndarë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sot i kanë fituar dy gazetarët e KALLXO.com, Behar Mustafa dhe Valon Fana.

Mustafa e Fana kanë qenë pjesë e ndarjes së këtyre çmimeve ku të dy u shprehën falënderues ndaj AGK-së për ndarjen e këtyre çmimeve.

“Ne kemi shumë punë ende në ‘Brezovicën’, kemi me vazhdu me raportu për krejt çka po ndodhë në këtë proces” – tha Mustafa.

Edhe Fana tha se është i lumtur për çmimin që ai fitoi.

“Kënaqësi e veçantë me pranu këtë çmim. Në shtator i kemi taku minatorët, e kemi pa me çka po ballafaqohen e është lënë anash ndërmarrja. E kemi përmbledh situatën edhe e kemi prezantu” – tha Fana.

“Dosja e Brezovicës” është TV Storja më të cilën Behar Mustafa fitoi çmimin, hulumtim ky i zhvilluar në një seri publikimesh që tregojnë se si pronarë të bizneseve të mëdha në Kosovë dyshohen për dhënie të parave mito në shifra qindra mijëshe.

Kjo TV Storje shpjegon se si ndodhi e rrodhi korrupsioni në Kosovë, në zonën e Brezovicës.

Bastisje e aksione të vazhdueshme të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me organet e tjera kompetente u zhvilluan për këtë rast, ku hulumtimi dëshmon edhe rolin që pati Millan Radoiçiq në rast e edhe pamjet ekskluzive të arratisjes së tij nga Policia e Kosovës.

Hulumtimi i Mustafës që filloi tri vite më parë prezantoi para publikut si u zbuluan bunkerë me para që u gjetën në shtëpi të personave që mbanin pozita zyrtare në institucionet lokale të vendit, e dëshmoi se si për përfitim të personave të caktuar u manipulua edhe me ndryshimin e emrit të një lumi.

Detaje të shumta të këtij rasti mund t’i gjeni duke klikuar në profilin e autorit të hulumtimit, KËTU.

E po ashtu edhe në këto tri linqe:

1.     https://www.youtube.com/watch?v=Dlo8OA7K26Q

2.     https://www.youtube.com/watch?v=NJ1Ytz9GHHU

3.     https://www.youtube.com/watch?v=NaUCSNMfS-o

Edhe Valon Fana fitoi çmim në kategorinë e njëjtë, për hulumtimin që ai bëri për Trepçën.

Fana kishte treguar në hulumtimin e tij se si gjiganti metalurgjik, që dikur kishte nam në gjithë Ballkanin Perëndimor, sot përballet me mungesë të investimeve nga shteti i Kosovës.

Duke dëshmuar se si janë makineritë e vjetruara me mungesa e pjesëve rezervë, është vështirësuar edhe prodhimi i të hyrave.

Po ashtu, Fana kishte përcjellë tek publiku edhe rrëfimin e minatorëve që punojnë qindra metra nën sipërfaqen e tokës, e të cilët përballën me mungesën e kushteve elementare të punës.

Këtë hulumtim mund ta gjeni duke klikuar KËTU.

Çmime nga AGK u ndanë edhe në kategori të tjera. Atë të gazetarit të vitit e mori Vullnet Krasniqi e atë të gazetares së vitit, Alberta Hashani.

Çmimi ueb-storja më e mirë e vitit u fitua nga Aulonë Kadriu, çmimin për kameramanin më i mirë i vitit e fitoi Arben Hoti, çmimi i gazetarisë për fuqizimin e gruas u nda për Dardan Hotin dhe Aulonë Kadriun, çmimin për raportimin më të mirë nga sporti e mori Vjosa Çerkini, çmimet për raportimet më të mira rreth anti-gjipsizmit u fituan nga Besarta Hoti dhe Herolind Ademi, ndërsa atë për raportimin më të mirë mbi shëndetësinë e fitoi Saranda Ramaj.