Raportimi i KALLXO.com, KGJK i propozon presidentes shkarkimin e gjyqtarit Nikola Kabashiq

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka propozuar tek presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Divizioni në Mitrovicë, Nikola Kabashiq.

Krejt kjo vie pas raportimit që KALLXO.com kishte bërë në nëntor të vitit 2022, duke treguar përfshirjen e krerëve institucional në tubimet organizative të subjektit politik Lista Serbe. KALLXO dokumentoi me anë të fotografive, se pjesëtarë insitucional kishin marrë pjesë në ato tubime, ku ishte marrë vendimi për bojktoimin e Insitucioneve të Kosovës nga serbët.

 

Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nikola Kabashiq. Foto: KALLXO.com

“I propozojmë presidentes së Republikë së Kosovës, shkarkim nga pozita e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit, Diviznoni në Mitrovicë, z.Nikola Kabashiq. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, më datë 9 dhjetor 2022, ka pranuar nga kryetari i Gjykatës së Apelit, z. Valon Tolaj, kërkesën për fillimin e hetimit disiplinor për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit divizioni në Mitrovicë. z.Nikola Kabashiq, duke pretenduar se i njëjti bazuar në lajmet e publikuara në portalin “KALLXO.Com”, me titullin “ Zyrtarët e lartë të sistemit të drejtësisë, pjesëmarrës në takimin e Listës Serbe”, të shoqëruar edhe me fotografi, ku shihet kjartë pjesëmarrja e z.Kabashiq më këtë takim politik…”- thuhet në Vendimin e Këshillit.

Sipas vendimit të KGJK-së, veprimi i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatat dhe Kodin e Etikës Profesionale për Gjyqtarë, që përcaktohet ndalimi dhe angazhimi në ndonjë aktivitet që është në kundërshtim me detyrat e gjyqtarit.

Në panelin hetimor nuk kishte marrë pjesë subjekti i hetimit në këtë rast, Nikola Kabashiq, me arsyetimin se i njëjti është në pritje të vendimit për dorëheqjen, ani pse i njëjti ishte ftuar që të marrë pjesë në mënyrë të rregullt.

Kabashiq nuk e kishte mohuar pjesëmarrjen në këtë takim, por i njëjti kishte deklaruar se takimi i datës 5 nëntor 2022 nuk kishte karakter politik dhe një ditë më vonë kishte ofruar dorëheqje.

Këto veprime të Kabashiq, Këshilli Gjyqësor i ka konsideruar si veprime që bien ndesh me një mori parimesh të cilat janë të akceptuara në shumë dokumente ndërkombëtare, ku është parashikuar pavarësia dhe paanësia e gjyqtarëve në raport me çdo veprim që mund të dërgoj mesazh që ka karakter politik dhe të marrë pjesë në veprimtari që organizohen nga subjekte politike përkatëse.

KGJK në arsyetimin e vendimit ka specifikuar se këto veprime konsiderohen mosrespektim i rëndë i detyrave të gjyqtarit që cenojnë rëndë besimin e publikut në paanshmëri dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Kështu më 28 korrik të këtij viti është votuar në mënyrë unanime nga Këshilli Gjyqësor që të propozohet për shkarkim e Kabashiqit nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit.

Raportimi i KALLXO.com më 5 nëntor të vitit 2022

Zyrtarë të lartë të sistemit të drejtësisë nga komuniteti serb, pjesëmarrës në takimin e Listës Serbe

KALLXO kishte raportuar se si ërfaqësues të institucioneve të Kosovës ishin parë në takimin mes Listës Serbe në Mitrovicë të Veriut ku ishte marrë vendimi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës nga serbët.

Në këtë takim kishin marrë pjesë edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë Liljana Stevanoviq, gjyqtarja në Gjykatën e Apelit në divizionin e  Mitrovicës, Lidija Vuçuroviq dhe anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nikola Kabashiq, njëherit ish-kryetar i Gjykatës së Mitrovicës.

Foto 1

Kryetarja e Gjykatës Themelore ne Mitrovicë Liljana Stevanoviq. Foto: Screenshot, Kosovo Online
Kryetarja e Gjykatës Themelore ne Mitrovicë Liljana Stevanoviq. Foto: Screenshot, Kosovo Online

Foto 2

Gjyqtarja në Gjykatën e Apelit në Mitrovicë Lidija Vuquroviq. Foto: Screenshot, Kosovo Online
Gjyqtarja në Gjykatën e Apelit në Mitrovicë Lidija Vuçuroviq. Foto: Screenshot, Kosovo Online

Foto 3

Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nikola Kabashiq. Foto: KALLXO.com

Lista Serbe si dhe zyrtarëve serbë të cilët janë pjesë e institucioneve të Kosovës, kishin mbajtur takim në Mitrovicë të Veriut ku kishin vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Zyrtarë të Policisë së Republikës së Kosovës nga komuniteti serb i kishin zhveshur uniformat.

Zyrtarë të Listës Serbe, të Policisë, komunave me shumicë serbe, gjykatave dhe të institucioneve tjera ishin parë duke hyrë në takimin e thirrur nga Lista Serbe në objektin e Komunës së Zveçanit.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë Liljana Stevanoviq e cila ishte pjesë e takimit, në mars të këtij viti ishte suspenduar pasi kishte marrë pjesë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe me Millan Radoiçiqin, njeriun e kërkuar nga autoritetet kosovare për korrupsion.

Vendimi Stevanoviq, është revokuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në maj 2022.

Kjo pasi që Këshilli e ka miratuar marrëveshjen e arritur në mes të kryetares Stevanoviq dhe Panelit Hetimor, me të cilën është mbyllur çështja disiplinore.

Lidhur me suspendimin e saj dhe me vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovës, serbët e Kosovës kishin organizuar protesta një ditë pas marrjes së vendimit së KGjK-së.