ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Dhuna në familje - Historia e pahetuar e gruas nga Prishtina

Një grua nga Prishtina ishte goditur nga burri i saj gjatë kohës së pandemisë, ndërsa ndaj saj kishte pasur edhe kërcënime për therje me thikë.

Historia e dhunës përfundoi me dënimin e bashkëshortit të saj me burg për 3 muaj me kusht, ndërsa një analizë e realizuar nga KALLXO.com tregon se organet e ndjekjes nuk bënë shumë mund për të zbuluar të gjitha rrethanat se si ndodhi ngjarja.

Viktima kishte denoncuar se prej kohës kur ishte shtatzënë, para shtatë vjetësh, burri e kishte keqtrajtuar, mirëpo hetimet e mangëta bënë që kryerësi të dënohet vetëm për rastin e fundit.

Analizimi i dosjes tregon se Prokuroria dhe Policia nuk u munduan që të intervistonin dëshmitarë të tjerë për ngjarjen, ndërsa hetimi la shumë dilema, përfshirë dilemën nëse kryerësi kishte armë me të cilën mund të kryente një krim.

Të dhënat nga institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë tregojnë që në valët e pandemisë dhuna në familje u rrit dhe bashkë me të edhe numri i rasteve të raportuara.

Bazuar në një metodologji të përcaktuar më herët, KALLXO.com ka analizuar dhjetëra raste të dhunës në familje të cilat janë arkivuar në gjykatat e Kosovës.

Kjo metodologji e analizimit të rasteve synon të analizojë çdo veprim të ndërmarrë nga institucionet përkatëse për të trajtuar denoncimet e dhunës në familje.

Rasti A është i arkivuar në Gjykatën e Prishtinës.

Dosja e analizuar tregon për një rast i cili u përfundua me shpejtësi nga organet e rendit, ndërsa procedura e zhvilluar tregon se një varg provash dhe materialesh të rëndësishme për rastin u injoruan apo nuk u mblodhën fare.

Policia është organi i parë ku zakonisht denoncohen rastet e dhunës në familje.

Sipas dosjes së arkivuar, rasti u denoncua në Polici më 14 shkurt, në mesnatë, nga gruaja e cila ishte viktimë e dhunës nga burri i saj.

Viktima kishte deklaruar në Polici se burri i saj pasi kishte ushtruar dhunë e kishte kërcënuar me fjalët: “Kam me marrë thikën dhe me të ther dhe do të bëj çfarë du unë. Dilëm prej shpisë!”, duke e përshkruar edhe si “tepër i dhunshëm”.

Ajo në këtë institucion kishte deklaruar edhe se ndihej e pasigurt, me ç’rast kishte kërkuar edhe urdhër-mbrojtje.
Në analizimin e kësaj dosjeje nuk evidentohet se një urdhër i tillë i është mundësuar viktimës, ndonëse sipas deklaratës së viktimës në Polici, dhuna ndaj saj kishte filluar që nga koha kur ajo kishte qenë shtatzënë (para shtatë vitesh).

Përveç mosdhënies së urdhrit-mbrojtës në dosjen e Policisë nuk figuron se Policia ka ndërmarrë ndonjë veprim tjetër me të cilin do të vërtetonte se dhuna ishte prezente në familjen e tyre vite më parë.

Nuk pati asnjë dëshmitar apo ndonjë tentativë për masa për ta argumentuar këtë ngjarje.

Në këtë rast të dhunës ishte dëshmitare edhe vajza e çiftit, atëkohë 7-vjeçe. Sipas viktimës, dhuna kryhej edhe në prani të vajzës.

Dosja tregon se vajza nuk u intervistua nga Policia.

Për ngjarjen nuk pati intervistim as të dëshmitarëve të tjerë.

Viktima, sipas deklaratës, kishte potencuar se burri e kishte kërcënuar me thikë mirëpo Policia nuk kishte kryer asnjë bastisje për të zbuluar armën e mundshme apo për të kontrolluar nëse personi i dyshimtë kishte qasje në armë të zjarrit.

Në këtë organ, përveç pretendimeve të të dëmtuarës janë dëgjuar pretendimet e tashmë të dënuarit, i cili fillimisht nuk e kishte pranuar dhunën e ushtruar, duke thënë se gruaja e tij ia ndalonte të shihte vajzën e tyre, duke mos e pranuar se e ka goditur.
Sipas procesverbalit të marrjes në pyetje të të dyshuarit, i njëjti kishte shtuar se gruaja e tij e ofendonte me fjalën “qen” dhe se kërkonte t’i përmbushte dëshira që ky nuk kishte mundësi, por e kishte pranuar vetëm faktin se mes tyre kishte mosmarrëveshje.

Në dosje nuk kemi dëshmitarë të dëgjuar nga familjarë të tjerë, e as prova të tjera të cilat do të vërtetonin ose hidhnin poshtë pretendimet e viktimës.

Kallëzimi penal i deponuar në Prokurori nga Policia, bëhet ditën e nesërme pas raportimit, me ç’rast prokurori i çështjes merr aktvendim për fillim të hetimeve.

Gjatë kësaj kohe Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për të pandehurin mirëpo veprimet e Prokurorisë dërgojnë që i njëjti të lirohet brenda 10 ditësh.

Sipas dosjes, brenda 4 ditëve Prokuroria ngriti aktakuzën, e cila hartohet pa u përgjigjur në disa pyetje thelbësore.

Aktakuza u ngrit pa ekspertizën mjekoligjore, e cila do të përcaktonte nëse lëndimet nga sulmi ishin të lehta apo të rënda, rrethanë kjo shumë e rëndësishme për vendimmarrjen në Gjykatë

Sipas  Prokurorisë, deri në mbajtjen e gjykimit për kryerësin ka ekzistuar dyshimi se i njëjti ka mundur ta përsëriste veprën penale, pasi në vazhdimësi e kishte keqtrajtuar gruan e tij. Por, në të gjitha shkresat Prokurorisë i mungon data dhe koha dhe provat që argumentojnë këtë dhunë dhe keqtrajtimin.

Përveç kësaj, arsye për paraburgim ishte edhe rreziku se kryerësi nuk do i përgjigjej thirrjes së Gjykatës.

Ndërkohë, gjersa të pandehurit i ishte caktuar masa e paraburgimit, avokati i kryerësit kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit lidhur me këtë masë, duke kërkuar që kryerësit t’i shqiptohej masa më e lehtë, ajo e arrestit shtëpiak.
Ankesa në fjalë ishte refuzuar si e pabazuar, duke e mbajtur në paraburgim kryerësin.

Gjatë kësaj kohe, Prokuroria mbledh deklaratat e dy bashkëshortëve, dhe analizon shkresat nga Policia – të cilat janë provat e vetme me të cilat ky institucion bazon aktakuzën të cilën e ka ngritur 4 ditë pas arrestimit të të dyshuarit.

Prokuroria mjaftohet me provat personale, në këtë rast deklaratat, dhe nuk propozon ekspertizë mjeko-ligjore për të vërtetuar lëndimet që ka pësuar viktima nga bashkëshorti i saj.

Sipas aktit akuzues të Prokurorisë, keqtrajtim fizik kishte ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të atëçastshme, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, duke e goditur me papuçe pas koke.
Pavarësisht faktit se viktima ishte e sëmurë dhe ishte me terapi, sipas dosjes, burri i saj nuk kujdesej as për vajzën e tyre.

Në bazë të analizës së bërë rastit nuk haset në ndonjë procedurë që është ndërmarrë me të cilën fëmija është intervistuar në prani të psikologut ose profesionistit tjetër.

Në bazë të Konventës së OKB-së për Fëmijët, në nenin 12 të kësaj Konvente, përshkruhet se “fëmijës i jepet mundësia që të dëgjohet në çdo procedurë gjyqësore ose administrative që ka të bëjë me të, qoftë drejtpërdrejt, qoftë nëpërmjet një përfaqësuesi ose të një organi të përshtatshëm, në përputhje me rregullat e procedurës së legjislacionit kombëtar“.

Por, si është i rregulluar intervistimi i fëmijëve dhe mbrojtja e tyre me legjislacionin tonë vendor?

Sipas një punimi të Akademisë së Drejtësisë me titull “Intervistimi forenzik i fëmijëve”, i përgatitur nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi, thuhet se gjatë procedimeve penale ekzaminimi i një fëmije ose të mituri si palë e dëmtuar apo dëshmitar duhet të kryhet me ndihmën e një psikologu, pedagogu ose një profesionisti tjetër.

Kodi i Procedurës Penale i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së kësaj vepre penale, në nenin 27 parasheh se procedura kur të miturit janë kryerës, ose fëmijët janë viktima dhe dëshmitarë, rregullohet me Kodin e Drejtësisë për të Mitur ose ligjin përkatës.

Tutje, Kodi i Drejtësisë për të Mitur ka kapitull të veçantë për mbrojtjen e fëmijëve në rastet kur këta të fundit janë viktimë apo dëshmitarë në një procedurë penale.

Ky Kod, i cili ka hyrë në fuqi në tetor të vitit 2018, përshkruan qartë trajtimin adekuat të cilin organet shtetërore duhet të marrin parasysh në trajtimin e rasteve të tilla.

“Gjyqtari kompetent do ta marrë në pyetje fëmijën ose të miturin e dëmtuar me vepër penale në pajtim me paragrafin 4 të këtij neni, ashtu që gjykata, prokurori i shtetit, i mituri dhe mbrojtësi mund të parashtrojnë pyetje e të mos jenë prezentë në të njëjtin lokal me të dëmtuarin. Marrja në pyetje e fëmijës ose të miturit kryhet ashtu që pyetjet mund t’i parashtrojnë nëpërmjet gjyqtarit kompetent, ndërsa, sipas nevojës, me ndihmën e pedagogut, psikologut ose të personit tjetër profesional” – thuhet në nenin 112, ku ceken veprimet procedurale.

Rastet e tilla kur dhuna në familje kryhet në prani të fëmijëve janë të rregulluara edhe me Konventën e Stambollit, e cila e parasheh si rrethanë rënduese faktin kur vepra penale, në këtë rast e dhunës në familje, kryhet në prani të fëmijëve.

Kjo përcaktohet në nenin 46 të kësaj Konvente, ku renditen rrethanat rënduese të trajtimit të dhunës në familje.

“Palët marrin masat e nevojshme legjislative ose masa të tjera për të garantuar që rrethanat e mëposhtme, mund të merren në konsideratë si rrethana rënduese në përcaktimin e dënimit kur; vepra është kryer kundër ose në prani të një fëmije dhe vepra penale është kryer kundër një ish-bashkëshorti ose partneri ose bashkëshorti ose partneri aktual të njohur nga ligji i brendshëm, nga një anëtar familjeje, një person që bashkëjeton me viktimën ose një person që ka abuzuar me autoritetin e tij ose të saj” – thuhet në Konventën në fjalë.

Ky rast i dhunës i kryer brenda familjes ishte trajtuar nga Gjykata në seancën e 24 shkurtit, trajtim i cili përfundoi me dënim me 3 muaj burg me kusht për kryerësin dhe një gjobë prej 200 eurosh.

Dëbimin nga shtëpia në mesnatë, dhuna e ushtruar në prani të vajzës së vogël, e ushtruar në vazhdimësi, Gjykatës nuk i bëri përshtypje kur vendosi lidhur me këtë rast.

Kryerjen e aktit të dhunës nuk e kishte pranuar në Polici, por atë e bën në këtë seancë, ku njëkohësisht shpreh edhe pendesën e thellë, çka Gjykata mori parasysh si rrethanë lehtësuese me rastin e shqiptimit të dënimit.

Ai, në seancën ku ishte e pranishme edhe viktima, tha se pendohet thellë dhe premtoi se nuk do ta përsërisë veprën penale.

Ky pranim i fajësisë u aprovua nga Gjykata me kërkesë edhe të viktimës dhe avokatit mbrojtës të kryerësit.
Pranimi i fajësisë u mbështet edhe nga Prokuroria.
Sipas Kodit tonë Penal, kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet.

Në arsyetimin e aktgjykimit dënues si rrethana lehtësuese Gjykata mori parasysh: sinqeritetin e të pandehurit, pendimin, pranimin e fajësisë, faktin që është mbajtës i vetëm i familjes dhe premtimin se nuk do të përsërisë veprën penale.

Rrethana rënduese, sipas Gjykatës, në këtë rast nuk pat.

Sipas analizimit të dosjes, apelim ndaj këtij aktgjykimi nuk pati nga ndonjëra nga palët në procedurë, dhe ky aktgjykim mori formën e prerë më 16 mars të vitit 2020.

E njëjta nuk vlerësoi sipas analizës së rastit se dhuna e ushtruar në prani të fëmijës dhe në mënyrë të vazhdueshme ishin rrethana që do duhej të merreshin parasysh në këtë rast.

Sipas Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore, të nxjerrë nga Gjykata Supreme në vitin 2018, për veprat e dënueshme deri në 3 vite pikënisja për matjen e dënimit është 1 vit, kurse në rast se ka më shumë rrethana lehtësuese sesa dënuese, minimumi i dënimit është 8 muaj. (shih tabelën e më lartë; rreshti f.)

Gjykata konsideroi se dënimi i shqiptuar prej 3 muajsh me kusht dhe gjobë është në proporcion me peshën e veprës, sjelljet e kryerësit, dhe do të ndikojë në risocializimin e të pandehurit.

Nga analizimi i dosjes së rastit rezulton se kjo seance ishte e hapur për publikun, pavarësisht rregullativës ligjore sipas Kodit të Procedurës Penale.

Kodi i Procedurës Penale në nenin 289 parasheh përjashtimin e publikut kur është në interes mbrojtja e jetës familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose pjesëmarrësve të tjerë në procedurë.

Kjo dosje mbyllet më 24 shtator 2020, kur gjykata ia zëvendësoi masën e gjobës me dënim me burg. Sipas rregullativës ligjore 20 euro llogaritet një ditë burg.