Deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, Foto: KALLXO.com

A është sulm mbi mediat projektligji për KPM-në, flet deputeti i Vetëvendosjes

Në fund të vitit 2023, Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. Njëra prej ndryshimeve që pritet të ndodh përmes këtij projektligji është ai rreth regjistrimit të mediave online, të cilat publikojnë materiale audio dhe video.

Më 1 shkurt 2024, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës reaguan duke thënë se nisma e qeverisë për ndryshime në ligjin për KPM-në, ka për qëllim kontrollin e mediave online.

Por, njëjtë nuk po mendon deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është edhe kryesues i Komisionit Parlamentar për Media, Valon Ramadani.

“Po flasim për lajmin kryesor, për ligjin për KPM-në. Unë jam i gëzuar që më 15 janar ka ardhur projektligji për KPM-në, ky ligj është në harmoni me direktivën dhe është direktivë e Bashkimit Europian” – ka thënë Ramadani.

“Ne kemi pasur bashkëpunim me Komisionin Europian ose kemi pasur ekspertë që kanë punuar për këtë propozim, kanë punuar dy ekspertë dhe ata kanë propozu për këtë version” – deklaron deputeti i LVV-së.

Sipas Ramadanit, AGK dhe KMSHK kanë bërë disa huqje gjatë konferencës për media. Ai tha se mediat nuk do të licencohen sipas ligjit të ri por do të regjistrohen vullnetarisht.

“Nuk janë duke u cenzuruar mediat. Ata (AGK dhe KMSHK) i kanë bërë disa huqje, kanë dezinformuar. Mediat online nuk kanë me pas licencim, ky është dezinformimi. Nuk po them që e kanë bërë me qellim” – tha Valon Ramadani në KallxoPernime.

“Regjistrimi ka me qenë vullnetar, nuk ka me qenë detyrim, s’mund ta gjeni në ligj që është detyrim” – tha ai.

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin i cili synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Ndryshimi sipas Propozim-Ligjit është bërë në kuadër të Direktivës Europiane 2010/13/EU për Shërbimet Mediale Audio-Vizuele dhe Direktivën (EU) 2018/1808.

Ky projektligj i dorëzuar më 27 janar të vitit 2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Më shumë për këto ndryshime mund të lexoni KËTU.