Ilustrimi: Trembelat

Alarmi i ngritur përmes dezinformatave për sigurinë e ushqimit 

Produktet ushqimore kanë qenë shpesh pjesë e narrativave e dezinformatave të shpërndara për të shkaktuar panik tek qytetarët në Kosovë.

Në një rast, në një faqe në Shqipëri është publikuar një video më 28.03.2024 duke vënë në dyshim mënyrën se si mishi në Kosovë po transportohet, e rrjedhimisht edhe se si po servohet tek qytetarët.

Në atë video-material, shihet një traktor i ngarkuar me mbetje të kafshëve dhe një person me uniformë që rrinte ulur mbi këto mbetje. Por, në përshkrim të kësaj video thuhet tjetër gjë – VIDEO E PABESUESHME nga Gjakova! Qytetari: Shikoni si transportohet mishi! Hani suxhuk Kosove hani”.  

Pra, mbi këtë video është shkruar se këto pamje nga Gjakova tregojnë mënyrën se si transportohet suxhuku në Kosovë. Asnjë burim i informacionit nuk e ka mbështetur këtë.

KALLXO.com përmes verifikuesit të fakteve, Krypometri, kishte arritur të demantojë këtë informacion të shpërndarë, i cili mund të ngriste alarmin tek qytetarët për sigurinë e ushqimit të tyre.

Fillimisht, Krypometri përmes Google Lens gjeti uniforma e veshur nga personi në video rezulton të jetë e njëjta me Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati” në Gjakovë.

Rrjedhimisht, Krypometri ka biseduar edhe me kryeshefin e KRM “Çabrati”, Behar Ferizi, i cili e ka konfirmuar se traktori është pronë e kompanisë që ai udhëheq. Pastaj ai e konfirmoi se nuk po bëhet fjalë për transport të mishit siç thuhet në atë videomaterial, por për mbetje të ushqimit. 

Burimi tjetër i kontaktuar nga Krypometri për verifikimin e këtij informacioni është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV). Ky është institucioni përgjegjës në Kosovë për kontrollin e cilësisë së mishit që shitet në tregun e Kosovës. 

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, kishte thënë se inspektorët veterinarë kanë shkuar në inspektim tek kompania  “Çabrati”.

 “AUV në bazë të pamjeve të shfaqura ka vërtetuar se në ngarkesa kishte mbetje të kafshëve të therura ose mbetje nga mishtoret/marketet. Inspektori veterinar ka shkuar në inspektim të kompanisë për grumbullimin, bartjen dhe asgjësimin e mbeturinave te e cila është kërkuar të mos bëj bartje të mbeturinave shtazore me mjete jo adekuate”– ka thënë Thaçi. 

Në anën tjetër, ka pasur edhe artikuj tjerë të shpërndarë në lidhje me ushqimin, siç është ajo për ekzagjërimin e dëmit të shkaktuar nga konsumimi i lakrës. Një përmbajtje e tillë, e publikuar më 17.12.2022 kishte arritur gjithsej 133 postime në 35 faqe në rrjetin social “Facebook”.

Titulli hiperbolik “Ekzagjerim për dëmet e shkaktuara nga konsumimi i lakrës”, në përmbajtje nuk përmendet ndonjë dëm apo sëmundje e shkaktuar nga konsumimi i lakrës. 

Artikulli citon një naturolog rus, Georgije Nazarov, i cili në fakt thotë se për shkak të përbërjes së lartë të kripës, konsumi i lakrës turshi mund të ketë efekt negativ. Madje në fund artikulli bie në kontraditë me titullin e vet, duke thënë se lakra turshi, e cila është pa dyshim e dobishme duhet të konsumohet me kujdes.

Krypometri kishte verifikuar këtë informacion edhe duke biseduar me një nutricioniste, e cila kishte thënë se lakra turrshi nuk është produkt që ndalohet rreptësisht të konsumohet nga persona me sëmundje të caktuar.

Bima barishtore, lakra, është përdorur edhe në një rast tjetër për të ngritur alarm për konsum. 

Më 14.05.2023, është shpërndarë artikulli me titull /“Lakra nuk duhet te konsumohet kurrë sesi nga personat qe vuajnë nga kjo sëmundje”. Ndonëse në titullin thuhet se “lakra nuk duhet të konsumohet nga personat që kanë probleme me sëmundje”, artikulli nuk tregon cilët persona nuk guxojnë të konsumojnë lakrën.

Informacione të tilla të publikuara, ripublikohen, shpërndahen e komentohen duke përhapur panik në fakte të pavërtetuara. 

Një shembull i kësaj është edhe artikulli me titull “Ushqimi vdekjeprurës që e hamë të gjithë, çdo ditë!”.

Krypometri më 27.02.2023 gjeti se pavarësisht titullit shumë të fuqishëm, artikulli nuk përmend ndonjë ushqim specifik. Përshkrimi nuk përmban deklaratë të ndonjë burimi kredibil të informacionit dhe nuk ka ndonjë hulumtim shkencor, i cili vërteton se ushqimet të cilat i konsumojmë çdo ditë janë vdekjeprurëse. 

Megjithatë, Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, ka thënë në KALLXO Përnime se nuk mund të reklamohet një produkt nëse ai nuk është verifikuar shkencërisht si shërues i ndonjë sëmundjeje.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se nëse të njëjtat do të kishin efektin që reklamohen që e kanë nuk do të kontrolloheshin fare nga AUV-i.

“Ne kemi një problem të brendshëm i cili në shumë fusha mund të rregullohet me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, që në shumë vende të botës çështja e shitjeve online është e rregulluar pasi nuk mund të reklamosh apo promovosh një produkt për disa efekte në shëndet të cilat nuk janë  të provuara shkencërisht dhe po të kishin efekte qysh reklamohen atëherë këto nuk do të ishin fare pjesë e kontrollit të AUV-it sepse pastaj nuk mund të konsiderohen suplemente, pra ato do të hynin në kategorinë e barnave të cilat do të kontrolloheshin nga AKPPM-ja” – tha Thaçi më 19.04.2024.