Shfletim në Internet apo Vizita te Mjeku për Probleme Shëndetësore?

Shfletimet në internet tashmë janë trend global, përmes së cilit, qytetarët kërkojnë informacionet nga më të ndryshme, përfshi edhe çështjet dhe preokupimet e tyre shëndetësore.

Agon Syla , 22-vjeç, student i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se internetin e ka burimin e parë të informacionit për çdo shqetësim shëndetësorë që i paraqitet.

Ai, sikurse edhe qytetarë të tjerë, kërkojnë informata në faqe të ndryshme të internetit, përfshi edhe rrjetet sociale e forumet e ndryshme, këshilla mjekësore për sëmundje dhe shqetësime shëndetësore që u paraqiten.

“Për çdo shqetësim që e kam ose ndonjë dhimbje, menjëherë e shfletoj internetin për të marrë informata si qasje e parë. Aty marrë ndonjë këshillë apo çka do qoftë, e mandej shkoj edhe te mjeku. Por, zakonisht përgjigjet kanë qenë të njëjta edhe te mjeku”, tha Syla.

Ndërkohë, mikrobiologu Lul Raka, tha për Radion Evropa e Lirë se si profesionist shëndetësorë se rekomandon që diagnostifikimi të bëhet vetëm mbi të dhënat dhe analizat e sakta për pacientët.

“Unë mendoj se është e drejtë e pacientëve që të kenë qasje në informata të ndryshme shëndetësore nga interneti ,pasi që mendoj se edhe është e pashmangshme. Është një prej burimeve kryesore të informative që e marrin pacientët, por për çdo paqartësi do duhej ta konsultojnë mjekun e vet. Për t’ju shmangur dëmit që mund ta kenë nga keqinformimet për substanca të ndryshme, si antibiotikë apo qetësues e të tjera”.

“Prandaj është qasje e kombinuar, e drejtë e tyre për informim, por edhe kujdesi në shmangie të dëmeve eventuale që mund të kenë nga informata të gabueshme pa konsultimin e mjekut”, tha Raka.

Por, ka edhe qytetarë që thonë se nuk e shfletojnë internetin për të marrë informata, po që se kanë ndonjë shqetësim shëndetësor, e madje as nuk e praktikojnë vizitën tek mjeku, për çdo shqetësim të lehtë që kanë.

Fadil Murati, qytetar nga Prishtina, thotë se interneti mund të vijë në shprehje fare në fund rreth shqetësimeve eventuale shëndetësore që mund t’i ketë.

“Rrallë e shfletoj internetin për këshilla mjekësore, por edhe rrallë shkoj te mjeku. Mundohem t’u shmangem informatave që ka të bëjë me shëndetin, pasi që mendoj se sa më shumë informata për sëmundje që ka, aq më shumë shqetësohem për gjendjen shëndetësore”, tha Murati.

Në anën tjetër infektologu, Sali Ahmeti tha për Radion Evropa e Lirë se pacientët që kërkojnë ndihmë në klinikë, shumë prej tyre kanë informata, dhe siç thotë ai, e çmon këtë fakt pasi njohuritë shëndetësore rreth problematikës së tyre nuk u bëjnë dëm atyre.

“Shpeshherë në praktikën e përditshme ne si mjek jemi të sfiduar me informacione që pacientët i marrin, qoftë nga shtetet e Evropës apo edhe më larg. Në një mënyrë ata kanë informacione për mundësinë e trajtimit. Dhe ky fakt më gëzon për faktin se kur ne si mjekë u shpjegojmë për seriozitetin e sëmundjes, ata e kanë parasysh dhe kanë dijeni. Për ne si mjek është më e lehtë qasja dhe trajtimi më pas”, tha Ahmeti.

Megjithatë, Ahmeti thotë po ashtu se ndonjëherë shfletimi në internet mund t’ju japë pacientëve informacione jokredibile e që mund të kenë si pasojë dëmtimin e shëndetit të pacientëve, sidomos në rastet kur ata fillojnë të vetë-mjekohet me ilaçenë mënyrë të gabuar.

“Aty ka të dhëna që jepen nga persona joprofesionist dhe nuk korrespondojnë me informata të sakta, dhe jep stres të paarsyeshëm, e informacione që pacientin mund ta dërgojë deri tek një problematikë e rrejshme, që në fakt nuk e ka atë problem shëndetësor. Pasi ky profesion, pra ai i mjekut, kërkon informata në vazhdimësi dhe nuk është aq e lehtë ardhja deri te diagnoza e saktë”, thekson Sali Ahmeti.

Sidoqoftë, shfletimi në internet për këshilla mjekësore, është një praktikë e njohur në mbarë botën. Andaj, edhe në Kosovë, pacientët jo rrallë e praktikojnë këtë mënyrë për të lehtësuar sado pak shqetësimet e tyre shëndetësore.

Foto: KALLXO.com

Në gjykimin lidhur me pretendimet për keqpërdorime në lidhje me nismën për themelimin e “Zonës Ekonomike të Malishevës” në seancën e datës 17.05.2024 mbrojtjen e kanë dhënë 3 nga 7 të akuzuarit.

Në këtë rast po akuzohen ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj si dhe Pajtim Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj.

I pari që dha mbrojtjen ishte Bajram Hasani, i cili iu përgjigj pyetjeve të avokatit Ymer Huruglica.

Ai tha se nga data 27.04.2018 kishte punuar si ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Ish-ministri tha se Ministria të cilën e kishte drejtuar ishte përgjegjëse për themelimin e zonave ekonomike, përkatësisht agjencia e pavarur brenda Ministrisë, KIESA.

Avokati e pyeti se cilat janë kriteret për themelimin e një zone ekonomike dhe se a mundet që drejtpërdrejt t’i themelojë Ministria në fjalë.

“Kur plotësohen kriteret për shpalljen e zonës ekonomike, është kompetencë e MIT apo agjencionit KIESA (në kuadër të Ministrisë). MIT në atë kohë i ka pasë 7 agjencione, ku secila ka qenë e pavarur në marrjen e vendimeve të tyre por natyrisht kryeshefi i agjencionit i ka raportuar ministrit të linjës, siç është ministri i MIT” – u përgjigj i akuzuari Bajram Hasani.

Hasani tregoi që në rast se prona është komunale dhe janë plotësuar të gjitha kriteret MTI ka pasur të drejtë ta shpallë vendimin për themelimin e zonës ekonomike. Por, kur prona nuk ka qenë komunale, por ka qenë private apo shoqërore, është dashtë që kërkesa të tilla t’i drejtohen Qeverisë së vendit nëse këtu ka pasur implikime financiare. Kjo, sepse, sipas deklarimit, MTI ka qenë përgjegjëse të investojë në infrastrukturën e zonës ekonomike.

Ai tha se si ministër i asaj kohe ka pasur prioritet zhvillimin e  sektorit privat, pasi përveçqë ka qenë prioritet i Ministrisë ka qenë prioritet edhe i Qeverisë, e cila, sipas tij, i ka mbështetur zhvillimet e sektorit privat, sepse në atë kohë është jetësuar edhe Ligji për investime strategjike dhe qëllimi i Ministrisë dhe Qeverisë ka qenë që të krijojnë kushte për investitorë nga jashtë.

Avokati e pyeti nëse gjatë vitit 2018 i akuzuari ka pasur takim me Komunën e Malishevës për themelimin e zonave ekonomike.

“Jemi taku me kryetar të Komunës, edhe me kryetarin e Malishevës, Begaj, dhe kemi bisedu ajo që është thanë me të gjithë kryetarët e komunave se si ta fuqizojmë sektorin privat. Begaj ka nisë mandej kërkesë për krijim të zonave ekonomike” – ka treguar Bajram Hasani.

Bajram Hasani tregoi se kërkesa ka shkuar në KIESA dhe është trajtuar dhe më pas i është rekomanduar nga kryeshefi i atëhershëm i Agjencisë, duke specifikuar se kërkesa ka qenë e protokolluar.

“Ka qenë një rekomandim në këtë rast i veçantë nga KIESA për ta drejtu në Qeveri të Kosovës, dhe në bazë të atij rekomandimi departamenti juridik ka bërë një propozim për inicimin e procedurës për themelimin e zonës ekonomike” – ka shtuar më tej i akuzuari Bajram Hasani.

I pandehuri tregoi se gjatë procesit të hetimeve ka parë që paska qenë edhe një kërkesë e dërguar nga Ministria në Qeveri që ai si ministër nuk e kishte nënshkruar.

“Unë kam mendu në atë kohë që Qeveria e ka futë si rend dite si vazhdimësi, dhe ne është dashur ta mbrojmë kërkesën si ministër i linjës që në atë mbledhje qeveritare është kalu me vota unanime nga 23 anëtarë të Qeverisë” – është shprehur Bajram Hasani.

Në dëshminë e tij ai ka qartësuar se bashkangjitur me kërkesën ka qenë edhe ku do të iniciohej procedura për themelimin e zonës ekonomike në komunën e Malishevës me interes të veçantë.

“D.m.th. zonën me interes të veçantë mund të shpallë vetëm Qeveria…” – ka treguar ndër të tjera Bajram Hasani.

I pyetur nga avokati Ymer Huruglica nëse ishte i informuar se propozim-vendimi që ai e kishte dorëzuar evidentonte se cilat ngastra janë objekt shpronësimi për themelimin e zonës apo vetëm emrat e pronarëve të tyre, Hasani tha: “Besoj që me kërkesë të Komunës së Malishevës janë përmbajtur ngastrat që duhet të shpronësohen për themelimin e zonës ekonomike me interes të veçantë”.

“A keni njohur ndonjë pronar të ketyre ngastrave kadastrale, dhe a keni njohuri për zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik që janë propozu për themelimin e zonës” – pyeti avokati Ymer Huruglica.

“Nuk e di ku gjenden ato fshatra, e leje ma pronarët e këtyre. Nuk i njoh vetëm e kam ditë që kjo zonë është rreth autostradës ‘Ibrahim Rugova’” – u përgjigj ish-ministri Bajram Hasani.

Hasani gjithashtu përmendi se në kohën e tij si ministër sekretar ka qenë Burim Rrecaj.

“Gjatë mandatit tim e kam shkarkuar sekretarin e Ministrisë me arsyetim të keqpërdorimit të disa tenderëve dhe punësimeve. E kam shkarku pas disa muajve pas propozim-vendimit për themelimin e zonës ekonomike me interes të veçantë. Kjo s’ka të bëjë me këtë rast” – rrëfeu Bajram Hasani.

“Pasi jam largu unë nga detyra, kam dëgju që sekretari është kthy dhe është shkarku përsëri” – shtoi ish-ministri.

Në përfundim të dëshmisë së tij ai tha se nuk ka pasur kurrfarë përfitimi dhe nuk ka asnjë njohuri se kush ka përfituar nga ky rast.

“Qëllimi dhe ideja ime ka qenë të kontribuojmë në zhvillim ekonomik, rritje të punësimit, thithjen e investimeve nga jashtë” – u shpreh Bajram Hasani.

Bajram Hasani tha se rasti konkret i Zonës Ekonomike të Malishevës nuk ka qenë themelim por inicim i procedurës për themelim.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje nga mbrojtësi i tij, i pandehuri është shprehur se nga ai moment do të shfrytëzojë të drejtën të mbrohet në heshtje.

E mbrojtjen në heshtje e ka zgjedhur edhe i akuzuari Faton Thaçi.

Ndryshe ka vendosur Nazmi Kafexholli, i cili vendosi të deklarohej.

Kafexholli ka treguar se si inspektor i pylltarisë dhe gjuetisë në Agjencinë Pyjore të Kosovës i përgjigjet drejtorit për inspeksion dhe puna e tij nuk ndërlidhet aspak me Ministrinë.

I pandehuri tha se as nuk ka aplikuar ndonjëherë për ndonjë grant e as nuk ka qenë pjesë e komisionit për çfarëdo çështje.

Më tutje i akuzuari u përball me prokurorin Naim Abazin, i cili e ballafaqoi me disa deklarime të cilat Kafexholli i kishte bërë në prokurori.

E ndonëse për veten deklaroi se nuk kishte marrë kurrë ndonjë grant, ai pranoi se djali i tij kishte fituar një të tillë.

Madje ai tha se grantin djali i tij e kishte marrë bashkë me dhëndrin dhe atë nga Ministria e Bujqësisë, por që atij nuk i kujtohet shuma e fituar për shkak të kohës së gjatë që kishte kaluar.

I pyetur nga prokurori Naim Abazi lidhur me një deponim të shumës 56,000 euro, ai tha se për të ndihmuar djalin e tij kishte marrë hua nga miqtë. Më tutje tregoi se kishte marrë kredi e shtoi se e kishte shitur edhe banesën në Fushë-Kosovë.

Këtë gjë e kishte bërë duke thënë se e ka obligim ta ndihmojë djalin e tij gjatë gjithë jetës.

Trupi gjykues që po e gjykon këtë rast përbëhet nga Vesel Ismaili – kryetar, dhe anëtarët Violeta Namani e Rrahman Beqiri.

Të pranishëm në seancë ishin Ragip Begaj me avokatin Rrahman Kastrati, Hajdin Berisha me avokatin Haki Kryeziu, Malë Krasniqi me avokatin Emrush Kastrati, Bashkim Krasniqi me avokatin Ramadan Paçarizi, Nazmi Kafexholli me avokatin Arbër Shala, Ahmet Rrahmanaj me avokatin Bekim Kryeziu, Bajram Hasani me avokatin Ymer Huruglica, dhe Faton Thaçi me avokatin Imer Beka.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon se e kanë bërë në atë mënyrë që si persona zyrtarë kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga Prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave në atë mënyrë që duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale i ka transferuar dhe tentuar që t’i transferojë me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani atë kohe, në një mbledhje të Qeverisë kishte propozuar kolegëve në kabinetin qeveritar një pikë e cila pritej t’i kushtojë buxhetit të Kosovës me dhjetëra miliona euro.

Ministri Hasani para kabinetit qeveritar kishte paraqitur një kërkesë të Komunës së Malishevës për krijimin e zonës së veçantë ekonomike e cila shtrihet në tri fshatra: Banjë, Bellanicë dhe Senik.

Mirëpo, ky propozim i ministrit Hasani ishte kundërshtuar pikërisht nga ish-bashkëpartiakët e dikurshëm, ministri Abelard Tahiri dhe Besim Beqaj.

Sipas Abelard Tahirit, në atë kohë, Qeveria e Kosovës nuk mund të hyjë në këso obligime pa e ditur saktë koston e projektit për shpronësim, meqë në arsyetimin e tij, ministri Hasani nuk kishte përmendur fare koston e shpronësimit

E se për çfarë kosto bëhet fjalë, ministri Hasani i kishte thënë Gazetës Jeta në Kosovë se nuk e di këtë, pasi që sipas tij Ministria e Ambientit duhet ta bëjë vlerësimin, mirëpo për një gjë thotë se është i sigurt, që nuk do të kushtojnë shumë.

Themelimi i kësaj zone të veçantë ishte propozuar të bëhet në komunë të Malishevës që prek tri fshatra, Banjën, Bellanicën dhe fshatin Senik.

“Saktësisht nuk mundem me folë, veç është diku mbi 50 hektarë”- ishte përgjigjja e Hasanit në atë kohë.

E për këtë investim të madh të shpronësimit të mbi 50 hektarëve tokë private, ministri Hasani kishte thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk e kishte diskutuar fare këtë temë me kryetarin e partisë së tij, Fatmir Limajn, ani pse zona ekonomike prekte edhe fshatin e tij.

Për Hasanin, nuk është problem kostoja, sepse sipas tij, kur është interesi madhor ekonomik, shteti duhet të marrë përsipër edhe koston e cila do të shërbente për punësim.

Ndërsa me të ardhë në pushtet, Qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti kishte marrë vendim me të cilin e kishte anuluar vendimin paraprak të Qeverisë së kaluar për themelimin e “Zonës ekonomike të Malishevës”

Qeveria po ashtu kishte anuluar procedurat e shpronësimit të tokave në Banjë, Bellanicë e Senik.

Shkrime të tjera në lidhje me këtë rast mund t’i gjeni në këtë  LINK.