Vitia: Nëse mjeku specialist punon vetëm në sektorin publik, do të mund të fitojë deri në 1,800 euro

Deri në 1700-1800 euro do të mund të arrijë paga e një mjeku specialist nëse punon vetëm në sektorin publik, sipas Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Për një mjek specialist, me të gjitha këto që përmenda, nëse punon vetëm në ShSKUK mund t’i shkojë rroga deri në 1600-1700, ndoshta edhe më shumë euro në muaj” – tha ministria Vitia në një konferencë për media.

Kjo sipas tij arrihet me disa shtesa që ai ka premtuar se do të jepen për specialistët që punojnë vetëm në sektorin publik, përmes një rregulloreje.

I pyetur se cilat janë veprimet e kësaj ministrie për të parandaluar ikjen e anesteziologëve dhe të infermierëve jashtë vendit apo në sektorin privat, ai tha se është e vërtetë që po përballen me mungesë të anesteziologëve, e jo aq të infermierëve dhe po mundohen që të gjejnë edhe mënyra të tjera që t’i bindin që të punojnë në sektorin publik.

Për këtë tha se para pak javëve është prezantuar një plan që për investim 44 milionë eurosh në shëndetësi.

Këto investime, tha se do të jenë infrastrukturore në vendet ku ka nevojë për intervenime dhe për blerjen e pajisjeve të reja, që u mundëson mjekëve të kryejnë punë më të mirë.

Vitia po ashtu tha se profesionistët shëndetësorë kanë përfituar më së shumti nga koeficienti i ri për pagat.

Është një rregullore që do të përcaktojë që për mjekët specialistë që do të punojnë vetëm në sektorin publik do të ketë shtesë ekstra.

Sot Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar 2023 deri me datë 31 dhjetor 2023.