Foto nga seanca e datës 13.05.2024, Gjykata e Prishtinës.

Mbyllet seanca ndaj të akuzuarit për rastin e masakrës në Izbicë

Gjykimi për krime lufte ndaj të akuzuarit Muhamet Alidemaj ka vazhduar i mbyllur në seancën e sotme (13.05.2024).

Vendimi për një gjë të tillë është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga: Vesel Ismajli – kryetar, anëtarët Kushtrim Shyti dhe Violeta Namani, pas kërkesës së avokatit të të akuzuarit Millosh Delloviq.

Në fillim të shqyrtimit kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismajli bëri të ditur se sot është paraparë të japin dëshminë 3 dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja.

Por avokati Millosh Delloviq qartësoi se sot janë prezentë vetëm dy prej tyre, dëshmitarët Sh. A. dhe R. D.

Pas kësaj ai paraqiti edhe kërkesën që seanca të mbahej e mbyllur për publikun dhe kërkesën për anonimizim të emrave të dy dëshmitarëve të mbrojtjes.

“Kërkoj që kjo seancë të jetë e mbyllur për publikun dhe e gjitha kjo për shkak të sigurimit të dëshmitarëve në procedurë sepse për ndjeshmërinë e këtij rasti e kanë të pasigurt prezencën. Gjithashtu ju lus që t’i paralajmëroni mediat që të mos i publikojnë emrat e tyre, por vetëm inicialet”- deklaroi mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Alidemaj, avokati Delloviq.

Pas paraqitjes së kërkesës gjyqtari i kërkoi shpjegime të mëtutjeshme avokatit se pse ky rast po cilësohet si i ndjeshëm.

“Gjyqtar këta janë dëshmitarë të propozuar nga ana e mbrojtjes sepse në vendin ku ata jetojnë ka ndodhur një ngjarje shumë e trishtë. Dhe nuk mendoj se është veçanërisht e nevojshme ta shpjegoj arsyen… Siguria e tyre do të jetë në rrezik në rast se emrat e tyre do të publikohen”- u përgjigj avokati Millosh Delloviq.

Më tutje gjyqtari Vesel Ismajli kërkoi qëndrimin e prokurorisë lidhur me kërkesën e mbrojtjes për seancë të mbyllur.

Prokurori special, Ilir Morina tha se nuk ka arsye ligjore për diçka të tillë por që ia lë në dorë vendimin gjykatës.

“Kërkesa besoj që është e vonuar, është dashtë që me kohën kur ka paraqitur kërkesën [për dëgjim të dëshmitarëve] ta paraqesë kërkesën për anonimizim dhe seancë të mbyllur. Arsye ligjore [për seancë të mbyllur] nuk ka. Jeta e tyre nuk rrezikohet. Jetojnë aktualisht në atë pjesën ku rrethi i Istogut dhe Pejës i njohin. Nga dita e arrestimit të të akuzuarit kanë kaluar dy vite. Të gjithë i njohin cilët janë dëshmitarët në raport me të pandehurin… Por megjithatë sido që e vendosë gjykata”- deklaroi prokurori Morina.

Pas një konsultimi të shkurtër trupi gjykues vendosi ta aprovojë kërkesën për seancë të mbyllur dhe udhëzoi mediat të largohen salla.

Çka thotë dosja e prokurorisë?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale – krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës.

I njëjti sipas aktakuzës më 28.03.1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për t’u nisur në drejtim të fshatit Izbicë. Sipas aktakuzës, me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës Xh. O., dhe nga kjo e fundit morën shumën prej 1,000 marka gjermane e më pas i vunë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcënim të armës të njëjtën e kanë detyruar që t’i prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Sipas Prokurorisë, Alidemaj së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe më pas shkojnë te livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, bëjnë ndarjen e grave dhe fëmijëve nën moshën 12-vjeç e dhunshëm i detyrojnë që të largohen për në Shqipëri.

Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet së i akuzuari bashkë edhe me persona të tjerë, burrat i ndajnë në grupe dhe bëhet ekzekutimi i tyre me armë automatike, duke vrarë rreth 130 persona, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12 civilë.

Nw aktakuzë theksohet se dy muaj pas këtij veprimi i akuzuari së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave serbe u kthye përsëri në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa pas përfundimit të luftës trupat u gjetën në varrezat masive të Batajnicës, në Serbi.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK

 

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

 

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

 

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

 

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

 

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në linkun:

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.