Foto: Kallxo.com

Rritet numri i raportimit të diskriminimit ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian

Për 17 muaj deri më 1 dhjetor të këtij viti janë raportuar 41 raste të diskriminimit të pjesëtarëve të komuniteteve, Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë në Platformën Kombëtare për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Të dhënat e raportit të publikuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, vënë në pah që në gjashtë muajt e fundit ka pasur rritje të raportimit të diskriminimit ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Deri në qershor të vitit 2023 janë raportuar 23 raste, kurse për 5 muaj përkatësisht deri në nëntor, numri është rritur në 39, ndërkaq deri në dhjetor ka arritur në 41.

Më së shumti diskriminim, sipas gjetjeve, është bërë në arsim, shëndetësi, qasje në punësim dhe shërbime sociale, përfshirë edhe diskriminimin institucional.

“Është hera e parë që e kemi bërë një raport të tillë vjetor” – tha Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, gjatë publikimit të raportit.

Sipas tij, kjo platformë është një nga dritaret kyçe që i ofron personit një dritare që ta raportoj diskriminimin dhe i bëri thirrje qytetarëve që diskriminohen ta përdorin këtë plarformë.

Nga 11 raste të paraqitura në vitin 2022 në platformë, 6 prej tyre kanë qenë anonime. Ndërsa, nga 21 të raportuara në vitin 2023, 11 kanë qenë anonime.

Megjithatë, sipas raportit, tri raste janë trajtuar suksesshëm nga institucionet. Ndërkaq edhe 4 raste janë në procedurë të trajtimit.

Një nga rastet e evidentuara dhe më të freskëta është diskriminimi i një nxënëse në shkollën “Selman Riza” në Fushë Kosovë gjatë muajve të fundit.

E diskriminuara ishte privuar nga e drejta në arsim nga drejtori i shkollës. Sipas raportit, rasti është adresuar në Inspektoratin e Arsimit më 21 nëntor 2023, meqë rast është rekomanduar që ndaj drejtorit të shkollës të shqiptohet procedurë disiplinore, kurse i ka rekomanduar Drejtorisë së Arsimit në Fushë Kosovë që ta trajtoj rastin brenda 5 ditëve dhe ta njoftojë prindin e nxënëses.

Për Avokatin e Popullit mbetet shqetësues fakti se numri i rasteve të raportuara është shumë i vogël. Sipas tij, arsyet janë frika nga viktimizimi dhe mos-njohja e konceptit diskriminim.

Pajtim Zeqiri nga Zyra e ‘Terres des Hommes’ në Kosovë, tha që platforma i ka arritur tri qëllime: ka ngritur besimin te institucionet; përkushtimin e Qeverisë dhe shoqërisë civile; avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Ne dhe ata” janë konstrukte shoqërore. Roli jonë është që t’i shkatërrojmë këto koncepte” – tha ai.

Ndërkaq, Beate Elsaesser, drejtoreshë për bashkëpunim në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë tha që një platformë e tillë shpërfaë një hap të rëndësishëm në adresimin e kësaj problematike.

Sipas saj, nisma të tilla çrrënjosin pabarazitë brenda shoqërisë.

Ndërkaq, Isak Iskenderi, drejtor i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”, tha që vazhdon një gjendje jo e drejtë e tri komuniteteve për qasje të barabarta.

“Ne e njohim këtë pabarazi, por ajo që na dallon prej tjerëve është që ne jemi të gatshëm të luftojmë” – tha ai.

Duke u bazuar në qëllimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, në bazë të kombësisë apo lidhjes me ndonjë komunitet, zbatimi efikas i këtij ligji është i rëndësishëm për të luftuar diskriminimin mbi baza etnike.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në popullatën e përgjithshme të Kosovës, 0.5% (8,824) janë Rom, 0.9% (15, 436) janë Ashkali dhe 0.7 % (11, 524) Egjiptian.