Gashi: Marrëdhëniet ndëretnike - tendencë për të qenë pjesë e dezinformimit

Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com, ka folur rreth dezinformimit që po vazhdon të jetë prezent në Kosovë, sidomos duke u shfrytëzuar marrëdhëniet ndëretnike.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se marrëdhëniet ndëretnike janë tendencë për të qenë pjesë e dezinformimit në Kosovë.

“Për shembull kemi tendencë për riprodhim të lajmit që në kalanë e Zveçanit është hequr flamuri i komunitetit serb dhe dikush që është hero e ka largu atë flamur por në anën tjetër kemi kuptu që ai flamur vetëm është zëvendësu, pra ka qenë vetëm një shkrepje e shkurtër e asaj fotografie ndërsa është realizuar diku para dy muajsh por vazhdon me u transmetu në baza ditore në mediat shqiptare që tentojnë me e shty një frymë të nacionalizimit, shpërndahet që nacionalistët me ia bo ‘Like’” – thotë Gashi.

Tutje ai ka përmendur edhe konfiskimin e disa armëve në veri të Kosovës që është lidhur direkt me sulmin në Banjskë.

Ai ka sqaruar se Policia e Kosovës nuk ka thënë se armët e konfiskuara në Zveçan lidhen me sulmin në Banjskë.

“Arrestimet dhe operacionet e Policisë në veri janë keqinterpretu sidomos në transmetuesin e dytë, pra informacioni që prodhohet në Kosovë që target ka komunitetin në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, gjithmonë e shohim që i shtohet edhe diçka tjetër për me i dhanë një dozë më të madhe të asaj që ne e quajmë senzacion. Lajmi për konfiskimin e disa armëve në veri të Kosovës është lidhur direkt me sulmin e Banjskës në ato që është raportuar te komuniteti në Shqipëri e që realisht në konferencën për shtyp nuk është përmendur që armët të cilat janë zënë në fshatin Rudarë lidhen me sulmin e Banjskës, ka pasur një deklaratë që armët i lidh me Radoiqiçin por jo me sulmin” – ka thënë tutje Gashi.

“Kemi një portal ‘Banjalluka’ që raporton për një objekt të kishës në Pejë për disa grafite dhe menjëherë e fajëson komunitetin shqiptar sepse këto grafitë janë me përmbajtje islame, mirëpo nuk është zbulu nëse ato janë shkru prej një pjesëtari të komunitetit shqiptar, për këtë është hapur rast në Polici”, – shtoi ai.

www.kallxo.com