Ndërrohen drejtorët e tri drejtorive të Komunës së Vushtrrisë, cila është arsyeja?
Brenda një jave, në Komunën e Vushtrrisë janë ndërruar drejtorët e tri drejtorive komunale.
Drejtoritë që ndërruan drejtorët janë ajo e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtoria e Prokurimit.
Drejtoresha e Urbanizmit dhe ajo e Kulturës në Komunën e Vushtrrisë kanë thënë se janë dorëhequr nga pozitat e tyre.
Ndërkaq për ish-drejtorin e Prokurimit, Ilmi Azemi, kryetari Komunës, Ferit Idrizi, ka konfirmuar se e ka liruar vetë nga detyra duke ia ndërruar pozitën në Komunë, ndërkaq në dikasterin e njëjtë shtoi se e ka emëruar Azize Krasniqin.
“Drejtorit të Prokurimit veç ia kam ndërru pozitën. Unë kam të drejtë me ndërru pozita kur e shoh që tubohen lëndët dhe s’mundem me u përcjellë e me u procedu, ia kam ndërru pozitën”- ka thënë Idrizi, duke shtuar se Azemin e ka emëruar në Drejtorinë e Investimeve Kapitale.
KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga drejtori i Prokurimit, Ilmi Azemi, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit.
Për lirimin nga detyra të Azemit dhe ndërrimin e pozitës, kryetari i Vushtrrisë ka thënë se e ka bërë për shkak të mungesës së licencës së prokurimit.
“Unë kur e kam emëru nuk e kam ditë që nuk ka licencë të prokurimit dhe tash krejt vendimet dhe kontrata është dashtë me i nënshkru kjo që e kam emëru drejtoreshë tani (Azize Krasniqi)” – theksoi ai.
“Duke e marrë parasysh që Ilmia mundet me e dhanë një kontribut të madh në Drejtorinë e Investimeve Kapitale, që nuk ka nevojë me pasë licencë, e bëra këtë ndërrim”- ka thënë Idrizi për KALLXO.com.
Ndërkaq Fortuna Krasniqi Spahiu ka konfirmuar dorëheqjen e saj nga pozita e drejtoreshës së Urbanizmit, duke thënë se e ka bërë për çështje të angazhimeve personale.
“Kam dhënë dorëheqje për arsye personale” – tha shkurt ajo.
Dorëheqjen e ka konfirmuar edhe Medina Bunjaku, e cila sipas kryetarit Idrizi së shpejti do të emërohet në Drejtorinë e Diasporës.
“Po, kam dhënë dorëheqje për arsye personale, për vazhdim të studimeve të mi”- ka thënë Bunjaku.
Kurse, sipas Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, tre ish-drejtorët komunalë nuk janë dorëhequr por janë shkarkuar nga kryetari Idrizi.
Drita Dibrani, anëtare e kryesisë së LVV-së në Vushtrri, tha për KALLXO.com se kryetari Ferit Idrizi nuk ka dhënë ndodnjë sqarim pse drejtorët janë larguar, por, sipas saj, i bie që ata janë shkarku, “sepse asnjë nga drejtorët nuk ka dalë qoftë me njoftim publik ose me ndonjë reagim prej tyre që ata kanë japë dorëheqje për arsye personale, kështu që i bie me automatizëm që këta drejtorë janë shkarku”.
Lidhur me këtë, ish-drejtoresha e Urbanizmit, Fortuna Krasniqi- Spahiu, ka shtuar se këto reagime të opozitës mund të jenë bërë për shkak se ndryshimet e drejtorëve të këtyre tri drejtorive në Komunën e Vushtrrisë janë bërë në të njëjtën kohë.
“Me siguri që jemi marrë vesh në të njëjtën kohë disa drejtorë me i ba ndryshimet kështu që normal që menjëherë ata dëshirojnë me spekulu. I kemi pasë arsyet tona dhe kemi vendosë që bashkë, marrëveshje ka qenë”- ka shtuar Krasniqi-Spahiu.
E pyetur se përse janë koordinuar për diçka të tillë, ish-drejtoresha e Urbanizmit është përgjigjur “për qejf”. “Kemi pasë qejf ashtu”.
Tutje i pari i Vushtrrisë ka shtuar se në Drejtorinë e Urbanizmit tashmë ka emëruar si ushtrues detyre Nexhat Merovcin, ndërsa drejtor të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport ka emëruar Izet Miftarin.