'53 milionëshi' - Pse Gjykata e Prishtinës vendosi që kompensimi të zgjidhet në kontest juridiko-civil

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte gjetur fajtor ish-ministrin Pal Lekaj, këshilltarin e tij politik, ushtruesin e detyrës së drejtorit të prokurimit publik, Besim Tahiri dhe sekretarin e MI, Nebih Shatri lidhur me rastin e ‘53 milionëshit’.

Në shpallje të aktgjykimit më 31.01.2024 trupi Gjykues me kryetaren Violeta Namani, Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli, kanë marrë vendim që lidhur me dëmin që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga katër të akuzuarit, të zgjidhet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Pra themelorja nuk kishte marrë vendim lidhur me dënimin plotësues që prokuroria e kishte propozuar në aktakuzë.

Prokuroria Speciale kishte kërkuar që katër të akuzuarit të urdhërohen që në mënyrë solidare të bënin kompensimin e dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit.

Sipas arsyetimit që ka nxjerrë themelorja më datë 20.03.2024 thuhet se Gjykata nuk kishte vendosur lidhur me dënimin plotësues pasi që pala e dëmtuar, avokatura shtetërorë kishte kërkuar nga Gjykata që rasti të referohet në kontest të rregullt civil.

“Gjykata ka vendosur që pala e dëmtuar, Avokatura Shtetërore e Kosovës, pranë Ministrisë së Drejtësisë, të udhëzohet për realizimin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil. Ngase e njëjta përmes parashtresës së datës 22.11.2022 kishte kërkuar nga Gjykata që të udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil për shkak se këtë të drejtë do ta realizonin në procedurë të rregullt”- thuhet në Aktgjykim.

Kujtojmë që Prokuroria Speciale e përfaqësuar nga Valdet Gashi dhe Atdhe Dema, përpos kompensimit të dëmit kishte kërkuar si dënim plotësues edhe ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratë publike, për të pandehurit që do të shpallen fajtor.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për KALLXO.com kishte thënë se çështja e dëmshpërblimit për rastin e ‘53 milionëshit’ është çështje e Gjykatës për të cilën “nuk mund të përzihen”.

Durmishi kishte deklaruar për KALLXO.com se varësisht se si përfundon si proces do të shohin se çfarë vendime do të marrin si Ministri.

“Kjo është çështje e Gjykatës dhe në vendime të Gjykatës nuk mund të përzihem. Janë dy raste të ndara, nuk është vetëm çështja e 53 milionëshit, është çështja edhe e 44 milionëshit, njëra është që janë paguar 53 milionë në emër të dëmshpërblimit në kohëzgjatje të afatit të kryerjes së punimeve, dhe tjetra është 44 milionë për punë shtesë edhe pse kontrata ka qenë me “çelësa në dorë” që nuk lejohet të ketë punë shtesë. Pra gjithsej 96 milionë, i mbetet gjykatave të marrin vendime meritore” – kishte thënë Durmishi në një prononcim për KALLXO.com.

Afera e 53 milionëshit – Gjykata e Prishtinës konstatoi se marrëveshja ishte kundërligjore

Gjykata Themelore konstaton se Lekaj e Berisha fshehën opinionin e kompanisë mbikëqyrëse për rastin e ’53 milionëshit’

Historiku i rastit

Gjykata e Prishtinës më 31.01.2024 kishte gjetur fajtor të pandehurit, Pal Lekaj, Nebih Shatri, Besim Tahiri dhe Eset Berisha.

Gjykata kishte shpallur fajtorë dhe kishte dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Ndërsa këshilltari i tij politik, Eset Berishën ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg dhe dënim plotësues prej 3 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike; sekretari i përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtorin e prokurimit publik në këtë ministri, Besim Tahiri, janë dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit kurse mbrojta lirimin e të pandehurve në seancën kur janë thënë fjalët përfundimtare, e cila është mbajtur më 26 janar 2024.

Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare më datë 29 shtator të  vitit 2017.

Sipas prokurorisë keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.

Përfundimi i autostradës me kontratën bazë e cila ishte lidhur në vitin 2014 parashihej të përfundonte më 18 janar të vitit 2018, kurse me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, kontrata tashmë do të përfundonte në fund të muajit dhjetor të vitit 2018.

Kjo marrëveshje, sipas prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kosto financiare që ishte në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror.

Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, prokuroria thotë që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.

Tutje aktakuza thotë se Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik Eset Berisha që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka” për ta caktuar vlerën e marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur.

Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.

Kjo kërkesë në vlerë prej 63 milionë euro ishte paraqitur më 27 nëntor 2017, pastaj sipas prokurorisë ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. E që me rekomandim të komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar kërkesën në qershor të vitit 2018.

Sipas aktit akuzues, organet kompetente për zhvillimin bisedimeve, marrjen e vendimit dhe përcaktimin e kostos financiare lidhur me këtë projekt e kishin, Komiteti Drejtues Ndërministror i cili kryesohej nga Pal Lekaj dhe Njësia për Implementimin e Projektit.

Sipas prokurorisë pagesa për shumën prej 53 milionë eurove ishte në kundërshtim të plotë me rekomandim e kompanisë mbikëqyrëse të projektit e cila ishte kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, “Hill International”.

Sipas këtij rekomandimi të bërë në vitin 2017 nga “Hill International” kishte thënë që shuma e vetme që do duhej t`i paguhej kompanisë ndërtuese ishte 14,778,654.87 euro krahas dy kërkesave të tjera që ishin 36.3 milionë euro tjera në emër të pajisjeve dhe 10 milionë të tjera në emër të pengimit për realizimin e projektit (dy kërkesat e fundit, “Hill” i kishte konsideruar si të pa bazuara).

Këtë rekomandim sipas Prokurorisë e kishin shpërfillur të akuzuarit Pal Lekaj dhe Eset Berisha.

Këtë opinion prokuroria thotë që Pal Lekaj nuk e ka prezantuar fare në mbledhjet e KDNM-së, të mbajtura për këtë arsye.

Përmbajtja e aktakuzës vazhdon duke treguar se si Pal Lekaj dhe këshilltari i tij, Eset Berisha kishin kërkuar nga drejtori i departamentit Ligjor të Ministrisë së Infrastrukturës, Avdi Kamerolli ndryshimin e opinionit ligjor që e kishte përpiluar më herët lidhur me këtë rast.

“Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe kompania mbikëqyrëse “Hill International” dhe Departamenti i prokurimit Publik si nënshkrues i kontratës të cilët posedojnë njohuri të specializuar”- përshkruhet të ketë qenë formulimi i opinionit paraprak ligjor nga Avdi Kamerolli më datë 01.06.2018 me numër protokolli 5124.

Pas presionit që përshkruhet në aktakuzë të ketë pasur drejtori i zyrës ligjore Avdi Kamerolli, nga Eset Berisha {përmes dërgimit të një draft opinioni të shkruar në email} dhe Pal Lekaj,  ka hartuar një version të ri të opinionit ligjor duke e hequr emrin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” duke e lënë si kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit në kuadër të MI.

Kështu Pal Lekaj si kryesues i KDNM-së duke fshehur dhe mos paraqitur para anëtarëve të tjerë të këtij komitetit gjendjen reale {respektivisht opinionin e kompanisë “Hill International”}, e duke i prezantuar tashmë opinionin e ndryshuar të Avdi Kamerollit të të njëjtës datë 01.06.2018 por që mban numër tjetër të protokollit 5142, i ka shtyrë anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror që të rekomandojnë te Qeveria e Kosovës që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enka-s” për t`iu paguar shuma prej 53 milionë eurove ashtu siç kishin kërkuar.

Duke mos përfillur opinionin e “Hill International” që parashihte pagesë për “Bechtel & Enka” për vetëm 14,778,654.87 euro, më të cilin vlerësim ishte pajtuar edhe kompania në fjalë, sipas prokurorisë, më aprovimin e pagesës prej 53 milionë euro, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë euro.

Kështu prokuroria në përfundim ka ardhë se katër të akuzuarit në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Por, në bazë të përshkrimit të dispozitat të aktakuzës dhe aktvendimit të prokurorit të shtetit të datës 7 Gushtit të vitit 2019, del se i pandehuri Eset Berisha ka ushtruar ndikim tek drejtori i zyrës ligjore Avdi Kamerolli, gjë për të cilën shprehimisht në aktakuzë nuk specifikohet siç ndodhë me përshkrimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dënim maksimal të të akuzuarve në seancën kur janë dhënë fjalët përfundimtare kishte kërkuar prokurorial Speciale, por që në aktakuzë prokuroria ka kërkuar dënimin plotësues për të pandehurit duke kërkuar nga Gjykata që urdhëroj të pandehurit që në mënyrë solidare të bëjnë kompensimin e humbjes apo dëmit që i është shkaktuar Buxhetit të shtetit e që sipas aktakuzës dëmi monetar që i është shkaktuar buxhetit të shtetit del të jetë 38 milionë euro.

Si dënim plotësues Prokuroria Speciale ka kërkuar edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike për të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë propces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK