Ilustrim

Oda e Mjekëve: 55.5% e mjekëve nuk pajtohen me vlerën e koeficientit

Oda e Mjekëve të Kosovës ka bërë një sondazh me anëtarët e saj për të parë nëse ata janë të kënaqur apo jo me vlerën e koeficientit të pagave për sektorin publik.

Nga 1415 përgjigje të anëtarëve, 55.5% nuk janë pajtuar aspak që vlera e koeficientit të jetë 105 euro.

31.7% janë pajtuar pjesërisht, e 12.7% janë pajtuar plotësisht.

Pleurat Sejdiu, kryetari i Odës së Mjekëve tregoi për KALLXO.com arsyet që kanë çuar në këtë rezultat.

“Në këtë rezultat ka ndikuar pritshmëria e madhe se do jetë mbi 120 euro vlera e koeficientit si dhe rangimi i psikologëve klinik në rang me mjekë kur ata nuk i kanë kompetencat e mjekut por janë terapeut, pra nuk kanë të drejtë diagnostikimi as ordinimi të terapisë apo referimit për diagnostikim paraklinik”- tha Sejdiu për KALLXO.com.

Kryetari i Odës tha se ky pyetësor është dërguar te 3600 mjekë që janë pjesë e OMK-së dhe punojnë në sektorin publik.

Nga 1411 respodentë, 60.9% janë mjekë specialistë, 21.9% doktorë të mjekësisë dhe 17.2% specializantë.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është bërë me dije se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro.

Sipas koeficientit të ri për nëpunësit publik në sistemin shëndetësor paga më e lartë do të jetë për drejtorin e SHSKUK-së në vlerë prej 1,470 euro me koeficient 14, ndërkaq paga më e ulët do të jetë për ndihmës infermierë me koeficient 4.5 që në pagë përkthehet 472.5 euro.

Vlera e koeficientit për paga në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro