Foto: Facebook/Policia e Kosovës.

Policë, prokurorë e zyrtarë të IPK-së të Kosovës trajnohen nga agjentë të FBI-së

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se policë e prokurorë kosovarë, si dhe zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës, janë trajnuar nga agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve të Shteteve të Bashkuara (FBI), për hetimin e krimeve të “jakave të bardha” dhe valutave virtuale.

Trajni është mbajtur në kuadër të Programit ndërkombëtar të asistencës për trajnimin për hetimet penale të Departamentit të Drejtësisë.

Sipas njoftimit, seanca e trajnimit është hapur me një minutë heshtje, duke shënuar Ditën e Përkujtimit të Oficerit të Paqes dhe Javën e Oficerit të Policisë, 12-18 maj, për të nderuar oficerët e rënë të Shteteve të Bashkuara që sakrifikuan jetën në krye të detyrës.

“Trajnimi, i përbërë nga 27 pjesëmarrës nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës, u fokusua në ofrimin e aftësive të avancuara dhe praktikave më të mira në hetimin dhe luftimin e krimeve të jakave të bardha, përfshirë ato që lidhen me monedhën virtuale”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit, pjesëmarrësve në trajnim u janë dorëzuar certifikata në një ceremoni me pjesëmarrjen e zyrtarëve të rangut të lartë nga agjencitë e përfaqësuara dhe atasheja e /ICITAP nga DD të Shteteve të Bashkuara, Kimberly Riffe dhe anëtarë të stafit të ICITAP.

Policia thotë se partneriteti i vazhdueshëm i ngushtë i Policisë së Kosovës dhe DD-ICITAP nënvizon përkushtimin e përbashkët për forcimin e aftësive të zbatimit të ligjit dhe avancimin e njohurive dhe ekspertizës për PK-në për të luftuar krimet komplekse financiare.