Arkiv

Dështon dhënia e dy dëshmive në gjykmin për keqpërdorimin milionësh në Aeroportin e Prishtinës dhe AShNA

Gjykimi ndaj Bahri Nuredinit dhe Driton Mehajt, të akuzuar nga Prokuroria Speciale se kanë keqpërdorur pozitat zyrtare në Aeroportin e Prishtinës e më pastaj në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ka vazhduar edhe sot më 22.04.2024 në Gjykatën e Prishtinës.

Gjykata në këtë seancë konstatoi se dëshmitarët Shkëlzen Halili dhe Ersen Shileku, nuk do të dëshmojnë për shkak se të njëjtët ndodhen jashtë vendit.

“Dëshmitari Shkëlzen Halili nuk do të dëshmojë para gjykatës. Shkëlzen Halili ka kërkuar të dëgjohet përmes video-linkut, mirëpo i njëjti është njoftuar nga gjykata se për shkak të mungesës së pajisjeve për momentin nuk mund të dëgjohet në këtë mënyrë”- tha kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi.

Pas kësaj prokurori i rastit Milot Krasniqi e tërhoqi propozimin e tij që Shkëlzen Halili të dëgjohet si dëshmitar në këtë çështje penale.

“Me qenë se u njoftuam se gjykata i ka shtjerrë mundësitë që ta sjellë Shkëlzen Halilin të japë dëshminë e tij për shkak të mungesë së pajisjeve teknike për ta dhënë dëshminë me video-konferencë, konsideroj se janë shterura mundësitë dhe mjetet e ligjshme të gjykatës. Andaj në këto rrethana tërhiqem nga propozimi që ai të dëgjohet si dëshmitar në këtë çështje penale”- deklaroi prokurori Krasniqi.

“Lidhur me dëshmitarin tjetër Ersen Shileku nga ai veçse e kemi një deklaratë nga hetuesit me qëllim të moszvarritjes së procedurës dhe duke besuar se s’ka çka deklaron jashtë asaj deklarate propozoj që deklarata e tij të lexohet”- tha prokurori Krasniqi.

“Sa i përket dëshmitarit Shkëlzen Halili kemi provuar të sigurojmë deklaratën e tij, por kjo ka qenë e pamundshme. Ne nuk e refuzojmë propozimin e prokurorit për t`u tërhequr nga ky dëshmitar. Sa i përket propozimit të dytë ne kërkojmë që të ftohet dhe të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit sepse është një prej personave që kanë inicuar kallëzimin penal dhe pothuajse i gjithë ky proces që nga viti 2018 është si pasojë e deklarimeve të rrejshme të tyre. Për ne është me interes të dëgjohet”- deklaroi mbrojtësi i Bahri Nuredinit, avokati Agron Selimaj.

Pas tij edhe mbrojtësi i të akuzuarit tjetër Driton Mehaj, avokati Ilir Rashiti deklaroi se i mbështet fjalët e avokatit Selimaj.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, përkatësisht AShNA-s, avokati Kujtim Palushi nuk u deklarua lidhur me këto dy propozime.

Në fund Gjykata e aprovoi propozimin e Prokurorisë Speciale lidhur me dëshmitarin Ersen Shileku.

“Aprovohet kërkesa e prokurorisë që deklarata e Ersenit e dhënë më 16.12.2017 në polici, të lexohet”- tha kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi.

Pas kësaj trupi gjykimi kaloi në fazën e administrimit të provave të paraqitura në aktakuzë, por prokurori Milot Krasniqi deklaroi se përveç tyre kanë pranuar prova të reja.

“Në këtë pikë e njoftojmë gjykatën dhe palën se në ndërkohë pas ngritjes së aktakuzës dhe shqyrtimit gjyqësor kemi pranuar edhe disa dokumente dhe shkresa të tjera që lidhen me çështjen penale në fjalë. Përfshihen edhe dy përgjigje përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, njëra nga Shqipëria dhe Italia, për të cilat me kohë i kam njoftuar edhe gjykatën edhe palët”- tha prokurori Milot Krasniqi.

Më tutje ai tha se kishte pasur kohë që t`i listojë dhe t`i prezantoj në këtë shqyrtim gjyqësor.

“Si dhe disa dokumente të tjera të cilat janë dorëzuar nga AShNA e të cilat për shkak të kohës së gjatë, angazhimeve shtesë në javën e fundit, veçanërisht kujdestari e kam pasur të pamundur t`i listoj dhe t`i prezantoj në këtë shqyrtim”- u shpreh më tutje prokurori Krasniqi.

Si përfundim ai kërkoi kohë shtesë nga gjykata për procedurën e provave në mënyrë që prokuroria t`i shikojë këto dokumente edhe ta njoftojë gjykatën dhe palët në formë të shkruar për të njëjtat.

Prova të reja paralajmëroi edhe mbrojtja e Bahri Nuredinit.

“Me parashtresë do të bashkangjisim provat e reja”- tha ndër të tjera avokati Agron Selimaj.

Me propozimin u pajtua trupi gjykues dhe caktoi tri seanca të ardhshme për gjykimin, përkatësisht më 29.052024 dhe 3, 5 qershor 2024.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues: Kujtim Krasniqi – kryetar, anëtarët: Lufti Shala, Vesel Ismaili.

Çka thotë dosja e prokurorisë?

Sipas aktakuzës së ngritur më 10.05.2022 nga prokurori special Milot Krasniqi, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, po akuzohen se në bashkëveprim dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale – Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria po pretendon se në periudhën kohore nga muaji shtator 2011 deri në gusht 2018, në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, më pas Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA), të pandehurit në fjalë, Bahri Nuredini si Kryeshef Ekzekutiv i AShNA-s dhe Driton Mehaj, Menaxher i Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit (AIDS) dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, i kanë mundësuar Operatorit ekonomik (OE) “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm me rastin e dhënies së kontratës “Furnizim me Sistem të Navigimit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese”.

Ata po akuzohen se pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror i kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që me datë 08 dhe 09.09.2011, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kanë shpallur fitues të tenderit kompaninë tiranase me vlerë të përgjithshme të kontratës 7,808,296.00 Euro.

Ndërsa, sipas dosjes, kontrata është nënshkruar më datë 06.10.2011, duke e ditur se “rilokimi i sistemeve ekzistuese” ishte pjesë e kontratës të lidhur që para një viti ndërmjet Komisionit Drejtues Ndërministror të Projektit të Partneritetit Publiko-Privat dhe kompanisë “LIMAK Kosova Internacional Aeroport” J.S.C.

Sipas Prokurorisë të njëjtit akuzohen se gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj kompanisë tiranase ashtu që në mënyrë të kundërligjshme kanë bërë zgjatjen e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1700 ditë.

Por aty thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga OE “TCN” më datë 19.09.2016, marrë për bazë se deri me këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7,808,296.00 Euro.

Për kryerjen e punëve të papërfunduara AShNA kishte lidhur kontratë me OE “Leonardo” nga Italia më datë 31.08.2018, në vlerë 386,180 Euro, me të cilat veprime sipas aktakuzës i kanë shkaktuar dëme materiale buxhetit të AShNA-s dhe buxhetit publik, në lartësi të paktën 1,937,230 Euro.

Raportimet e KALLXO.com – LINK