Radakoviq: Marrëdhëniet ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve janë shumë të këqija

Dushan Radakoviq nga organizata joqeveritare ‘ACDC’, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se marrëdhëniet ndëretnike janë shumë të këqija mes serbëve dhe shqiptarëve në veri të vendit.

Ai shtoi se ka tepër pak komunikim midis serbëve e shqiptarëve, komunikon biznesi, komunikojnë njerëzit që veprojnë.

“Secilën ditë kemi lajme të rreme që drejtpërdrejt promovojnë nacionalizmin, radikalizmin te njerëzit, përditë e më shumë urrejtje ndaj njëri- tjetrit, mendoj që nuk çon në asgjë të mirë, nuk çon drejt bashkëpunimit, e as drejt ndonjë mundësie për jetë më të mirë. Shpesh e them, sot bile e patëm një konferencë, kemi arritur te pika që njerëzit frikësohen kur shohin policë në rrugë, e kjo nuk është normale. Çfarë jete është kjo kur unë djalit tim 6-vjeçar duhet t’ia shpjegoj që kur ta sheh policin duhet të ndjehet i sigurt, ai duhet të ofrojë siguri, e jo që kur ta shohë policin në rrugë të mendojë që do ta arrestojë, t’i shkruajë gjobë, ta rrahë apo diçka të tillë… Pra është krijuar, sigurisht që ndikojnë edhe lajmet e rreme, por që përgjithësisht, politikanët, edhe përmes lajmeve të rreme të ndryshme, po ndikojnë në atë që jetët tona po bëhen përditë e më të ndërlikuara” – tha Radakoviq.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij edhe rreth çështjes së dinarit, me ç’rast tha se politikanët janë takuar shumë herë mes vete por që ende nuk ka ndonjë zgjidhje.

“Duhet të gjendet zgjidhja që nesër, për shembull ja nënës sime i ka dalë pensioni nga Serbia, është dita e tretë sot që po më shtyn të shkoj deri në Rashkë, pra duhet të udhëtoj 120 km vetëm për të nxjerrë paratë nga bankomati pensionin e saj, rreth 400 euro, e pastaj të kthehem. Kështu, gjeni atë mënyrë, ka edhe boshnjakë e goranë e të tjerë që marrin pensionet e tilla, ndihmat sociale e të tjera, mendoj që kemi nivelin më të ulët të përgjegjshmërisë së politikanëve për të zgjidhur probleme, disi sikur të ishin aty për të krijuar probleme më të mëdha, e jo të krijojnë jetë më normale e më të mirë” – tha tutje ai.

I pyetur se çka po bën Qeveria lidhur me këtë çështje, Enver Dugolli, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se tema e dinarit është politizuar shumë dhe se sipas tij shumë shpejt kjo çështje do të zgjidhet.

“Është bo propagandë e madhe dhe janë lansu fushata dezinformuese rreth kësaj çështjeje. BQK-ja ka shpallë periudhën kalimtare, ekzistojnë rregullore të ndryshme që rregullojnë këtë punë, pra çështjen e pensioneve. Ka pasur propozim konkret nga Qeveria dhe BQK-ja që të merret vesh BQK dhe Banka Popullore e Serbisë ta rregullojnë këtë çështje teknike, por ka munguar vullneti i Beogradit që ta rregullojë këtë çështje”, – tha Dugolli.

Ndërsa Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com, ka thënë se çështja e pensioneve nuk duhet të shihet problem i vetëm një etnie.

“Edhe nënës sime i është vjedhur pensioni kontributdhënës në Serbi dhe s’ka akses t’i marrë kontributet e veta pensionale. Kosova nuk ka marrëveshje me Serbinë për Fondin Pensional” – tha Gashi.

www.kallxo.com