Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Triumfi i dyfishtë kundër kancerit

Për dy vjet të gjatë nuk pajtohej dot me faktin që “i mungonte një pjesë e trupit”.

Ndihej vazhdimisht nervoze, e shqetësuar dhe në ankth.

E diagnostikuar me kancer në gji, Mehreme Demajt iu desh t’i nënshtrohej mastektomisë, apo operacionit për heqjen e gjirit, në vitin 2021.

Muajt pas ndërhyrjes i kishte të vështirë – me kimioterapi, rrezatime e efekte që i shkaktonin ato – por nuk ishin periudha e vetme e mundimshme.

Mehremja u shërua dhe… sfida e radhës.

“Heqjen e gjirit e kam përjetuar më rëndë… ishte një parehati, një pjesë që të mungon… është e vështirë të përshkruhet me fjalë”, thotë Mehremja në të 60-tat e saj.

Teksa flet për Radion Evropa e Lirë, tregon se ishte interesuar vazhdimisht se si ta gjente një mënyrë “për kthimin e improvizuar të gjirit”.

Dhe, pas rekomandimeve të disa profesionistëve shëndetësorë, kishte përfunduar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Ka qenë e martë dhe jam takuar me doktoreshën Violetë… Më ka pritur shumë mirë, sikur të njiheshim me vite të tëra. M’i ka shpjeguar të gjitha procedurat, ka thirrur ekipin e mjekëve, jemi konsultuar bashkë dhe kemi vendosur për datën”, rrëfen Mehremja përvojën e kaluar në fund të vitit të shkuar.

Operacionin për rikonstruktim të gjirit e kaloi me sukses – çfarë i riktheu si vetëbesimin, ashtu edhe dëshirën për të vazhduar me profesionin e ekonomistes.

“Jemi mësuar të dëgjojmë në media se në QKUK duhet të blesh gjithçka vetë… Mirëpo, në sekondë, kam thënë se do të shkoj… Nëse bëhet, mirë; nëse nuk bëhet, të jemi shëndosh…”, kujton Mehremja dhe tregon se është befasuar për të mirë.

“Për këtë intervenim nuk kam shpenzuar asnjë cent”, thotë ajo.

Në QKUK, vitin e kaluar, ka nisur të kryhet falas rikonstruktimi i gjirit – procedurë që në spitalet private kushton deri në 1.500 euro.

Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, i cili mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale, konfirmojnë se për këtë qëllim kanë ndarë mbi 70.000 euro.

“Ky është një projekt mjaft madhor dhe mund të them se po realizohet me mjaft sukses”, thotë për Radion Evropa e Lirë Violeta Zatriqi, drejtoreshë e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, ku edhe bëhet rikonstruktimi i gjirit.

Deri në fund të vitit të kaluar, aty janë kryer rreth 60 intervenime për rikonstruktim të gjirit, kurse në radhë kanë qenë edhe mbi 40 raste të tjera.

Kanceri në gji është ndër llojet më të zakonshme të kancerit në Kosovë.

Nga të dhënat që ka siguruar Radio Evropa e Lirë nga Klinika e Onkologjisë në QKUK, vitin e kaluar janë regjistruar 461 raste me kancer në gji. Të dhënat, po ashtu, flasin për rritje të numrit të rasteve me kancer ndër vite.

Në prag të Ditës Botërore të Kancerit, që shënohet çdo 4 shkurt, Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi këtë javë një raport, sipas të cilit, tri llojet kryesore të kancerit në vitin 2022 kanë qenë ai i mushkërive, i gjirit dhe i kolorektalit (zorrës së trashë).

Sipas OBSH-së, me kancer në mushkëri janë regjistruar mbi 2.5 milionë raste në të gjithë botën, të cilat kanë përbërë 12.4 për qind të totalit të rasteve të reja.

OBSH-ja e përkufizon kancerin si “një grup të madh sëmundjesh, që mund të prekin pothuajse çdo organ ose ind të trupit, kur qelizat anormale rriten në mënyrë të pakontrolluar”.

Sipas saj, ai është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në nivel global, pas sëmundjeve kardiovaskulare.

“Shumë sisteme shëndetësore në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë më pak të përgatitura për ta menaxhuar këtë barrë dhe një numër i madh i pacientëve me kancer nuk kanë qasje në diagnostikimin dhe trajtimin cilësor në kohë”, vlerëson OBSH-ja.

Në vendet ku sistemet shëndetësore janë të forta, sipas saj, shkalla e mbijetesës së shumë llojeve të kancerit është duke u përmirësuar.

Në Kosovë, Klinika e Onkologjisë në QKUK është e vetmja qendër ku të prekurit me kancer marrin kimioterapi apo trajtime të tjera të nevojshme për ta.

Numri i atyre që kontrollohen apo marrin shërbime aty, shkon në afro 50.000 në vit.

Klinika i ka rreth 60 shtretër dhe barnat aty herë pas here mungojnë, çfarë i detyron pacientët ose ta shtyjnë trajtimin, ose t’i blejnë vetë ato.

REL-i ka qenë disa herë dëshmitar i rasteve kur pacientëve u është dashur të presin me orë të tëra për të gjetur shtrat të lirë për të marrë kimioterapi.

Në nëntor të vitit 2022, REL-i ka raportuar, po ashtu, për mungesën e aparaturës së domosdoshme për kancer në QKUK.E, Mehremja, që thotë se ndihet mirë me trupin e saj, i sugjeron gratë tjera që kanë fat të ngjashëm me të, të mos dorëzohen edhe “kur u duket se është vonë”./REL