Ilustrim

Kjo është vlera e shtesës për mjekët specialistë që punojnë vetëm në sektorin publik sipas Rregullores së re

Javën e kaluar Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për shtyp deklaroi se paga e një mjeku specialist mund të arrijë deri në 1,700 – 1,800 euro nëse punon vetëm në sektorin publik.

Kjo shumë, sipas tij, do të arrihet me disa shtesa që ai ka premtuar se do të jepen për specialistët që punojnë vetëm në institucione shëndetësore publike.

Këto shtesa do të jepen përmes Rregullores për shtesën e nëpunësit të sistemit shëndetësor, për mjekë specialistë në cilindo nivel të shëndetësisë.

Vlera e saj do të jetë deri në 25 për qind të pagës bazë të nëpunësit. Koeficienti i pagës bazë të mjekut specialist është 12, që do të thotë se paga është 1,260 euro. Rrjedhimisht, me këtë shtesë, paga do të mund të jetë deri në 1,575 euro apo 315 euro më shumë.

Megjithatë në njërin nga paragrafët e Rregullores thuhet se shuma totale e shtesës nuk mund të jetë më e lartë se 1 për qind e fondeve totale të përdorura nga organizata buxhetore për pagën bazë të zyrtarëve publikë të organizatës buxhetore në të njëjtin vit.

Përveç kritereve të lartpërmendura, neni 5 i kësaj Rregulloreje thotë se për të qenë përfitues i kësaj shtese, mjeku specialist duhet të ketë vlerësim pozitiv të performancës në bazë të indikatorëve të vlerësimit të njësisë përkatëse e dhënë nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, të nënshkruajë deklaratën nën betim, të ketë dëshmi që ndaj tij nuk është duke u zhvilluar hetim apo procedurë gjyqësore, e as nuk është i dënuar për vepër penale lidhur me ushtrimin e detyrës dhe vepra të korrupsionit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministri të Shëndetësisë se si do të bëhet vlerësimi i performancës së mjekëve dhe si do të përcaktohet se kush sa do të fitojë, duke qenë se Rregullorja thotë se shtesa mund të jetë deri në 25 për qind.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka ofruar përgjigje në këto pyetje. Në përgjigjen me shkrim të MSH-së tregohet vetëm se ky Ligj tashmë ka hyrë në fuqi.

Mjeku po ashtu duhet të ketë konfirmimin nga Oda e Mjekëve që nuk ka shkelje të Kodit të Etikës apo masë disiplinore në fuqi, dëshminë për kryerjen e obligimeve mbi të ardhurat personale për punëtorin dhe mbi pagesën e kontributeve pensionale pranë organit kompetent.

Kjo shtesë jepet për një vit, me mundësi vazhdimi nëse kriteret vazhdojnë të plotësohen.

Njësia për menaxhimin e burimeve njerëzore është e obliguar që çdo 6 muaj të kërkojë konfirmim me shkrim nga nëpunësi se vazhdon të plotësojë kushtet për marrjen e shtesës. Në rast se nëpunësi fillon të punojë edhe në sektorin privat është i detyruar të njoftojë zyrtarisht së paku 1 muaj para fillimit të marrëdhënies së re të punës, në mënyrë që të ndërpritet shtesa.

Mosdeklarimi në kohë nga mjeku specialist paraqet shkelje disiplinore.

Procedura për marrjen e shtesës shkon me dorëzimin e kërkesës nga mjeku specialist në mbikëqyrësin e tij, deri te njësia për menaxhimin e burimeve njerëzore, e cila merr konfirmimin nga njësia për financa e institucionit se ka mjete të buxhetuara dhe pas plotësimit të këtyre hapave, ekzekutohet shtesa.

Pavarësisht përcaktimeve të kësaj Rregulloreje, totali i shtesave për nëpunësit e sistemit shëndetësor nuk mund të kalojë 50 për qind të pagës bazë.