Kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku dhe Arben Mustafa, gjatë një konference për media premtuan se PDK-ja do e rikthejë në agjendë projektin amerikan për gazin natyror.
Ata premtojnë se këtë do e bëjnë posa të marrin përgjegjësinë për udhëheqjen e Qeverisë së vendit.
Çitaku tha se debati për projektin amerikan për gazin natyror ka të bëjë me sigurinë kombëtare e nuk është teknik, ndërsa shtoi se rruga e Kosovës është përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke e cilësuar atë si rrugë që garanton partneritet, siguri dhe zhvillim.
““Dua të jem shumë e qartë: Partia Demokratike e Kosovës do ta rikthejë menjëherë këtë projekt në agjendën shtetërore sapo të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e Qeverisë së vendit. Do të punojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerët tanë rajonalë dhe me institucionet financiare ndërkombëtare për ta lidhur Kosovën me rrjetin e gazit amerikan. Koha e izolimit duhet të marrë fund. Kosova duhet të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit, jo spektatore e tyre” – tha Çitaku.
Pothuajse çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike, Çitaku tha se është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e shpeshherë edhe përmes formave të dhunshme.
Ndërsa Arben Mustafa tha se kostot e refuzimit të këtyre projekteve i kanë paguar qytetarët e Kosovës.
“Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, Kosova ka importuar afërsisht 1 miliard euro energji elektrike. Në vend që këto para të investoheshin në kapacitete të reja prodhuese, në modernizimin e sektorit energjetik apo në zhvillimin ekonomik të vendit, ato kanë dalë jashtë Kosovës për të financuar varësinë tonë energjetike. Në të njëjtën kohë, qytetarët kanë paguar çdo vit fatura më të larta të energjisë elektrike. Bizneset kanë përballuar kosto më të mëdha të prodhimit. Familjet kanë përballuar barrë gjithnjë e më të rëndë financiare” – tha Mustafa.
Teksa foli për mënyrën e qarkullimit të kompanive NOA Energy Trade dhe ETMT se si arrijnë të gjenerojnë miliona euro me pak punëtorë, Mustafa tha se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë ta dinë se kush është duke përfituar.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë kush përfiton nga ky model dhe pse Kosova po mbetet gjithnjë e më e varur nga ndërmjetësit dhe tregtarët e energjisë, në vend që të investojë në prodhimin e vet. Ky është një model i dështuar ekonomik. Një model që shpërblen varësinë dhe jo prodhimin. Një model që pasuron ndërmjetësit, ndërsa faturën ua lë qytetarëve dhe bizneseve. Një model që nuk ndërton asnjë megavat të ri, por prodhon vetëm kriza të reja” – tha ai.
Fushata zgjedhore ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.
Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa ai jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata.