Mustafa: Kandidatin për deputet e kanë bërë drejtor të ATK-së, e flasin për politizim të së kaluarës

Diskutimi për përfshirjen e politikës në institucionet shtetërore të Kosovës në emisionin “Debat Përnime” u shoqërua me përplasje mes përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Gashi, dhe përfaqësuesit të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa.

Duke kundërshtuar akuzat e opozitës për politizim të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Hekuran Gashi i LVV-së tha se edhe qeveritë e kaluara kanë pasur emërime politike në institucionet publike.

“Ish-drejtori i fundit i ATK-së me të përfunduar mandatin ka qenë në listën e kandidatëve për deputetë nga PDK-ja. Këta folin për politizim, këta janë të njohur, do të thotë, për skandalet ‘a ke konkurruar’ edhe në sistemin e drejtësisë? Ne e dimë që ne e kemi, unë e tregova, kemi ulur barrat.” – deklaroi Gashi më 04.06.2026

Pas kësaj, Arben Mustafa i PDK-së reagoi ndaj deklaratave të Gashit, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për politizim të institucioneve gjatë mandatit aktual.

“Së pari për depolitizim, ti po fol për të kaluarën, kandidatin që e ke pasë për deputet e ke bërë drejtor të ATK-së, po më fol këtu për politizim të kaluarës, more ti çka je tu bë? Pse s’po i depolitizon sot?” – tha Mustafa.

Ai akuzoi gjithashtu Qeverinë për emërime politike në institucione të tjera publike.

“Kë i ke çu ti në bord të AKP-së? Ke çu njerëz me aktakuzë të ngritur. Ke bë njerëz të Vetëvendosjes me aktakuzë ke bë anëtar”- deklaroi ai.

Mustafa kritikoi edhe mënyrën e menaxhimit të terminaleve doganore, duke pretenduar se kostoja e qirave po mbulohet nga taksat e qytetarëve.

www.kallxo.com