Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat përfundon pa deklaratë të përbashkët
Në Tivat të Malit të Zi ka përfunduar pjesa zyrtare e samitit BE-Ballkani Perëndimor. Në fund të samitit nuk u miratua një deklaratë e përbashkët, por Bashkimi Evropian doli me një komunikatë, në të cilën u tha se liderët evropianë mirëpritën reformat që po vazhdojnë dhe riafirmuan përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, të bazuar në merita, raporton REL.
Në komunikatën pas samitit u theksua se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për përfitimin e të gjitha avantazheve të integrimit më të afërt. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.
Po ashtu u diskutua për ofertat konkrete të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë “korsitë e gjelbra”, përparimin drejt integrimit në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe në sistemin SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), si dhe investimet në vazhdim për lidhjen digjitale në mbarë rajonin.
Duke u mbështetur në këtë përparim, gjatë samitit u theksuan edhe mundësi të reja për bashkëpunim, lëvizshmëri dhe ndërlidhje në rajon.
Përmes komunikatës u njoftua për nisjen e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve kibernetike.
Nisja e një programi të ri të mobilitetit, i financuar nga BE-ja së bashku me Shkollën Rajonale për Administratë Publike, do t’u mundësojë deri në 100 nëpunësve civilë nga Ballkani Perëndimor të fitojnë përvojë profesionale në administratat e shteteve anëtare të BE-së.
Po ashtu, u bë i ditur edhe synimi i Komisionit Evropian që programin DiscoverEU, i cili përfshin ofrimin e biletave falas të udhëtimit për të rinjtë 18-vjeçarë, ta zgjerojë për të rinjtë nga të gjitha vendet e rajonit duke filluar nga viti 2027.
U konfirmua gjithashtu se Komisioni Evropian ka përgatitur hapat e radhës drejt krijimit të marrëveshjeve për roaming ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Në komunikatë u konfirmua po ashtu se BE-ja, nga Plani i Rritjes për vendet e rajonit, nga viti 2024 e deri më tani ka shpërndarë 673.6 milionë euro. Ndërkaq, liderët e rajonit u inkurajuan që të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë që ofron Plani i Rritjes, duke zbatuar reformat brenda afateve të parashikuara.
Ky plan i BE-së për periudhën 2024-2027, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, synon qëllim përshpejtimin e afrimit ekonomik të rajonit me BE-në dhe mundësimin e qasjes graduale të tij në pjesë të tregut të përbashkët, para anëtarësimit të plotë, raporton REL.
Kallxo.com ka raportuar gjatë ditës se ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar nga samiti në Tivat të Malit të Zi se Kosova pret hapa konkretë nga Bashkimi Evropian, duke përmendur se Kosova ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe po punon palodhshëm për qytetarët kosovarë dhe për të ardhmen evropiane.
Haxhiu gjatë deklarimit të saj të parë në një format të tillë në nivel të liderëve, ka bërë të qartë se Kosova është rreshtuar plotësisht me politikat e bllokut evropian dhe se ka ardhur koha që ky përkushtim të vlerësohet me merita.
“Siç jeni në dijeni, ne jemi plotësisht në një vijë me politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Nga ky samit presim diskutime frytdhënëse nga të gjithë përfaqësuesit dhe rezultate pozitive. Prandaj, Kosova meriton marrjen e pyetësorit, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave”- ka thënë Haxhiu për media më 05.06.2026.
Haxhiu tha se ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian.
Ajo shtoi se një Bashkim Evropian i bashkuar dhe më i madh është përgjigjja më e fuqishme ndaj atyre që synojnë të krijojnë paqëndrueshmëri në Evropë.
“Kosova kërkon trajtim të drejtë dhe të barabartë përgjatë gjithë këtij procesi. Kosova ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe po punojmë palodhshëm për qytetarët tanë dhe për të ardhmen tonë evropiane”- shtoi ajo.
Ajo ka shprehur mirënjohje ndaj shtetit mikpritës, Malit të Zi për organizimin e këtij samiti, duke e cilësuar pjesëmarrjen e Kosovës si tejet të rëndësishme në një kohë kur po diskutohen sfidat e sigurisë dhe zgjerimi i BE-së.
“Integrimi në BE nuk është thjesht një proces teknik. Ai ka të bëjë me mirëqenien, paqen, demokracinë dhe dinjitetin – si për Evropën, ashtu edhe për popullin tonë”- ka përfunduar ajo.
Ky samit u mbajt gjashtë muaj pas takimit të fundit të zhvilluar në Bruksel me synim që të riafirmojë partneritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.