Ilustrim/ BIRN
ASK: Shkalla e papunësisë në vitin 2024 ishte 13.9%
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2024 në Kosovë shkalla e papunësisë ishte 13.9%.
Ndërsa, po ashtu sipas ASK-së, mbi gjysma e popullsisë në moshë pune nuk ishte aktive, veçanërisht femrat. Në anën tjetër femrat e punësuara punojnë kryesisht në tregti, arsim dhe shëndetësi, ndërsa meshkujt në tregti, prodhim, ndërtim dhe administratë publike.
“Sipas Rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024, Shkalla e papunësisë në Kosovë ishte 13,9 %. Derisa, rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë (1 063 687) ishin popullsi në moshë pune; Persona aktivë ishin 514 791; Persona joaktivë ishin 548 896; Persona të punësuar ishin 443 364; dhe Persona të papunësuar ishin 71 427.”- thuhet në publikimin e ASK-së të datës 19.03.2026.
Sipas ASK-së, shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë.
“Shkalla e jo-aktivitetit mbetet një nga sfidat kryesore të tregut të punës në Kosovë me 51,6 %. Kjo dukuri është veçanërisht e theksuar tek femrat, ku shkalla e jo-aktivitetit është 65,4 %, krahasuar me 37,8 % te meshkujt.

Tregtia, arsimi dhe shëndetësia prijnë në punësimin e femrave
Në komunikatë, ASK thotë se sektorët kryesorë ekonomikë që dominojnë punësimin, ishin: tregtia me 19,7 %, prodhimi me 12,7 %, ndërtimtaria me 9,6 %, arsimi me 8,5 % dhe administrata publike dhe mbrojtja me 8,2 %.
“Femrat ishin të punësuara, kryesisht në sektorët e tregtisë, arsimit dhe kujdesit shëndetësor, me 48,9 % të tyre. Ndërsa, meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, prodhimit, ndërtimtarisë, administratës publike dhe mbrojtjes, në aktivitetet e akomodimit dhe shërbimeve me 63,2 %.”-bën të ditur ASK.
Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e raportit tematik për “Të dhënat e Tregut të Punës sipas Komunave”. Të dhëna këto të dala nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos) 2024.
Raporti “Të dhënat e tregut të punës sipas komunave”, ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse dhe të detajuar të treguesve të tregut të punës në nivel komune. Analiza përfshin të dhëna mbi popullsinë sipas gjinisë, përkatësisë etnike dhe tipit të vendbanimit, si dhe mbi popullsinë e moshës 15–64 vjeç sipas statusit të aktivitetit ekonomik.
Në mënyrë të veçantë, publikimi paraqet të dhëna të detajuara për: personat e punësuar, të papunësuar dhe popullsinë ekonomikisht joaktive; shpërndarjen sipas gjinisë, grup-moshave, nivelit të arsimit, profesionit dhe të aktiviteteve ekonomike; statusin në punë, vendin e punës dhe tipin e vendbanimit; orët e punës gjatë javës referuese para regjistrimit; shpërndarjen territoriale të treguesve sipas komunave.
Gjithashtu, publikimi përfshin analiza të detajuara mbi strukturën e punësimit sipas aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe përkatësisë etnike, si dhe të dhëna mbi papunësinë sipas gjinisë, grup-moshave, nivelit të arsimit të përfunduar dhe arsyeve kryesore të jo-aktivitetit. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe pjesëmarrjes në tregun e punës të personave me vështirësi afatgjata.
Për dallimet e mundshme të rezultateve të treguesve të punësimit dhe papunsisë në mes të regjistrimit të popullisë dhe anketave, ASK ka një sqarim
“Dallimet në rezultatet e treguesve të punësimit dhe papunësisë ndërmjet Regjistrimit të Popullsisë (ReKos 2024) dhe Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) janë të pritshme dhe burojnë nga metodologjitë e ndryshme të mbledhjes së të dhënave, periudhat e referencës, përkufizimet statistikore të përdorura etj. Për këtë arsye, Anketa e Fuqisë Punëtore konsiderohet burimi kryesor për statistikat e tregut të punës. Ndërkohë, të dhënat nga Regjistrimi i Popullsisë (ReKos 2024) shërbejnë si burim plotësues, duke ofruar mundësi për analiza më të detajuara strukturore dhe territoriale veçanërisht në nivel komunal dhe për grupe të ndryshme të popullsisë. “ – thuhet në publikimin e ASK-së.