Protesta e studentëve para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut, 05.06.2026, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
“Kosova është me ju” - Përkrahen studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për provimin e jurisprudencës
“Kosova është me ju”, “Duam gjuhën tonë”, “Gjuha shqipe, zyrtare” – janë disa nga brohoritjet që u thanë para dyerve të Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, nga studentët e universiteteve publike.
Studentë të Universitetit të Prishtinës e të Universitetit “Ukshin Hoti” të Prizrenit, protestuan të premten, më 05.06.2026, para Ambasadës maqedonase në përkrahje të studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut për të mbajtur provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Protesta filloi në ora 14:00, ndërsa zgjati për gjysmë ore, me muzikë shqip, flamuj kuq e zi dhe përfundoi me një parakalim të studentëve në lagjen ku ndodhet Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
Studentët e Kosovës e kanë shprehur përkrahjen e tyre ndaj studentëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut edhe në dy protestat e mbajtura në Shkup në muajt prill e maj 2026.
Studentët po kërkojnë respektimin e Ligjit për Gjuhët dhe të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndonëse gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në këtë shtet.
Aolta Bajrami, kryetare e Këshillit Studentor të Fakultetit Juridik në UP, tha se janë duke i përcjellur me shqetësim të thellë zhvillimet të studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, që po kërkojnë të drejtën e tyre për mbajtjen e provimit të Jurisprudencës në shqip.
“Në vitin 2026 ende po vihet në diskutim nënshtrimi i provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në konsiderojmë që studentët kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimit në gjuhën që ata e njohin më mirë. Asnjë studentë nuk është më pak profesionist, asnjë jurist nuk është më pak profesionist nëse i nënshtrohet provimit në gjuhën që ai e njeh më mirë.” – deklaroi Bajrami para gazetarëve.
Sipas Bajramit, një shtet është edhe më i fortë kur respekton të drejtat e atyre që kërkojnë barazi, dinjitet dhe përfaqësim.
“Uroj që kjo të mos vazhdoj dhe uroj që kjo të merr epilogun e duhur dhe të drejtat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të respektohen deri në fund.” – theksoi Bajrami.
Djellza Përteshi, përfaqësuese e studentëve të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, tha se janë mbledhur në protestë që gjuha shqipe të mos mohohet e të mos trajtohet si privilegj, sepse ajo vlerësoi se kjo gjuhë është e drejtë e gjithësecilit.
“Jo rastësisht sot unë kam me vete flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për me tregu qartë, që ta dërgojmë në vend amanetin e tyre që i kanë mbrojtë trojet shqiptare, gjuhën shqipe dhe ne sot si studentë jemi këtu me mesazh të qartë – jemi këtu për të mbrojtur gjuhën shqipe.” – tha Përteshi, teksa studentët e mbështetën duke thirrur “UÇK”.
Donart Humolli, student në UP, tha se besojnë që “shoqëritë e forta ndërtohen mbi përfshirjen, jo mbi përjashtimin. Mbi respektin, jo mbi diskriminimin. Mbi dialogun dhe jo mbi ndarjet.”
“Sot zëri ynë, është zë solidariteti me studentët, juristët dhe qytetarët që kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre… Është një thirrje për institucionet që përmes dialogut dhe mirëkuptimit të gjejnë zgjidhje që forcojnë besimin në mes qytetarëve dhe institucioneve.” – shtoi Humolli.
Kjo protestë ishte paralajmëruar nga Parlamenti Studentor i UP-së dy ditë më parë.
Në anën tjetër, Bekim Sali, zëvendëskryeministri i parë në Maqedoni të Veriut, në një intervistë për Alsat m, më 01.06.2026, ka deklaruar se studentët do të mund të japin pjesën teroike të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe me kërkesë të tyre.
Sali ka shpjeguar se Jurisprudenca ka shtatë provime, prej tyre, pesë provime teorike dhe dy provime në të cilat kombinohet pjesa praktike me atë teorike.
“A do të mundet kandidati i cili nesër të jetë gjykatës të mundet të trajtojë një temë, një çështje, situatë dhe zgjidhje gjyqësore në gjuhën shqipe apo maqedonase për shkak se materialet që i jepen kandidatit për ta dhënë provimin i jepen në gjuhën maqedone.” – ka thënë Sali.
Dhjetëra studentë u mblodhën tek Ura e Gurit në Shkup dhe filluan protestën nga ora 16:30, më 18.06.2026.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Stop diskriminimit institucional”, “Respekto Ligjin për Gjuhët”, “Kjo gjuhë ka dëshmorë pas vetes” dhe një numër flamujsh kuq e zi.
Kurse, studentët e UP-së u panë në këtë protestë me pankarta si “Prishtina nuk hesht!”.
Disa orë para fillimit të kësaj proteste, BIRN publikoi artikullin me titull “Protesta për Provimin e Jurisprudencës rikthen debatin për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut”.
Gjuha shqipe hyri në përdorim zyrtar në Maqedoninë e Veriut kryesisht në nivel komunal gjatë viteve 2008-2009, në bazë të marrëveshjes së paqes të arritur në vitin 2001 për t’i dhënë fund muajve të përplasjeve ndërmjet guerilëve shqiptarë etnikë dhe forcave shtetërore të sigurisë.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve i vitit 2019 e bëri përdorimin e saj standard edhe në nivel shtetëror, në të njëjtin nivel me maqedonishten, duke zgjeruar përdorimin e shqipes në arsim, shkencë, shëndetësi dhe sektorë të tjerë.
Asnjë prej këtyre ligjeve nuk e përmend shprehimisht “gjuhën shqipe”, por i referohet çdo gjuhe që flitet nga të paktën 20 për qind e popullsisë. Sipas regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2022, shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind të popullsisë.
Studentët argumentojnë se ligji u jep të drejtën ta japin Provimin e Jurisprudencës në shqip dhe në janar dorëzuan një peticion me 385 nënshkrime në Ministrinë e Drejtësisë, parlament, qeveri dhe institucione të tjera përkatëse.
Qeveria është përpjekur të shmangë dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, duke iu referuar shqetësimeve më të gjera ligjore që lidhen me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe sfidave të vazhdueshme ndaj përmbajtjes së tij në Gjykatën Kushtetuese. Partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Hristijan Mickoski kishte kundërshtuar ligjin e vitit 2019, i cili u miratua kur ajo ndodhej në opozitë.
Kryeministri Mickoski ka përmendur një opinion të marsit 2025 nga Komisioni i Venecias, organ këshillues i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese, në të cilin theksohet nevoja për “burime shtesë administrative dhe/ose financiare” për të garantuar një sistem gjyqësor dygjuhësh.
Protestë e parë u mbajt më 06.04.2026 dhe mblodhi qindra studentë të Universitetit të Europës Juglindore dhe Universitetit të Tetovës në Shkup.