Premtimi i Albin Kurtit: 5 diga të reja e 4 hekurudha

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, Albin Kurti, ka premtuar ndërtimin e katër hekurudhave të reja, krijimin e pesë digave e ndërtimin e poliklinikës specialistike në Drenas.

Ai po ashtu premtoi edhe ndërtimin e një çerdhe dhe shkolle profesionale në Komoran të Drenasit.

Kurti tha mes tjerash se Kosova do të bëhet shtet që lidh qytetet, zhvillon ekonominë dhe ndërton infrastrukturë për brezat që vijnë.

“Mandati i ri është ai i transformimit të madh ekonomik dhe industrial të Kosovës. Katër hekurudha të reja, pesë diga me investime mbi 400 milionë euro. Shtet që lidh qytetet, zhvillon ekonominë dhe ndërton infrastrukturë për brezat që vijnë” – tha kryetari i LVV-së, Albin Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 07.06.2026.

Fushata zgjedhore ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.

Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa ai jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata.