Foto: AAK, Facebook

Ardian Gjini premton ngritje të pragut për TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, përmes një video-lajmi ka premtuar ngritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro.

Ardian Gjini këtë premtim e vlerësoi si hap jetik për të lehtësuar barrën mbi ndërmarrësit.

“Si një hap jetik për të lehtësuar barrën mbi ndërmarrësit tanë dhe për të stimuluar qarkullimin e parave, pragu i TVSH-së do të ngrihet nga 30.000€ në 100.000€ duke i dhënë kështu një shtysë të jashtëzakonshme bizneseve të vogla dhe të mesme që janë edhe shtyllë e ekonomisë sonë“ – tha ai.

Se si mund të zhvillohet vërtetë ekonomia e Kosovës, Gjini tha se kjo arrihet pas qasjes së barabartë për të gjithë, ndërsa shtoi se është detyra e tyre t’i krijojnë këto mundësi të barabarta përmes platformës qeverisëse të AAK-së.

“Ekonomia e Kosovës mund të zhvillohet vërtetë vetëm atëherë kur qasja në tregun e punës është plotësisht e barabartë për të gjithë dhe kur bizneset tona marrin frymë të lirshëm. Detyra e jona kryesore është t’i krijojmë këto mundësi të barabarta. Prandaj platforma e qeverisë së aleancës ka ndërtuar një plan të qartë dhe të guximshëm për zhvillim ekonomik të vendit” – tha Gjini.

Ndërsa shtoi se vetëm duke mbështetur punën e ndershme ndërtohet shtet i fortë dhe mirëqenie për të gjithë, ashtu siç e parasheh plani i AAK-së për bizneset dhe ekonominë.

Fushata zgjedhore ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.

Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa ai jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata.