Foto: Policia e Shtetit

Korçë: Konflikt në servis, tre persona arrestohen, pronarit të servisit i hapet rast penal

Tre persona janë arrestuar në Korçë pas një konflikti të dhunshëm në një servis automjetesh, ku sipas Policisë së Shtetit, për motive të dobëta është sulmuar pronari i servisit dhe janë përdorur mjete prerëse dhe sende të forta.

Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 10 të qytetit. Pas hetimeve dhe veprimeve për zbardhjen e rastit, specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Korçës arrestuan në flagrancë shtetasit, E. D., 39 vjeç, banues në Korçë; E. Th., 40 vjeç, banues në Tiranë; dhe L. M., 34 vjeç, banues në Korçë.

Gjithashtu, materiali i grumbulluar u referua në Prokurorinë e Korçës, ku filloi procedimi penal për pronarin e servisit, R. Xh., 35 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Sipas Policisë, dy shtetasit E. D. dhe E. Th. kanë shkuar me automjet në servis dhe, për motive të dobëta lidhur me pakënaqësinë për një shërbim të kryer, kanë goditur pronarin me sende të forta dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës.

Shtetasi L. M. ishte rastësisht në servis dhe u përfshi në konflikt. Pronari i servisit, R. Xh., gjatë përleshjes ka dëmtuar lehtë me një gërshërë pune shtetasit E. Th. dhe L. M.

Si prova materiale janë sekuestruar automjeti dhe mjetet prerëse, një bisturi-thikë dhe një gërshërë. Të lënduarit kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës dhe më pas janë larguar në banesa.

Rasti mbetet nën hetime dhe Prokuroria e Korçës po kryen veprimet e mëtejshme procedurale.